Lajme

Francë: Veshja islame në shkolla, ‘sulm politik’

Veshja e fustaneve abaja nga disa vajza myslimane në shkollat franceze është “sulm politik”, tha të hënën zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, derisa e shpjegoi ndalimin e kësaj veshjeje.

Ministri i Arsimit i Francës, Gabriel Attal, tha të dielën se fustanet e gjata e të lirshme, me origjinë nga Lindja e Mesme, nuk do të lejohen më në shkolla nga viti i ri shkollor që nis javën e ardhshme, sepse e shkelin ligjin laik.

Abaja është një fustan që mbulon tërë trupin, përveç kokës, dhe kombinohet me një hixhab apo mbulesë tjetër e kokës nga gratë myslimane në vende e botës myslimane, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Veran tha se abaja “është qartazi” veshje fetare dhe “sulm politik, shenjë politike”, të cilën ai e cilëson si përpjekje për konvertim në islam.

Attal tha të hënën se Qeveria e ka bërë të qartë se abaja “nuk e ka vendim në shkolla”.

“Shkollat tona po sprovohen. Muajt e fundit, shkelja e rregullave laike është rritur dukshëm, posaçërisht për veshjen e rrobave fetare, siç është abaja apo qamisi, të cilat janë parë – dhe kanë mbetur – në disa institucione”, tha Attal.

Vendimi i Attalit për ta ndaluar abajasin ka nxitur debat të ri për rregullat laike të Francës, dhe nëse ato po përdoren për ta diskriminuar pakicën e madhe myslimane të vendit.

Një ligj në mars të vitit 2004 e ndaloi “veshjen e shenjave apo rrogave në shkollë, përmes të cilave studentët tregojnë se i përkasin një feje”./rel