CH-Ballkani
Në Langenthal të Zvicrës u kujtua figura e atdhetarit Mikel Kuzhnini
Në akademinë përkujtimore morën pjesë: Konsullja e Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Përlaskaj, afaristi dhe filantropi i njohur, Lazim Destani etj.
Sot në Langenthal, në organizim të Lidhjes Shqiptare në Botë (LSHB) është mbajtur një akademi komemorative në gjashtëmujorin e kalimit në amshim të bashkëthemeluesit dhe ish-kryetarit të LSHB-së, Mikel Kuzhnini.
Në këtë akademi kanë marrë pjesë një numër i madh bashkatdhetarësh dhe në veçanti mjaft veprimtarë dhe afaristë të diasporës, jo vetëm nga LSHB-ja, shkruan albinfo.ch. Aty ishte edhe konsullja e Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Përlaskaj, afaristi dhe filantropi i njohur, Lazim Destani, Prof.Dr. Omer Xhemali, Prof.Dr. Sokrat Sinaj etj.
Në një prani të tillë në sallën Barock të hotelit Bären të Langenthalit, hapjen e Akademisë e ka bërë Nazmi Jakurti, Kryetar i LSHB. Duke lexuar një jetëshkrim të Mikel Kuzhninit, nga lindja e tij në vitin 1942 deri në vdekjen, në vitin 2019, Jakurti është ndalur veçanërisht në angazhimin patriotik të të ndjerit.
“Mikel Kuzhnini, atdhetar i madh, do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare. Në vitin 1968, Mikeli me të vëllain, Simonin, dhe disa shokë në Prizren e ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Pas atij akti, Mikeli u desh të largohej për në Stamboll, duke zhvilluar aktivitete në Turqi. Angazhimi rreth këtyre çështjeve e detyroi familjen Kuzhnini që patjetër të largohej nga Kosova, dhe në vitin 1968/1969, të vendosen në Zagreb…”.
Këtu pastaj fillon një etapë e re e angazhimit të vëllezërve Kuzhnini në të mirë të çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi, shkruan albinfo.ch. Në këtë kontekst, ka qenë me shumë rëndësi sidomos roli i Mikelit dhe Simonit në mbështetjen materiale dhe morale të lëvizjeve atdhetare të shqiptarëve të të gjitha trojeve , gjatë viteve `90. Kjo veprimtari e tyre kurorëzohet me themelimin e Lidhjes Shqiptare në Botë, në vitin 1997. Duke qenë në krye të saj, ata kanë mbledhur rreth LSHB-së shumë intelektualë dhe veprimtarë tjerë për të zhvilluar aktivitetet e tyre të shumta në këto 23 vjet.
Gjatë akademisë, fjalën e kanë marrë: Milaim Fejziu, nënkryetar i LSHB nga Maqedonia, afaristi dhe filantropi i shquar Lazim Destani nga Gjermania, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisës, Ermina Përlaskaj, Kanoniku i Ipeshkvisë së St.Gallenit, prifti shqiptar Don Marjan Markaj, ish ministri në Qeverinë në ekzil të Kosovës, Nikë Gjeloshi etj.
Në vazhdim, LSHB u ka ndarë mirënjohje për merita të veçanta tre personaliteteve të mërgatës shqiptare të Zvicrës dhe njërit, të Kroacisë. Me këtë mirënjohje janë nderuar: Esat Çollaku, luftëtar i shquar i luftës në Kroaci dhe asaj në Kosovë, kryetar aktual i Unionit të Shqiptarëve në Kroaci, Shukrije Ramadani, konsulle e Kosovës dhe veprimtare e njohur e komunitetit shqiptar të Zvicrës, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani, Prof. Dr. Omer Xhemaili, specialist i shquar i kardiokirurgjisë dhe shef i klinikës përkatëse në spitalin e Cyrihut “Triemli” si dhe Rexhep Rifati, gazetar me përvojë mbi 50 vjeçare dhe i njohur si kronist besnik i diasporës shqiptare në Zvicër.
Aktori i njohur Çun Lajçi, i ardhur enkas nga Prishtina kishte përgatitur një monolog që lidhej me aktualitetin dhe të kaluarën e shqiptarëve.
Në përmbyllje u shfaq një film dokumentar i gjatë i gazetarit Asllan Bajrami mbi jetën dhe veprën e vëllezërve Kuzhnini.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër Me reshjet e borës së ditëve të fundit, vendpushimet e skive, nga më i madhi tek...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra
-
228 milionë franga: Dhurim rekord nga Zvicra për një katastrofë natyrore