Lajme

Në 2017-tën, rezultatet e regjistrimit të diasporës

Rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës dhe mërgatës kosovare pritet të dalin në fillim të vitit 2017, ka deklaruar ministri Murati

 

Rezultatet e regjistrimit të diasporës dhe të mërgatës kosovare nuk do tëmund të publikohen para vitit 2017. Kështu ka deklaruar ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili  procesin e deritanishëm të regjistrimit e ka vlerësuar të suksesesh, sipas dinamikës së parashikuar nga institucionet në Prishtinë.

“Regjistrimi aktiv përfundon në dhjetor të vitit 2016, ndërsa ai pasiv zgjat edhe për një vit. Kurse rezultatet e para preliminare pritet të dalin në fillim të vitit 2017”, ka deklaruar Murati për “epokën e re”.

Ai po ashtu ka thënë se Ministria e Diasporës është në rrugë të mbarë për krijimin e një klime të shëndoshë partneriteti midis institucioneve të vendit dhe bizneseve të diasporës shqiptare. Bizneset nga diaspora, siç tha ai, kanë vullnet dhe dëshirë për të investuar në Kosovë, mirëpo problem po del të jetë mungesa e sigurisë së investimeve.

“Mbetët në ne, në institucionet e Kosovës si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, që të punojmë bashkërisht për të krijuar një ambient sa më të favorshëm për investim”, është shprehur Murati.