Kosova

Në Kosovë punojnë mjekë të huaj pa licenca

Edhe pse e ndaluar me ligj, në Kosovë ka mjekë të huaj që ushtrojnë veprimtaritë e tyre pa u lajmëruar dhe pa u licencuar nga institucioni përkatës.

Edhe pse e ndaluar me ligj, në Kosovë ka mjekë të huaj që ushtrojnë veprimtaritë e tyre pa u lajmëruar dhe pa u licencuar nga institucioni përkatës.

Për këtë shkelje, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka shqiptuar në vitin 2022 së paku 26 gjoba.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se “Inspektorati Shëndetësor ka hasur në raste të ofrimit të shërbimit shëndetësor nga mjekë jokosovarë pa vendim për angazhim të përkohshëm nga Bordi Qendror për Regjistrim dhe Licencim nga Ministria e Shëndetësisë”, raporton Albinfo.ch.

Tri spitale private në Kosovë, për të cilat është në dijeni se herë pas here angazhojnë mjekë të huaj për të dhënë shërbime, REL-i i ka kontaktuat, por nga asnjëri prej tyre nuk pranuan të flasin për këtë temë.

Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta” që raporton për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, thotë se mjekët e huaj që ofrojnë shërbime në Kosovë, në shumë raste, bëjnë shkelje ligjore duke mos i plotësuar të gjitha kriteret për licencim, ose duke mos u licencuar fare në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në disa raste, këta mjekë vijnë për të rekrutuar pacientë për t’i trajtuar në vendet e tyre”, thotë ai, pa specifikuar më shumë.

“Disa prej kritereve që nuk i plotësojnë, janë: mosnjohja e gjuhës shqipe, mosanëtarësimi në Odën e Mjekëve, mosregjistrimi për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë…”, shton Vitija.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet t’i rrisë kapacitetet e Inspektoratit Shëndetësor dhe të kërkojë më shumë përgjegjësi në monitorimin dhe mbikëqyrjen e këtyre rasteve.

“Ata [mjekët e huaj] vijnë si turistë në Kosovë, zhvatin pacientët kosovarë dhe në shumë raste kalojnë pa u vërejtur fare nga Inspektorati Shëndetësor”, thotë Vitija.

Në Inspektoratin Shëndetësor punojnë gjithsejtë 13 zyrtarë: kryeinspektori, asistenti ekzekutiv, zyrtari i arkivit dhe dhjetë inspektorë shëndetësorë.

Kosova, viteve të fundit, është duke u përballur me mungesë mjekësh dhe infermierësh, pasi një numër i tyre ka migruar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, që të angazhohen dhe punojnë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës./Albinfo.ch