Zhvillim

Ndihmat helvetike kthejnë jetën në shkollën e Sllovisë

Ata që ia kthyen buzëqeshjen shkollës në Sllovi, ishin ambasadorët e vegjël të Shkollës së Martigny, të cilët e kursyen energjinë elektrike, shitën libra e torta dhe paratë i dërguan në Kosovë

Nuk ka njeri në fshatin Sllovi të komunës së Lipjanit që nuk ka dëgjuar për Shkollën Fillore të komunës Martigny të kantonit Valis të Zvicrës. Kjo shkollë për ta është bërë shumë e afërt, sepse mësimdhënësit dhe nxënësit e saj sakrifikuan  që bashkëmoshatarët e tyre në Sllovi të mësojnë në kushte shumë më të mira.

Aksioni i filluar një vit më parë, tashmë është shumë afër finalizimit, duke i dhënë jetë një shkolle të shkatërruar nga lufta. Me dritare të reja, karrige e tavolina të mira, objekte sportive e gjësende të tjera shkollore, shkolla fillore e fshatit Sllovi po merr jetë.

Ata që ia kthyen krenarinë dhe buzëqeshjen një objekti të dijes, ishin ambasadorët e vegjël të Shkollës së Martyni, rreth 1000 nxënës që kanë kursyer energjinë elektrike dhe kanë shitur librat dhe tortat e tyre, për t’i ndihmuar nxënësit në Kosovë.

Të premten në mesditë, drejtori i shkollës së Martigny, Raphaell Darbellay, mësuesi dhe kreatori i ndihmave, Andre Rappaz dhe ideatori i këtij misioni humanitar, bashkatdhetari Fetih Gërbeshi, kanë marrë pjesë në inaugurimin “inoficiel” të shkollës së meremetuar.

 Vetëm dritaret e shkollës kushtuan 25 mijë €

Dritaret dhe disa çështje të tjera ishin ndihmë e drejtpërdrejt e komunës Matyigny, ndërsa pjesën tjetër të investimeve të shkollës e ka bërë komuna e Lipjanit.

Investimi zviceran, pa i llogaritur ndihmat shkollore si bankat, ulëset, lapsat, fletoret, numëratorët, dërrasat e zeza, veshmbathjet, lodrat për fëmijë, veshjet sportive, etj, ka qenë 25 mijë euro vetëm për dritaret e shkollës.

“Është një iniciativë e jashtëzakonshme e bashkatdhetarëve tanë të cilët bashke me qytetarët zviceranë kanë ndihmuar rinovimin e shkollës në Sllovi, prandaj bashkë me investimin e Komunës së Lipjanit, shkolla do të jetë gati shumë shpejt për nxënës”, deklaroi kryetari i komunës, Shukri Buja.

Sipas kryetarit të komunës, javën tjetër shkolla do të jetë gati. Ai tha se i ka premtuar drejtorit e shkollës në Martigny, se vitin tjetër do të investohet edhe në vendosjen e ngrohjeve në shkollë.

“Nuk është kosto e lartë, do të jenë nxehëse me dru”, tha Buja.

 Vendasit e juaj na nxitën t’u ndihmojmë

Ndërsa drejtori i shkollës zvicerane, Raphaell Darbellay u shpreh i nderuar që mori pjesë në inaugurimin jo zyrtar të shkollës, pasi që, siç tha, më vonë kur shkolla të jetë gati, ata nuk do të kenë mundësi të jenë në Kosovë.

“Nuk kemi bërë në asgjë. Është meritë e mërgimtarëve tuaj dhe jo e jona” deklaroi me modesti Darbellay, i cili gjithashtu ishte kujdesur, për të paguar edhe koktejin që u shtrua në shkollë. Ky gjest i befasoi të gjithë arsimtarët dhe të pranishmit në inaugurim.  

