Integrimi
Në këtë ordinancë jeton Zoti, punon mjeku, ndihmohet i sëmuri
Doktor Xhevdet Zenuni është mjeku më i njohur shqiptar në Vjenë të Austrisë. Puna korrekte, serioze dhe besimi që kanë fituar pacientët, ka bërë që ordinanca e tij të jetë e stërmbushur gjatë gjithë ditës. Ordinanca e doktor Xhevdetit ka mbi 2500 pacientë të regjistruar nga gjitha nacionalitetet dhe është ndër pesë ordinancat me të vizituara në Vjenë. “Albinfo.at” ishte për vizitë me ç’rast realizuam edhe një bisedë për sukseset e doktorit tonë shqiptar.
Nëse pyet dikë se ku mund të gjendet një mjek shqiptar në Vjenë, të gjithë do të flasin për një emër: Xhevdet Zenuni. Në rrugën Liebknechtgasse 3, në qarkun e 16-të gjendet ordinanca e mjekësisë së përgjithshme të mjekut tonë shqiptar, Xhevdet Zenunit. Posa të hysh në ordinancën e tij, bie në sy një tabele e varur në mur që shkruan në gjuhë të ndryshme, ndër to edhe shqip. „Në këtë ordinancë jeton Zoti, punon mjeku dhe ndihmohet i sëmuri“. Sapo afrohesh në shalter, përveç një infermiere austriake, aty është edhe infermierja e diplomuar dhe bashkëshortja e dr.Xhevdetit e cila ndonëse është nga Polonia, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. „Keni caktuar termin te mjeku? – na thotë shqip sapo kuptoi se jemi shqiptar. „Uluni dhe prisni deri sa ju thërret mjeku“, shprehet ajo me një respekt. Meqë nuk ishim për vizitë mjekësore, u dashtë të presim deri sa përfunduan të gjithë vizitat e pacientëve. Gjatë asaj kohë sa qëndruam aty, pamë numër të madh të pacientëve nga të gjitha nacionalitet që flisnin lloj-lloj gjuhësh: gjermanisht, shqip, turqisht, serbo –kroatisht, anglisht, polonisht, rusisht dhe gjuhë të tjera. Kur na erdhi radha, doktor Xhevdeti na ftoi brenda. „Tash jemi me të qetë dhe kemi kohë sa të dëshirojmë edhe për bisedë“, na thotë ai duke u relaksuar pas një dite të ngarkuar me punë.
„Kjo ordinancë është prej më shumë se 70 vitesh. Nga viti 2008 më është dhënë e drejta për ta hap si ordinancë timen. Kur e kam hap ordinancën kanë qenë vetëm 500 pacientë të regjistruar, ndërsa prej tyre diku vetëm 5 përqind të huaj apo thënë me saktësisht, vetëm 20 familje të huaja. Për 4-5 vite kemi arritur që të rrisim numrin e pacientëve në afërisht 2500 pacientë të regjistruar. Tani në Vjenë jemi diku ordinanca katër ose pestë që ka më së shumti pacientë sa i përket ordinancave të mjekësisë familjare në Vjenë”, shprehet ai për “albinfo.at”.
Rruga për sukses jo gjithmonë e shtruar me lule
E për të arritur deri te ky sukses, doktor Xhevdeti nuk e ka pasur gjithë rrugën të shtruar me lule. I lindur në Koshare të Gjakovës, familja e tij u shpërngul në Deçan ku doktori kreu edhe shkollën e mesme. Përfundon fakultetin e mjekësisë në Prishtinë. Një kohë ka punuar si mësimdhënës në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë. Në vitin 1991 migron për në Austri. Vështirësitë me nostrifikimin e diplomës ishin jo edhe aq të lehta. Përveç kësaj, atij ju deshtë të vijon shkollime, të merr pjesë nëpër simpoziume dhe seminare të shumta të përfundonte specializimin, krejt kjo që të i njihet e drejta për mjekësi familjare.
“Katër vitet e para kam punuar çfarë kam mundur. Dy vite kam punuar në fabrikën që prodhonte dritaret për metro. Dritaret e metros 6 (U-6) në Vjenë, janë të vendosura nga unë. Në vitin 1995 e mora shtetësinë austriake dhe atëherë u lajmërova për të bërë praktikën. Gjatë asaj kohe fillova të punoj në një ordinancë të mushkërive. Punova për 4 vite, ndërkaq për po aq vite u shkollova edhe për laborator. Paradite punoja në atë ordinancë ndërsa pasdite në laborator.
