Lajme
Në Kosovë, 21 të kafshuar nga gjarpri
Sipas infektologëve kosovarë, 21 persona kanë qenë të trajtuar gjithsej nga kafshimi i gjarpërinjve, të cilët fatmirësisht kanë kaluar pa pasoja fatale

Vetëm gjatë këtyre muajve të verës, 21 qytetarë kanë kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të kafshimit nga gjarprit. Trembëdhjetë prej tyre kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në gjendje të rëndë shëndetësore, ka thënë drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani.
“Në Klinikën Infektive, nga muaji mars, kur ka qenë rasti i parë i kafshimit nga gjarpri, deri më sot kanë qenë të shtrirë 13 pacientë që janë trajtuar në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë. Është dhënë terapi specifike dhe është bërë një ekip mjekësor, bashkë me mjekët e Kirurgjisë vaskulare dhe plastike. Pas disa ditësh kanë shkuar në shtëpi të shëruar”, tha ai.
Tetë të tjerë, sipas Ramadanit, janë trajtuar me terapi ambulatore e me terapi specifike. “Pra, 21 persona kanë qenë të trajtuar gjithsej nga kafshimi i gjarpërinjve. Aktualisht, nuk kemi pacientë që po kërkojnë ndihmë, ndonëse ne kemi terapi specifike”, ka bërë të ditur Ramadani, citon REL.
Ndërkaq, në po të njëjtën klinikë edhe nga pickimi i rriqrave ndihmë mjekësore kanë kërkuar 15 pacientë, si raste të referuara nga e gjithë Kosova të dyshuar për ethe hemorragjike.
“Në këtë klinikë kemi edhe raste të pickimit të rriqrave, e që nga muaji qershor të shtrirë si raste të dyshimta me ethe hemorragjike kanë qenë 15 pacientë. Mirëpo, vetëm 2 raste kanë rezultuar me ethe hemorragjike, një nga Drenasi dhe një nga Gjakova. Gjendja shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë”, ka shpjeguar ai.
Ndryshe, vetëm në Komunën e Malishevës, e që është një nga zonat më endemike me rriqra, gjatë këtij viti janë pickuar 1,030 qytetarë.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, ka treguar për rritjen e numrit të qytetarëve të pickuar nga rriqrat, por gjithashtu ka theksuar faktin se asnjë rast nuk ka rezultuar me ethe hemorragjike.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.
Si rezultat, në vitin 2014, 2015, si dhe këtë vit, nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, krime kongo. Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 të tjerë.
Ndërkaq, problemi me kafshimin e gjarpërinjve ka qenë prezent edhe vitin e kaluar. 14 persona patën kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive, ku sipas zyrtarëve shëndetësorë, gjendja e tyre ka qenë mjaft e rëndë, por ka kaluar pa pasoja fatale.
Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje që njihet si mjaft serioze. Sipas studimeve botërore, rreth 2 për qind e të sëmurëve mund të përfundojnë me fatalitet.
E-Diaspora
-
Promovim librash dhe koncert me piano Promovohen dy libra të Lirim Begzatit dhe jepet një koncert në piano, i mjeshtrit, Leutrim Aliji...
-
Gjendet e vrarë 22-vjeçarja shqiptare në Itali
-
Transporti Publik i Cyrihut kërkon personel (edhe) në gjuhën shqipe
-
Mashtruan dhe vodhën identitetin e amerikanëve – kush janë dy kosovarët që u ekstraduan në SHBA
-
Panairi i parë, eventi më i madh për gratë ndërmarrëse shqiptaro-zvicerane
Jeta në Zvicër
-
Studiuesit paralajmërojnë rritjen e përdorimit të antibiotikëve në bujqësi deri në 2040- ku qëndron Zvicra? Sipas një studimi të ri nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Universiteti i Cyrihut...
-
Zvicra ashpërson ligjin: Paraburgim për të rinjtë që kryejnë vrasje
-
Zvicra rrezikon të mbetet jashtë projektit evropian për inteligjencën artificiale
-
Liqenet zvicerane ballafaqohen me thatësira
-
Zvicër: Nis një nismë për të rritur lejen prindërore