Lajme

Në 9 vjetorin e miratimit, Kushtetuta e Kosovës sfidohet nga serbët

Kushtetuta e Kosovës vazhdon të sfidohet nga një pjesë e vendit që administrohet nga serbët. Kjo është e theksuar kryesisht në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut, ku Serbia ka ndikim  

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shënuar sonte në një ceremoni të veçantë, 9-vjetorin e  miratimit tё Kushtetutës sё Republikës sё Kosovës, e cila po vazhdon të sfidohet nga një pjesë e vendit, që administrohet nga serbët lokalë. Edhe pse kjo nuk u potencua në ceremoninë e organizuan nga Ministra e Drejtësisë, Kushtetuta e vendit konsiderohet më demokratikja që garanton liri dhe barazi për të gjithë qytetarët.

Në fjalën e tij, presidenti Hashim Thaçi tha se Dita e Kushtetutës është një datë historike për Republikën e Kosovës dhe se hartimit dhe miratimit të Kushtetutës.

“Para nëntë vjetësh, ne, populli i Kosovës, miratuam Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku vendosëm për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Aty shprehëm përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se koncepti dhe emri kushtetutë, është i lidhur aq shumë me përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është identiteti i shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Është dokument themelor i vizionit tonë euro-atlantik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ngërthen në vete disa parime prej të cilave ne asnjëherë nuk do të heqim dorë, në rend të parë sovraniteti i popullit. Kjo do të thotë se askush nuk mund të pretendojë të qeverisë në këtë vend pa legjitimitetin e konfirmuar nga vetë qytetarët tanë”, tha kryeparlamentari.

Ndërkaq kryeministri i Kosovë, Isa Mustafa tha se me Kushtetutën e Kosovës janë arritur të zhvillohen të gjithë sektorët, duke përfshirë zhvillimin ekonomik në Kosovë, i cili sipas tij është më i larti në rajon.

“Nëntë vite më pas sot ne mund të konstatojmë me bindje të plotë, se Kushtetuta e Kosovës ka qenë dhe mbetet bazë e fortë dhe e dëshmuar për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe shtetndërtimit në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës, mbetet një busullë juridike dhe politike e rrugëtimit tonë drejt vlerave perëndimore, drejt integrimeve evropiane dhe lirive universale”, tha ai.

Në ceremoninë foli edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, e cila tha se hartuesit e Kushtetutës së Kosovës në kohën e draftimit të saj, kishin një mision mjaft sfidues, për shkak se aty duhet të adresoheshin dhe luftoheshin dallimet dhe pabarazitë e padrejtësitë e shoqërisë kosovare, të instaluara me dekada.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se miratimi i Kushtetutës, përveç që vuri themelet e shtetit tonë, si akti më i lartë juridik, po ashtu vuri themelet e vlerave dhe parimeve demokratike, të cilat populli ynë i përqafoi.

Kurse themeluesi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Komisioni Kushtetues me vullnet, përkushtim e guxim dhe me dije, ka ndërtuar një kushtetutë që garanton Kosovën si një shtet që funksionon në bazën e pushteteve të ndara.

Ai tha se ADN-ja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk do të ndryshohet asnjëherë, sepse bazohet në një shtet demokratik, në rend dhe ligj, në pavarësinë e gjyqësorit, në ekonominë e lirë të tregut, në të drejtat e njeriut, dhe disa të drejta tjera, që kulmojnë, sipas standardeve ndërkombëtare.

Por, pavarësisht këtyre frazave që i potencuan liderët institucionalë, kushtetuta e Kosovës vazhdon të sfidohet nga një pjesë e vendit që administrohet nga serbët. Kjo është e theksuar kryesisht në katër komunat e veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut, ku serbët nën direktivat e Beogradit, e sfidojnë këtë kushtetutë, duke punuar sipas ligjeve serbe.