CH-Ballkani
Ndeshja Shqipëri-Serbi, më shumë se lojë futbolli
Një ndeshje futbolli që do të luhet të enjten mbrëma në Elbasan, ka mobilizuar një shtet të tërë, ndërsa dy shtete të tjera po i mbanë nën ethe. Për mbarëvajtjen e lojës së shumëpritur ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, Qeveria në Tiranë ka angazhuar më shumë se 2300 policë, përfshirë njësitet më elitare të ndërhyrjes së shpejt (RENEA), ndërsa UEFA ka zgjedhur arbitrin më mirë në Evropë, italianin Nicola Rizzoli për ta ndarë këtë ndeshje.
Përveç Shqipërisë që është nikoqire dhe që ka barrën më të rëndë të organizmit të lojës, por edhe fitores që i garanton Evropianin në Futboll “Franca 2016”, dy shtetet tjera vazhdojnë të rrinë nën “ethe”: Serbia që i ka dërguar tashmë lojtarët në Tiranë dhe pret fitore emocionale, dhe Kosova që ka më shumë se gjysmën e lojtarëve që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë.
Ka disa javë, që kjo ndeshje është përfolur nga dy taborët, Beograd dhe Tiranë. Disa futbollist e politikanë në Serbi, madje nuk kanë hezituar ta quajnë këtë “luftë ndërmjet popujve”. Po ashtu disa lojtarë serbë kanë thënë se “po shkojmë në Shqipëria për t’ia shuar ëndrrën shqiptarëve”.
Në anën tjetër lidershipi në Shqipëri, por edhe grupi më i madh i tifozëve “Tifozët Kuq e Zi”, u kanë bërë thirrje të gjithëve shikuesve, por edhe qytetarëve, që t’i shmangen provokimeve të mundshme, dhe nesër në “Elbasan Arena” të mbizotëroj fryma e respektit dhe tolerancës.
Madje vetë kryeministri Eedi Rama ka shfaqur një video në statusin e tij facebook bashkë më trajnerin Giani De Biazi dhe lojtarët e Kombëtares. “Për Kombëtaren Kuqezi në rrugën drejt Evropianit dhe për imazhin e një Shqipërie Evropiane në shkallët e stadiumit”, ka thënë kryeministri Rama, duke bërë apel bashkë me lojtarët, Cana, Cikaleshi, Gashi, Salihi, që ndeshja dhe zemra të jetë “Kuq e Zi” dhe me qetësi.
Elbasani i “blindur” nga forcat e rendit
Prej orës 08:00 të mëngjesit të ditës së mërkurës Policia shqiptare ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, duke përdorur edhe helikopterët. Janë mbi 2 300 forca policie të angazhuara kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion, ka thënë Ministri i rendit, Saimir Tahiri.
Sipas tij, gjithë struktura e policisë, përfshirë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt, RENEA dhe Njësia Antiterror është angazhuar në gjendje gatishmërie, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në Shqipëri.
“Janë marrë masat për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit, por edhe ekipit mik nga Serbia. E rëndësishme është ajo që zhvillohet jashtë stadiumit, më shumë sesa brenda tij, sepse duhet të japim një shembull gjatë kësaj ndeshjeje futbolli: të përpiqemi të gjithë bashkë për të mbrojtur vlerat tona qytetare”, tha ai.
Serbët presin ndeshje “fair play”
Futbollistët e kombëtares serbe e vlerësojnë punën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të përgatitur ndeshjen me Shqipërinë. Ata thonë se janë në Tiranë për të luajtur futboll dhe do të mundohen të jenë të përgatitur që nga minutat e para. Në një konferencë për shtyp, ata thanë se do të jenë të qetë.
“Ne duhet të luajmë me kokë dhe mendoj se po shkojmë të luajmë një ndeshje atje, jo për luftë. Ne duhet të përqendrohemi te ndeshja. Ka pak më shumë tensione për shkak të gjërave të tjera të ndodhura, por ne duhet ta shohim si ndeshje futbolli”, tha Luka Milivojeviç, lojtar i kombëtares së Serbisë.
