Opinione
Në Pelince-shqiptarë, në Krushevë-шиптари (siptari)
Në festë shtetërore, para Presidentit të shtetit, i cili për nga detyra zyrtare duhet të jetë Kryetar i të gjithëve, dëgjova thirrje “смрт за Шиптари!” (vdekje shqiptarëve!).
Sapo mendova se kësaj radhe do të më demantojnë, sepse në Pelince kishte edhe valle “tjetër” pos asaj maqedonase, natyrisht me meritë të ministrit të Kulturës, megjithatë u zhgënjeva.
Në festë shtetërore, para Presidentit të shtetit, i cili për nga detyra zyrtare duhet të jetë Kryetar i të gjithëve, dëgjova thirrje “смрт за Шиптари!” (vdekje shqiptarëve!). Fati në fatkeqësi ishte që ministri i Kulturës ishte në Pelince, e jo në Krushevë, e nuk i dëgjoi ato thirrje ofenduese raciste.
Perceptimet
Për “maqedonasit e vërtetë” të Meçkin Kamenit, edhe në festë shtetërore fajtorë janë shqiptarët (ata na quajnë me pezhorativin “shiptari”, që më mirë kuptohet në qirilicë – “шиптари”), edhe kur luan kombëtarja e Maqedonisë dhe, madje, shënon gol Enis Bardhi, përsëri për ata ekziston një armik i vetëm – „клетите шиптари“ (“shqiptarët e mallkuar” – një thirrje e një këngë antishqiptare). Dhe, kur njeriu i dëgjon ata, ndërsa dëgjon pak ose aspak gjykim të atyre thirrjeve raciste, nuk mund të mos e shtrojë pyetjen retorike të De Rastinjakut në “Xha Gorio”: “A ia vlen gjithë kjo?!”.
Derisa në anën tjetër, në kampin politik shqiptar, i duron akuzat se e feston Ilindenin (që disa “ekspertë” të përkthimit do ta bënin Ilindita), se e uron 2 Gushtin, i duron akuzat se feston festë partizane në Pelince, “ndërsa partizanët nuk kanë qenë mbrojtësit tanë”, merr pjesë në festimin e festës shtetërore, madje ia del të krijosh laramani në programin kulturoro-artistik, me qëllim që edhe shqiptarët në Maqedoni të ndjehen se janë pjesë e festës shtetërore, që në fund të marrësh përgjigjen „мртов Шиптар – добар Шиптар“ (shqiptari i mirë – shqiptari i vdekur). Vërtet, a ia vlen më?!
Siç duket, në Maqedoni gjërat kanë vajtur larg. Andaj nuk mund të mos pyetesh se kujt i konvenon gjithë kjo çmenduri? Kush dëshiron ndarje, segregacion dhe konflikte? Kush fiton prej kësaj?
Nacionalizmi romantik
Për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve të parashtruara, duhet t’i kthemi shpjegimit teorik të nacionalizmit maqedonas. Në të vërtetë, meqë secili nacionalizëm romantik i duhet një armik, siç duket maqedonasit (me përjashtime për çdo respekt) për armik të tillë e kanë shpallur shqiptarin (që ata nuk e quajnë “Allbanec” – siç është emërtimi zyrtar maqedonisht, por me përçmim, që asosocon kohën serbe – “shiptar”) dhe – sipas tyre – “secili shqiptar është armik i joni dhe ne duhet të luftojmë kundër tij, që ta shpëtojmë Maqedoninë nga shqiptarët!”. Kjo në mënyra dhe forma të ndryshme mund të ndjehet, të lexohet ose te dëgjohet, që, nga ana tjetër, pa dyshim nxit mllef te shqiptarët, pse ata të jenë viktima e mllefit të tillë nacionalist? Aq më shumë që edhe te shqiptarët ka truall të mirë të atyre që mendojnë se shqiptarët i kanë dy shtete fqinje dhe “nuk ia vlen të merresh me një komb që është i kontestuar nga të gjithë fqinjët, përveç prej shqiptarëve vendorë dhe shqiptarëve fqinj”. Sipas shqiptarëve, ky është paradoks i paparë: me kombin që nuk të konteston asgjë, krijon armiqësi, ndërsa atyre që të kontestojnë u vardisesh dhe me të gjithë ata arrin të merresh vesh. Në fakt, një ligj për përdorimin e gjuhëve, që vetëm pjesërisht e avancon përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, pengohet, krijohen “pengesa ligjore dhe kushtetuese” dhe implementimi i tij zvarritet. Për fat të keq, ky ambient i nacionalizmit të shprehur ashiqare në Maqedoni, si dhe të gjitha obstruksionet e zbatimit të ligjit të gjuhëve, vetëm e rikthejnë kujtesën edhe ashtu të freskët të ngjarjeve të themelimit të Universitetit të Tetovës më 1994 ose qasjen e shtetit në ngjarjet e Gostivarit më 1997, që kishin të bëjnë me përdorimin e flamurit shqiptar.
