Lajme

Në Dibër tubohen më shumë se 500 artistë shqiptarë

Artistët shqiptarë nga të gjitha trevat të përfaqësuar në 19 grupe konkurrojnë në tri netët e festivalit, një prej të cilave u zhvillua në Dibër të Madhe

Në Dibrën e Madhe ka nisur festivali i 22-të i Odës së Dibrane. Në natën e parë performuan shtatë grupe dhe festivali do të zgjasë tri ditë, shkruan albinfo.ch.

Artistët shqiptarë nga të gjitha trevat të përfaqësuar në 19  grupe konkurrojnë në tri netët e festivalit, një prej të cilave u zhvillua në Dibër të Madhe. Dy të tjerat vijojnë në Bashkinë e Dibrës në Shqipëri.

Dy kryetarët, ai i Komunës Dibër e Madhe, Rruzhdi Lata dhe ai i Bashkisë Dibër, Muharem Rama u uruan mirëseardhjen artistëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Ky festival, ndër më jetëgjatët e llojit të tij, është në edicionin e 22-të.  “E veçanta është që për të tretin vit organizohet edhe në Dibër të Madhe, që do të thotë se ne ende mendojmë njësoj”, thotë Veli Vraniçi, drejtori i Festivalit Oda Dibrane.

Oda Dibrane në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare, ku bëheshin kuvende, ceremoni në raste gëzimesh e fatkeqësish, ku shpalosej mençuria dhe urtësia e këtij populli. Oda ka shërbyer ndërkohë edhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku festohej e gëzohej, ku kumbonte kënga apo niste gjëma, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdoreshin fjalë të urta dhe dialogu alegorik.

Në këtë “Odë”, fjala kishte peshë shumë të rëndë. Jo më kot thuhej se: kur të shkosh në “Odën e Dibrës” duhet të marrësh me vete ‘një metër, një kandar dhe një thikë me dy presa’.