Stefan Mitroviç, lojtari që hoqi flamurin nga droni në takimin e Beogradit, thotë se, në ekipet që ka luajtur ka pasur miq shqiptarë dhe beson se kjo do të tregohet edhe në fushë. “Me të gjithë bashkëlojtarët që kanë qenë nga Shqipëria, kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem. Kështu do jetë edhe tani”, tha Mitroviç, sulmues i Liverpoolit.
Ata thonë se presin një ndeshje “fair play” në fushë, ashtu sikurse dhe nga gjyqtarët që të gjykojnë drejtë, pasi një pjesë e futbollistëve serbë flasin edhe italisht.
Ndërsa portieri i ekipit kombëtares serbe Vladimir Stojkoviç në një intervistë për gazetën serbe “Alo”, thotë se futbollistët serbë janë përgatitur për luftë dhe përleshje në Elbasan.
“Ekipi është gati për luftë dhe përleshje në “Elbasan Arena”, sepse vendasit janë të vetëdijshëm për të metat e lojtarëve të tyre dhe do të përpiqen me çdo mënyrë jofutbollistike të marrin tre pikët. Ata do të përpiqen të na mundin prapë me dhunë, sepse janë të vetëdijshëm se në terren nuk mund të na mundin. Ata luftojnë, kanë patriotizëm të shfaqur, por ne duhet t`ju përgjigjemi në mënyrë të ngjashme”, ka thënë Stojkoviç.
De Biasi: Jemi të përgatitur, presim fitore
Trajneri i Kombëtares shqiptare është italiani, Giani De Biasi, i cili është më meritori që Shqipëria është në vendin e tretë në grup, dhe e ka të sigurt lojën e barazhit, edhe nëse humbë dy ndeshjet e ardhshme. Por, nëse fiton ndeshjen e nesërme dhe humbë Danimarka ndaj Portugalisë, atëherë Shqipëria e fiton drejtpërdrejt kualifikimin për Franca 2016.
Italiani që ka edhe nënshtetësi të Shqipërisë të enjten pret fitore.
“Tensioni është njëlloj si në ndeshjet e tjera. Kjo është një ndeshje e lehtë për t’u përgatitur sepse lojtarët e kanë mendjen të gjithë aty. I kemi gjithë lojtaret në dispozicion s’kemi asnjë problem. S’kam asnjë dyshim për formacionin. Ne shpresojmë që të fitojmë dhe për këtë rezultat do jemi në fushën e lojës se kjo është ndeshja e të vërtetës”, tha De Biasi.
Ai thotë se është i vetëdijshëm për kundërshtarin-Serbinë e cila ka lojtarë të mirë që luajnë nëpër ekipet më të mira të Evropës.
Kosova veshët “Kuq e zi”
Megjithatë përkundër paralajmërimeve, në Elbasan nuk do të shkoj kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Duket se kryeministrin serb e ka penguar më shumë shkuarja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në stadiumin e Elbasanit.
Në Kosovë, ndërkaq flamujt kuqezi janë vendosur gjithandej shesheve, shitoreve e lokaleve. Entuziazmi i qytetarëve për këtë ndeshje është më i madh se kurrë. Ndërsa si rëndomtë, në të gjitha sheshet e qyteteve, Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Ferizaj, pritet të mbushen plot me tifozë të kombëtares që do ta ndjekin ndeshjen në ekrane të mëdha.
Në anën tjetër, edhe kompanitë ndërkombëtare të basteve këtë ndeshje e kanë cilësuar “derbi evropian”. Fitores eventuale të Shqipërisë i kanë vënë kuotë prej 2.88. Koeficient të njëjtë ka edhe fitorja eventuale e serbëve, kurse kuota për barazim është 3.00.
Ndryshe, kjo ndeshje vjen pas asaj që u luajt në Beograd me 14 tetor të vitit të kaluar, e cila përfundoi në minutën 42, pas hyrjes në fushë të simpatizantëve serb. Loja mori kahen e gabuar pas dronit që u lëshua me hartën e Shqipërisë etnike, dhe pamundësisë së shtetit serbe për të organizuar mbarëvajtjen e ndeshjes. Serbia u gjykua nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e cila i dha Shqipërisë 3 pikë në tavolinë me rezultat 3:0.
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve