Turizëm
Në Bernë “i hiqet velli” Shqipërisë së bukur
Për të promovuar numrin special të revistës albinfo.ch mbi turizmin në Shqipëri, Ambasada e Shqipërisë në Bernë dhe platforma albinfo.ch, në bashkëpunim me Balkans.ch – Tourism Destination, si dhe me Balfin Group, organizuan në Bernë një eveniment special kushtuar turizmit shqiptar
E quajtur shpesh herë si thesari i pazbuluar i Evropës, apo edhe me shumë epitete të tjera, Shqipëria, dalëngadalë po shfaqet para botës me të gjitha bukuritë që e karakterizojnë.
Padyshim, meritorët për (ri)zbulimin e saj, janë të shumtë, në radhë të parë turistët që duan të përjetojnë diçka të re, por edhe fushatat e shumta që bëhen kohëve të fundit për promovimin e turizmit në Shqipëri.
„Shqipëria përtej bregdetit“, ishte numri i parafundit i revistës albinfo.ch, ku shkruhej gjerë e gjatë, me një laramani temash, për turizmin në Shqipëri, në veçanti turizmin malor, kulturor e kulinarik. Për të promovuar më mirë këtë numër special të revistës, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë dhe platforma albinfo.ch, në bashkëpunim me Balkans.ch – Tourism Destination, si dhe me Balfin Group, organizuan një eveniment special kushtuar turizmit shqiptar, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm të ftuarish
“Kemi pasur 6 milionë turistë këtë vit në Shqipëri, dyfishin e atyre që kishim para dy vitesh, ndërsa numri i turistëve zviceranë, është trefishuar” theksoi para të pranishmëve ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ilir Gjoni. Ai ndër të tjera theksoi edhe potencialin e madh që ka Shqipëria në fushën e turizmit. Ndërsa, theksoi ai, duke u bazuar në përvojën e madhe të saj në këtë lëm, Zvicra do të mund të ishte një partner i rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori në rritje të ekonomisë shqiptare. Duke përmendur po ashtu edhe qasjen e lehtë për të udhëtuar për Shqipëri, falë pozitës gjeografike, si dhe legjislacionin e favorshëm për investime të huaja, z. Gjoni, vuri theksin edhe në atë për të cilën janë shquar shqiptarët ndër shekuj – mikpritjen për të huajt.
Albinfo.ch me “Shqipëria përtej bregdetit” promovon turizmin shqiptar
Nikoqir i kësaj mbrëmje ishte drejtori i albinfo.ch, dr. Bashkim Iseni, i cili pos moderimit, ka dhënë detaje të ndryshme rreth turizmit në Shqipëri dhe projektit të albinfo.ch, magazina speciale: “Shqipëria përtej bregdetit”.
Ky numër special i Albinfo.ch, i realizuar me mbështetjen e Helvetas, përmes projektit të tij “Risi Albania”, i kushtohet publikut dashamirës ndaj natyrës dhe kulturës, duke i sjellë pranë syve destinacione të ndryshme të mundshme dhe oferta profesionale të turizmit që janë futur gradualisht në Shqipëri dhe që shkojnë përtej ofertave të turizmit bregdetar. Kjo përpjekje gazetareske është në qendër të misionit të platformës Albinfo.ch, e cila synon të ofrojë shërbime dhe informacione për zhvillimin harmonik të vendeve të origjinës së diasporës shqiptare.
“Ky projekt special i magazinës synon të promovojë turizmin e qëndrueshëm malor, agrar, kulturor dhe atë të aventurës, si një nxitës i zhvillimit ekonomik të vendit”, tha veç tjerash Bashkim Iseni.
Fillet e turizmit në Shqipëri datojnë prej 200 vitesh
I ftuari tjetër që mori fjalën ishte Lars Haefner kryetar i Shoqatës së Miqësisë Zvicër-Shqipëri. Ai i ktheu të pranishmit në një kohë më të hershme, kur edhe filloi të flitet për turizmin në Shqipëri. Haefner e ilustroi këtë fakt me poetin e shquar anglez Lordin Bajron, i cili si një aventurier që ishte, kishte vizituar Shqipërinë qysh para 200 vitesh, me ç’rast kishte përshkruar edhe udhëtimet e tij, vizitat në vende të ndryshme si dhe takimet që kishte pasur ne atë kohë me banorët e vendit.
