Kultura
Në Gjenevë u promovuan vepra me vlerë nga fusha e letërsisë dhe kulturës sonë
Është bërë promovimi i librit të bashkautorëve Besnik Camaj e Shefqet Dibrani “Leksikon i Autorëve Shqiptarë në Zvicër” dhe ai i përmbledhjes “Tresors Albanais” i poetes dhe përkthyeses Rina Çela- Grasset, që përmban një fond të pasur thëniesh të urta shqiptare me përkthim edhe në frëngjisht
Këtë fundjavë në një nga sallat auditoriale të Universitetit shtetëror të Gjenevës, u bë promovimi i veprës së bashkautorëve Besnik Camaj e Shefqet Dibrani “Leksikon i Autorëve Shqiptarë në Zvicër” dhe ai i përmbledhjes “Tresors Albanais” i poetes dhe përkthyeses Rina Çela- Grasset, që përmban një fond të pasur thëniesh të urta shqiptare me përkthim edhe në frëngjisht.
Takimin me nxënës, studentë e intelektualë të fushave të ndryshme e deklaroi të hapur Margarita Iseni, studente në Fakultetin Juridik të Gjenevës, duke lënë mbresa të mira me të folmen e saj të prajshme dhe të pasur në gjuhën shqipe.
Vlerësime kritike rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptar në Zvicër, fillimisht ka dhënë zonja Mirishahe Limani-Hiler.
Ajo tashmë e njohur për lexuesin shqiptar dhe atë në gjuhën frënge këtë vepër pjesë e së cilës është edhe vetë ,e vlerëson pozitivisht, duke falënderuar Camajn dhe Dibranin për punën e tyre të mundimshme e plot sfida. Leksikonin e konsideron si një hapje shtegu dhe referencë të parë për gjeneratat në ardhje.
Pastaj me një vështrim rreth veprës letrare të autorëve Camaj dhe Dibrani, u prezantua poetja Nerxhivane Sejdiu-Ferati, nga Gjeneva.
Ajo punën e këtyre dy krijuesve të shquar e vlerësoi si pasuri të shumëfishtë të kulturës sonë. Madje Dibranin e quan si njërin nga krijuesit më të frytshëm të viteve të 90-ta . Ndërsa librin me 215 poetë e krijues shqiptarë të fushave të ndryshme në Zvicër, ajo e ka cilësuar si një arritje të lartë krijuese të këtyre dy autorëve të njohur të letrave tona.
Ajo beson se kjo vepër me karakter informues dhe shkencor do të jetë frymëzim dhe motivim edhe për studiuesit e fushave të tjera.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore shkrimtari, publicisti dhe kritiku i mirënjohur letrar nga Kosova, Prend Buzhala njëherit edhe redaktor i librit në shqyrtim ka dërguar një trajtesë me shkrim.
Ai nëpërmjet kësaj kumtese të lexuar nga zonja Nerxhivane Sejdiu- Ferati ka shprehur përshtypjet e tij personale rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptarë në Zvicër.
Buzhala këtë vepër e ka klasifikuar si Fjalor Enciklopedik të Letërsisë Shqipe,sepse nëpërmjet saj përmblidhet dhe identifikohet puna krijuese nëpër shekuj e qindra poetëve, artistëve dhe shoqërive kulturore shqiptare që në periudha të ndryshme veprimtarinë e tyre politike dhe krijuese e zhvilluan dhe vazhdojnë ta zhvillojnë në të gjitha regjionet e Zvicrës.
Kurse autorët Camaj dhe Dibrani kanë falënderuar të gjithë poetët dhe artistët e fushës pamore apo të teatrit dhe filmit, paharruar edhe shoqëritë dhe grupet e shumta kulturore që me shënimet e tyre të dërguara kanë ndihmuar realizimin e këtij projekti. Ata gjithashtu janë të vetëdijshëm që me këtë vepër s’ ka përfunduar gjithçka.
Për arsye të shtrirjes së mërgatës sonë në qytete dhe vendbanime të ndryshme të Zvicrës dhe mungesës së informimit ka të ngjarë që dikush nga krijuesit e letërsisë, artit dhe filmit të ketë mbetur pa u përfshirë në këtë libër.
Garantojmë që nuk kemi pasur inate e as qëllime përjashtuese ndaj askujt thanë në fund të fjalës së tyre Camaj e Dibrani.
Po ashtu në këtë mbrëmje letrare një trajtim dhe studim i është bërë edhe librit“Tresore Albanais” të poetes dhe përkthyeses së njohur të letërsisë sonë Rina Çela Grasset.
Ky libër edhe pse i një tjetër gjinie letrare ka zgjuar tek të pranishmit interesim të jashtëzakonshëm.
Zonja Çela-Grasset në këtë libër ka përmbledhur fjalë të urta popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Ajo nëpërmjet këtyre thënieve të urta synon të paraqesë tek lexuesi i huaj vlerat e mirëfillta të popullit të saj. Zakonisht këto urti kanë qarkulluar në popull si tregime të pashkruara.
Zonja Çela-Grasset duke ditur vlerën dhe kuptimësinë e tyre i ka tubuar ato dhe i ka sistemuar në këtë libër, me çfarë ka shmangur rrezikun e mundshëm të zhdukjes së këtij thesari të çmuar të popullit tonë.
Nëpërmjet një monografie të titulluar “Dy Dekada me Shqiptarët e Francës” para auditorit është paraqitur edhe autori i këtij libri Abas Pllana. Ai si njëri nga veprimtarët më të hershëm të mërgatës sonë në Francë, me katër-pesë fjali përshkroi punën disavjeçare të shqiptarëve në këtë vend.
Zonja Çela- Grasset. Ajo shprehu haptas kënaqësinë që është redaktore e monografisë dhe bashkëveprimtare me Abas Pllanën, njeriun e fjalëve të pakta dhe të veprave të shumta.
Kjo mbrëmje e rëndësishme kulturore është realizuar në saje të një bashkëpunimi të ndërsjellë të kryesive të shoqatave “Unioni i Studentëve Shqiptar të Gjenevës” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.
Fotot: Abaz Pllana dhe Përparim Ajvazi
E-Diaspora
-
Nga Prishtina në SHBA: Hellocare.ai pushton shëndetësinë amerikane! AdventHealth ka besuar tek hellocare.ai për të sjellë teknologjinë tonë në çdo dhomë të sistemit të...
-
Ilir Hasanaj, një regjisor filmi në relacionin Zvicër – Kosovë
-
Gerlafingen (SO): Vetëvritet kosovari pasi ka plagosur rëndë një grua
-
Pas sulmit në Mannheim: Reagon Konsullata e Kosovës në Shtutgart
-
Kosovari Nikola Tunici fiton ulëse në Parlamentin e Hamburgut
Jeta në Zvicër
-
“Jo ndalimit të zonave 30 km/orë në brendësi të qytetit” Shoqata për Trafikun dhe Mjedisin ka nisur një peticion “në mënyrë që Këshilli Federal të mos...
-
34,000 nënshkrime për t’i kërkuar Zvicrës të largohet nga OBSH
-
Ka ndihmuar nxënësit të “kopjojnë”: I hiqet leja e punës instruktorit të autoshkollës
-
Nxitje për më shumë banesa në pronësi të shtetit në Gjenevë
-
Zvicër: Rreth 14 miliardë franga për bujqësinë