Në vitin 2000 m’u dha e drejta si mjek i diplomuar për bashki. Pas 36 muajve shkollim më kanë dhënë diplomën si mjek i përgjithshëm“, tregon ai për rrugëtimin e mundimshëm jo vetëm profesional por edhe financiar. „ Pas katër pesë viteve arrita t’i plotësoi kushtet për të pasur ordinancë time. Vështirësitë kanë qenë edhe financiare. Këtu në Vjenë, për të marr një ordinancë është dashtë të paguaja afërisht të ardhurat për tri vitet e fundit që ka marr mjeku paraprak”.
Ordinanca e Xhevdet Zenunit ofron shërbimet e mjekësisë së përgjithshme, bën analizat e gjakut, terapi për sëmundje të ndryshme, terapi për shërimin e sheqerit, terapi speciale për pacientët e varur nga narkotikët. “Kam mbi 120 pacientë të komuniteteve të ndryshme që shërohen nga unë të cilët janë të varur nga substancat narkotike. Pra, ordinanca jonë ofron të gjitha shërbimet që nuk i përkasin një fushe të një mjeku tjetër që është i specializuar për të kryer ato shërbime”.
Doktor Xhevdeti është shumë i afërt me pacientë, i dëgjueshëm dhe mundohet të ofroj gjithë njohurit mjekësore për pacientët e tij, sidomos për pacientët shqiptarë të cilët disa prej tyre për shkak të problemeve gjuhësore nuk arrin të orientojnë mjekët austriak për sëmundjen që vuajnë. “Mundohem të jam i afërt më secilin. Mjeku duhet ta luaj edhe rolin e psikologut dhe jo vetëm të kontrolloj pacientin dhe të jep medikamente shëruese. Tek komuniteti ynë shqiptarë kemi disa që kanë problem me gjuhën gjermane, pastaj kemi shumë student të cilët po ashtu në fillimet e tyre kanë probleme me gjuhë. Kur flasin më mua dhe në gjuhën shqipe, ata ndihen më të lirë dhe mund të tregojnë më mirë për problemet e tyre shëndetësore. Në medicinë duhet edhe pacienti të jetë një gjysmë mjeku, sa më mirë që pacienti e orienton mjekun, edhe shërimi është më i shpejtë”, thotë ai.
Doktor Xhevdet Zenuni është i martuar me Barbara Zenunin, infermiere e diplomuar dhe ka dy djem. Djali i madh Esmiri 28, ndjek rrugën e babait. Ai ka përfunduar mjekësinë dhe është në specializim ndërsa punon në spitalin “Donauspital” ne Vjenë, kurse djali i dytë Albini 22, është student në fakultetin juridik.
Kohën e lirë e kalon me muzikë folklorike
Doktor Xhevdet Zenuni përveç profesionit në mjekësi është i njohur edhe për pasionin e tij me muzikë. Ai, që nga koha e studimeve di të luaj me të gjitha instrumentet muzikore dhe të këndoj këngë folklorike. Edhe tash, sa herë që të gjënë kohë të lirë ia thotë ndonjë kënge me familjen apo shoqërinë e tij. Bashkë më të këndon edhe djali i tij, Esmiri. „Prej vegjëlisë merrem me muzikë folklorike. Kam këngë të incizuara, kemi pas një grup të mjekëve sa kemi qenë student dhe merrnim pjesë në organizime të ndryshme. Unë di të luaj me gjitha instrumentet e muzikës folklorike. Po ashtu edhe djali është i pasionuar pas kësaj muzike. Janë edhe disa incizime të publikuara në youtube. Kur të jemi në qejf, të paktën një ose dy herë në javë bashkë me djalin këndojmë vetëm për dëshirën tonë”, shprehet ai.
Muaj më parë është formuar edhe shoqata e mjekëve shqiptarë në Austri. Doktor Xhevdeti thotë se në dekadën e fundit është një rritje e madhe e numrit të doktorëve shqiptarë në Austri të cilët njihen për punën e tyre të zellshme dhe shumë profesionale: “Në Austri fatmirësisht kemi mjekë të gjitha lëmive nga: kardiolog, kirurg, dentist e deri tek mjek të fëmijëve. Kjo më gëzon edhe mua dhe mundohem të bashkëpunojmë sa më shumë me njëri tjetrin”, tregon ai duke shtuar se vetëm në spitalin “Donauspital” janë të punësuar afër 10-të mjekë shqiptarë. Po ashtu doktor Xhevdeti është aktiv në shoqatën bamirëse “Aleanz für Kinder” e cila sjell nga Kosova dhe Shqipëria rreth 100 fëmijë në vit për shërim në spitalet austriake.
U larguam nga takimi me mjekun Xhevdet Zenuni me urimet e përbashkëta për suksese edhe më të mëdha në vitin 2020.
P.S: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë