Kosova

Në Kosovë projektohet roboti që zëvendëson lypsarët

Roboti lypsar është i pari i këtij lloji i ndërtuar ndonjëherë në Kosovë dhe momentalisht është duke qëndruar në hapësirën e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit

Studentët e Fakultetit të Mekatronikës në UBT, Kenan Alija dhe Kushtrim Ajazaj, si dhe nxënësi Nart Gashi, të udhëhequr nga profesori i UBT-së, prof. dr Valmir Hoxha, kanë realizuar njërin ndër inovacionet më të mëdha të edicionit të parë të Autostradës Biennale, robotin lypsar, projekt ky i artistit të njohur slloven, Saso Sedlacek.

Roboti është ndërtuar për më pak se një javë, teksa realizimi i tij është bërë pa asnjë kosto financiare, nga hardueri kompjuterik tashmë i pashfrytëzuar, thuhet në njoftimin për media.

Qëllimi kryesor për të cilin është ndërtuar ky robot është mbledhja e parave, me ç’rast funksionon si një agjenci zëvendësuese e krijuar për një botë, në të cilën të margjinalizuarit, si individët dhe familjet e varfra, refugjatët dhe azilkërkuesit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata të fshehtit nga sytë e publikut, kurrë nuk do të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë, me përjashtim të rrethanave të caktuara, përcjell albinfo.ch.

I lumtur me punën dhe ndihmën që kanë ofruar studentët në këtë aktivitet, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se qëllimi i institucionit të cilin ai e udhëheq, është që studentët t’i përfshijë në sa më shumë punë praktike, duke gjeneruar rezultate dhe kompetenca me njohuritë dhe aftësitë që i kanë.

Artisti slloven, i cili e projektoi robotin lypsar, Saso Sedlacek u shpreh i impresionuar me punën e bërë nga studentët e UBT-së, veçanërisht me profesionalizimin me të cilin kanë punuar ata.

Edhe mentori i tyre gjatë realizimit të kësaj pune, prof. dr Valmir Hoxha, ka thënë se studentët kanë punuar me një përkushtim dhe precizitet të madh.

Roboti lypsar është i pari i këtij lloji i ndërtuar ndonjëherë në Kosovë dhe momentalisht është duke qëndruar në hapësirën e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit.

Ndërtimi i këtij roboti, ndër tjerash, do të luajë edhe një rol shumë të rëndësishëm humanitar, teksa pas përfundimit të Autostradës Biennale, ai do të vendoset në laboratorin e mekatronikës në UBT, dhe do të vazhdojë të shfrytëzohet për raste të ndryshme humanitare.