Gjermani - unsplash - photo by Florian Wehde
Këshilli Parlamentar më 1 shtator të vitit 1948 filloi punën në Bonn dhe hartoi Kushtetutën e Gjermanisë.
75 vjet pas hapjes së Këshillit Parlamentar, përfaqësues të organeve kushtetuese gjermane kujtuan fillimet e punës për Kushtetutën e Gjermanisë, Ligjin Themelor. Ish-presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, mbajti fjalën e rastit në ceremoninë në Bonn, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.
“Ne u detyrohemi shumë grave dhe burrave të Këshillit Parlamentar”, tha ai në Muzeun e Historisë së Natyrës Koenig. Ai tutje theksoi se Kushtetuta ishte një bazë e sigurt.
“Por, shkalla në të cilën ajo përdoret në drejtim të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe paqes varet nga qytetarët. Demokracia ka nevojë për qytetarë që nuk e konceptojnë shtetin vetëm si një institucion ndihmës, por që bëhen arkitektë të tij. Shteti, demokracia – jemi ne”, tha ai.
“Demokracia nuk është e vetëkuptueshme”
Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, ka thënë: “Ligji themelor i përkohshëm është bërë një histori suksesi. Demokracia e lirë nuk është e vetëkuptueshme. Partitë dhe parlamentet duhet të provojnë mënyra të reja për të angazhuar e përfshirë njerëzit. Ne duhet të bashkohemi kundër atyre që duan një vend, në të cilin dinjiteti i njeriut nuk është i paprekshëm”.
Në anën tjetër, kancelari Olaf Scholz në kuadër të ceremonisë tha se ishte e rëndësishme të kuptohet “se kjo demokraci më e mira që kemi pasur ndonjëherë në Gjermani është gjithashtu një demokraci që ne duhet ta mbrojmë”.
Ligji themelor për një shtet të Gjermanisë Perëndimore
Nga 1 shtatori 1948, 61 meshkuj dhe katër femra të Këshillit Parlamentar hartuan Ligjin Themelor për një shtet të Gjermanisë Perëndimore. Muzeu Koenig ishte një nga ndërtesat e pakta që nuk u dëmtuan gjatë luftës teksa diskutimet faktike u zhvilluan në Akademinë Pedagogjike, që ndodhet 500 metra larg.
Më 23 maj 1949, Ligji Themelor u nënshkrua përfundimisht në Bon – dhe u miratua përsëri në vitin 1990 me ribashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore.