Ndërtuesit e Zvicrës
Ndërtuesit e Zvicrës
Ky numër tematik i Albinfo.ch ju sjell disa analiza, vështrime, portrete si dhe do të vërë në relief laramaninë e firmave të vogla, të mesme dhe të mëdha të diasporës shqiptare që po e ndërtojnë Zvicrën dhe që janë duke ndikuar kështu në ngritjen e tyre si aktorë ekonomikë të respektueshëm në këtë vend
Ditët e para kur pata mbërritur në Zvicër, derisa me disa të njohur ecnim pranë një kantieri të madh njëri nga ta më tha: “Dëgjo, kur të përshëndes në shqip, patjetër dua të marr përgjigje në shqip”.
Ashtu edhe ndodhi. Plot persona na e kthyen zëshëm e me zell përshëndetjen në gjuhën tonë.
Ndërtimtaria ka qenë dhe mbetet një ndër sektorët kryesorë të punësimit të mërgatës shqiptare – edhe të asaj të Ballkanit – në vendet perëndimore. Me të ardhur në Zvicër, një numër i konsiderueshëm i bashkëkombësve kërkonte punë në kantieret e Zvicrës, sepse, në mungesë të kualifikimeve, aty edhe kishin më së shumti gjasa, si krah pune, të stabilizoheshin. Shumica e gjeneratës së parë kanë mbetur aty dhe e kanë zhvilluar atë sektor.
Fusha e ndërtimtarisë është shumë e ndjeshme nga konjunktura ekonomike. Duke e pasur parasysh faktin se ekonomia e Zvicrës dhe ajo e Gjermanisë është në rritje me vite, ky sektor vetëm sa është zhvilluar me hov. Paralelisht, një pjesë e të punësuarve gradualisht e kanë ndërruar statusin nga punëtorë, në punëdhënës të vegjël dhe të mesëm. Kjo edhe ka ndikuar në shtrirjen e gjerë të shqiptarëve në këtë aktivitet ekonomik.
Disa nga ata, siç janë vëllezërit Orllati, vëllezërit Viça, Lika, etj., janë punëdhënës të mëdhenj dhe me peshë në rajonet ku ata veprojnë. Sot, numërohen me qindra ndërmarrje të vogla, të mesme dhe të mëdha në Zvicër, në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane, ku themeluesit apo pronarët janë me prejardhje shqiptare. Edhe pse dihet se disa firma të vogla apo të mesme shqiptare nuk i respektojnë konventat kolektive dhe të drejtat e punëtorëve, suksesi i ndërmarrjeve ndërtuese shqiptare ndërlidhet me nisma vëllazërore e familjare, ku mbretëron solidariteti, sakrifica reciproke dhe besimi i plotë. Ky motivim i madh i tyre dhe fleksibiliteti që e dëshmojnë, ka bërë që të shpërthejnë me sukses në tregun perëndimor. Nuk është e rrallë të vëresh në reklamat e ndërtuesve shqiptarë të diasporës mbishkrimin: “Në shërbimin tuaj 7 ditë në javë, 24 orë në ditë”.
Falë rritjes dhe zgjerimit të tyre, disa nga këto ndërmarrje janë të përfshira në projekte të ndërtimtarisë, ku kërkohen edhe kompetenca dhe shkathtësi të larta teknike dhe inxhinierike, duke u nisur nga fakti se në vendet si Zvicra aplikohen kritere dhe norma të larta sa i përket cilësisë së ndërtimit. Këto aftësi dhe përvoja të fituara nga ndërtuesit e diasporës do t’u shërbenin po ashtu edhe vendlindjeve, të cilat janë në (ri) ndërtimin e sipër.
Do të ishte shumë logjike që firmave të mëdha të ndërtimtarisë shqiptaro-zvicerane t’u hapen rrugë për të marrë pjesë në tenderët e mëdhenj infrastrukturorë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe gjetiu, duke i pasur parasysh kapacitetet që ata i posedojnë. Në vend që t’i pasurojmë firmat e huaja, të cilat e bartin drejt vendeve të tyre kapitalin e fituar në punishtet shqiptare, do të ishte shumë më racionale që ndërmarrjet e mëdha të pjesëtarëve të diasporës të përfshihen në ndërtimin e vendlindjes, sepse atë punë do ta bënin me më shumë cilësi, do ta bartinin përvojën e tyre dhe do t’i zgjeronin atje aktivitet e tyre afatmesme dhe afatgjata. Edhe pse kjo ide mund të duket naive, ngase dihen rregullat jo gjithmonë transparente të tenderimeve infrastrukturore në vendet tona të prejardhjes, ndërtuesit shqiptarë të diasporës duhet të lidhen më mirë mes vete që të lobojnë që edhe atyre t’u hapen rrugë në atë treg.
Ky numër tematik i Albinfo.ch ju sjell disa analiza, vështrime, portrete si dhe do të vërë në relief laramaninë e firmave të vogla, të mesme dhe të mëdha të diasporës shqiptare që po e ndërtojnë Zvicrën dhe që janë duke ndikuar kështu në ngritjen e tyre si aktorë ekonomikë të respektueshëm në këtë vend.
Lexim të këndshëm!
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra