Kosova

Ndërron jetë Konsulli i Kosovës në Mal të Zi

Konsulli i Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli përmes një shkrimi në Facebook, për të cilin tha se do të mbahet në mend për kontributin diplomatik.

“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh mësova lajmin e keq për vdekjen e tashmë të ndjerit, Xhafer Ahmeti, diplomatit të Kosovës në Mal të Zi dhe për shumë vjet Drejtor i Protokollit të Shtetit. Kontributi i tij në MPJ, si njëri nga diplomatët e parë pas pavarësisë do të mbahet mend gjatë. Ngushllime familjarëve, kolegëve dhe miqve të Xhaferit!” ka shkruar Pacolli, përcjell albinfo.ch.

Xhafer Ahmeti para se të fillonte misionin diplomatik në Mal të Zi, kishte shërbyer në Protokollin e shtetit të Kosovës. Ahmeti kishte shërbyer edhe si konsull në Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe për një kohë të shkurtër në Cyrih.