Shkurt.ch

Në Libi, luftohet me municion zviceran

Patronat fillimisht janë eksportuar nga Zvicra në Katar, prej nga, pastaj, kanë gjetur rrugën për në Libi

Rebelët libianë që po luftojnë kundër trupave të Gadafit, këtë po e bëjnë edhe me municion zviceran.

Siç ka zbuluar emisioni “Rundschau” i televizionit zviceran sf1, prodhues i këtij municioni është kompania shtetërore zvicerane për prodhimin e pajisjeve ushtarake “Ruag Ammotec”. Ndërsa eksportimin e municionit në Libi e ka bërë firma FGS Frex AG.

Sipas dokumentacionit të gjetur në arkat e municionit, patronat fillimisht janë eksportuar në mënyrë zyrtare nga Zvicra në Katar, prej nga, pastaj, kanë gjetur rrugën për në Libi.

Eksportimi i materialit luftarak në Katar qe miratuar në vitin 2009 nga Seco (Sekretariati për Ekonomi). Mirëpo Katari qe zotuar që të mos e shpërndajë tutje materialin e blerë luftarak.