“E kemi bërë këtë punë të vogël, sepse si me nxënësit e juaj në shkollë si me komunitetin tuaj në Zvicër, kemi marrëdhënie shumë të mira dhe në një formë ata na kanë obliguar dhe na kanë shtyrë që ta marrin këtë aksion”, tha më tej Darbellay, i cili për të katërtën herë e viziton Kosovën.

I pyetur nga “albinfo.ch” se si e përshkruan Kosovën pas disa vizitash, ai tha se është shumë i impresionuar.

 “Me thënë sinqerisht, herën e parë kam dëgjuar shumë fjalë të ndryshme për realitetin këtu. Ndërsa gjatë katër herëve që kamë ardhur, kam kaluar shumë mirë. Me përshëndetjet e njerëzve, me nderimet dhe sjelljet e tyre, jam shumë i kënaqur. Kosova m’i ka kthyer ndjenjat për të mirë”, deklaroi ai.

Drejtori i Shkollës Fillore në Martigny tha se me kosovarët në Zvicër ka pas marrëdhënie shumë të mire, por edhe kosovarët në Kosovë, siç tha ai, ia kanë mbushur të njëjtin premtim.

Darbellay po ashtu tha se nga shkolla e Sllovisë, ka marrë edhe disa mesazhe që ua ka transmetuar nxënësve në Martigny, se si mësohet në Kosovë. “Është edhe një formë tjetër për nxënësit e Zvicrës për t’iu dhënë atyre mësim se si mësohet edhe në Kosovë në kushte më të vështira”, tha ai.

Edhe promotori i ndihmave për Kosovë, Andre Rappaz u shpreh shumë i respektuar dhe i nderuar që ka pasur mundësi të jetë në inaugurimin e shkollës që e ndihmoi. 

”Kur ma ka dhënë drejtori këtë përgjegjësi, nuk ka qenë lehtë, por me mbështetjen e drejtorit dhe të nxënësve jam detyruar ta çoj deri në fund këtë aksion”, deklaroi ai.

Ndërsa atë të cilin të gjithë e njohin dhe e nderojnë në Sllovi dhe në Lipjanit, është bashkatdhetari Fetih Gërbeshi, i cili fëmijërinë e tij e kishte kaluar në këtë fshat. Duke e njohur secilën “therë” të fshatit, Gërbeshi i emocionoi mësimdhënësit dhe stafin e shkollës në Martyni, ku punon si mirëmbajtës i shkollës, që ta ndihmojnë shtetin e tij. 

Ai tha për “albinfo.ch” se aksioni për të ndihmuar Kosovën ka filluar 12 vjet më parë, duke dërguar ndihma në komunën e Skenderajt, Malishevës, Lipjanit etj.

 Helvetikët nxitën institucionale lokale

“Ndërsa këtë shkollë e kemi ndihmuar përafërsisht me mbi 50 mijë ero ndihma. Ndërsa vetëm dritaret kanë kushtuar mbi 25 mijë euro”, tha Gërbeshi, sipas të cilit, kjo ndihmë është nxënësve dhe prindërve të zviceran, për të cilët ai gjithmonë është falënderues.

Ndërsa, mirënjohje për komunitetin helvetik dërgon edhe kryetari i fshatit Sllovi, Ukë Raça. Ai tha se kjo ndihmë sado që mund të jetë e vogël në vlerë, e ka domethënien e madhe, sepse e ka shtyrë në lëvizje edhe komunën e Lipjanit që të bashkëinvestojë.

“Është ndihmë shumë kapitale për ne. E rrit kualitetin e mësimit dhe krijon kushte më të mira edhe me nxënës  edhe për mësimdhënës. Kjo ndihmë i ka shtyrë institucionet lokale që të lëvizin. I ka shtyrë proceset”, deklaroi ai.

Drejtuesit e shkollës në Martigny e përmbushën misionin që kishin marrë, për ta konsoliduar shkollën e një fshati në Kosovë, ndërsa u ka mbetur nxënësve kosovarë që ta nxënë dijen dhe mësimdhënëse që ta rrisin cilësinë në arsim.