“Çudia maqedonase”
Kjo vërtet është e çuditshme: me një shtet që mezi arrin ta ndërtosh, që mezi arrin ta shpëtosh, që mezi arrin ta imponosh në skenën botërore, me gjuhë dhe histori që t’i kontestojnë fqinjët, me emër, që po ashtu kontestohet, me kishë që ende nuk pranohet, me flamur që duhej të ndërrohet, përsëri fajtorë janë shqiptarët, të cilët – për hir të së vërtetës – asnjërën nga këto nuk e kontestojnë, madje shfaqin vullnet për identitet të përbashkët shtetëror, integrohen edhe në të mira edhe në fatkeqësi, ndërsa në Pelince e kremtojnë 2 Gushtin. Kjo më ngjan në sado-mazohizëm: kur nuk mund t’ua kthesh njësoj atyre që të kontestojnë, sillesh dhunshëm ndaj atyre që janë korrektë me ty. Mendoj se kjo nuk bie më në fushën e sociologjisë. Me veprimet e tilla arrihen vetëm këso konstatime.
Në vend që shteti të përpiqet “t’i përfitojë” edhe shqiptarët dhe të gjithë të tjerët në Maqedoni në identitetin e përbashkët shtetëror, në vend që ata t’i shikojë si bashkëpunëtorë e partnerë në betejën për të nesërme më të mirë, në vend që të investojë në programe arsimore dhe kulturore, e veçanërisht ta bëjë atë në festa shtetërore, ai – me ose pa vullnetin e tij – lejon që të shpallen “armiq të imagjinuar”. Kujt i shërben kjo?
Dhe, kur këtë e sheh në kontekst të integrimit euro-atlantik, kur gjithë këtë e sheh në relacion me ndikimet armiqësore lindore në rajon, kur gjithë këtë e sheh në prizmin e suksesit të referendumit dhe mundësisë që ky shtet t’i bashkohet botës progresive, nuk mund të mos mendosh se këtë dikush po e bën qëllimisht, sepse nuk dëshiron shtet stabil, të integruar dhe me perspektivë. Se kush është ai, nuk mund ta pohojmë me saktësi, edhe pse nuk është edhe gjithaq e vështirë të merret me mend.
Para disa viteve princi Harry ishte parë diku me një bluzë që kishte ndonjë shenjë të fashizmit. Përveç që ajo u bë problem ndërkombëtar dhe vijoi falja nga familja mbretërore, princi i ri duhej ta vizitojë edhe qendrën përkujtimore të holokaustit në Poloni, që të edukohet për ta respektuar vuajtjen e tjetrit.
Të shohim se kush do ta marrë përgjegjësinë te ne.
E-Diaspora
-
LDK prezanton listën e kandidatëve për deputetë, mes tyre 5 emra nga diaspora Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar listën e plotë të kandidatëve për...
-
Shqipëri: Seleksionimet me talentet e diasporës, zbulohen lojtarë shumë cilësorë
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuçiq, në Cyrih
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
Jeta në Zvicër
-
Deputetët zviceranë bëjnë thirrje për ligje kantonale për mbrojtjen e të miturve nga rrjetet sociale Anëtarët e parlamenti nga të gjitha politike prejardhjet synojnë të mbrojnë nxënësit e mitur nga “efektet...
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuçiq, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse