Lajme

Ndërron jetë në moshën 82- vjeçare, Sabri Godo

Politikani, skenaristi dhe shkrimtari Sabri Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura

Ndërron jetë në moshën 82- vjeçare themeluesi i Partisë Republikane në Shqipëri, Sabri Godo. Prej disa ditësh Godo vuante nga një sëmundje në mushkëri.

Themeluesi i Partisë Republikane ishte shtruar pak ditë më parë me urgjencë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Pas trajtimit në terapi intensive ai ka marre mjekime në pavion, ndërsa vetëm pak ditë më parë ka lënë spitalin.

Nga sa kanë bërë me dije familjarët, ai ishte diagnostikuar në Itali dhe për disa muaj ka kryer atje terapitë e nevojshme.

Sabri Godo, ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila, në fakt, ishte serioze.

Politikani, skenaristi dhe shkrimtari Sabri Godo ka mbajtur postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991. Godo e ka drejtuar PR-në për 7 vjet. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.