Duke bërë pastaj disa elaborime për turizmin në Shqipëri ndër vite, ai dha shembuj të shumtë të përpjekjeve për zhvillimin e turizmin që nga koha pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, koha e mbretit Zog, ca nisma për investime në turizëm gjatë pushtimit italian në vitin 1939 e deri tek reduktimi po thuajse në zero i turistëve gjatë izolimit të Shqipërisë nga diktatura komuniste.
“Green Coast Resort” do të vendosë Shqipërinë në hartën e turizmit botëror
E për të treguar se si mund të duket një projekt i suksesshëm i investimeve në turizëm, Miri Troka nga Green Coast, dha një shembull konkret. “Green Coast Resort” është një mega projekt i cili mëton që rajonin e Palasasë në Shqipëri (gjendet mes Vlorës dhe Sarandës) ta vërë në hartën turistike botërore. Ky projekt është një investim i grupit më të madh investues në Shqipëri “Balfin Group”. Projekti pritet që të sjellë një standard të ri në turizmin shqiptar, ku nuk mungon përkushtimi dhe shërbimet e specializuara. Për të gjithë ata që duan të bëjnë një investim në tregun e pronave në Shqipëri, Green Coast Resort, ofron një mundësi shumë të mirë, tha veç tjerash Troka.
Edhe pse me profesion është gazetare, në gazetën prestigjioze zvicerane Tages Anzeiger, Aleksandra Hiltmann, në këtë mbrëmje ishte zhveshur nga petku gazetaresk. Ajo para të pranishmëve foli më shumë në rolin e një mikeje të shqiptarëve si dhe një turiste që ka përvojat e saj me udhëtimet në Shqipëri dhe në Kosovë.
Hiltman, në radhë të parë theksoi se shpesh herë krijohen keqkuptime për njerëzit nga kjo pjesë e Ballkanit. Sipas saj duhet pasur më shumë mirëkuptim për ta, duke pasur parasysh të kaluarën e tyre nën diktaturën komuniste.
“Në Zvicër jetojnë mbi 250 mijë shqiptarë, e nëse secili nga ta, t`i rekomandojë apo t`i ftojë miqtë e vet të huaj që të vizitojnë apo të kalojnë pushimin e tyre në Shqipëri, kjo ndihmon shumë në thyerjen e paragjykimeve si dhe në rritjen dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri” tha ndër të tjera Hiltmann. Ajo dha edhe shumë shembuj se çfarë mund të vizitohet në Shqipëri, apo edhe për të studiuar fenomene të ndryshme që ndodhin atje, siç është edhe korrupsioni, ku si shembull mrri autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, e cila sipas saj ka kushtuar me dyfishin e çmimit normal etj.
Kush e viziton Shqipërinë dëshiron të kthehet sërish
Si përfaqësuese e projektit Balkans.ch dhe njëra ndër organizatoret e këtij eventi, Aina Hoti, shpalosi për të ftuarit ofertat që ata dhe të tjerët mund të përfitojnë nga kjo agjenci, sa i përket turizmit në Shqipëri apo edhe kudo tjetër në botë.
“Ja vlen me të vërtetë të zbulohet brendia e këtij vendi të kontinentit të vjetër, i cili është i stolisur me plot perla të bukura natyrore dhe aventureske, dhe ku ofrohen shërbime me çmime të volitshme, dhe madje duke përmbushur standardet cilësore gjithnjë e më të kërkuara në Evropë. Secili person që ka shkuar në trojet shqiptare dëshiron të kthehet sërish, sepse ata janë pasuruar shumë nga aspekti njerëzor dhe emocional: në Shqipëri takimet njerëzore të paharruara realizohen lehtë”.
Megjithatë, duhet të thuhet se, Shqipëria është një vend i sigurt, madje më i sigurt se disa vende perëndimore. Për më tepër, i huaji ka një kuptim të veçantë në traditën shqiptare. Respekti, vëmendja dhe mikpritja për një të panjohur janë vlerat kryesore të vendit. Në këtë temë, një thënie e vjetër shqiptare kujton me forcë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!
Foto: Leonora Elshani-Murati
E-Diaspora
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 22 dhjetor...
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
Jeta në Zvicër
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit Në një vlerësim të publikuar të hënën, Fondi Zviceran i Sigurimit të Aksidenteve (Suva) thekson se...
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane
-
Parfumi REMIX: Një inovacion zviceran me investitorë shqiptarë
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve