Intervista
Ndërpreu kontratat me restorantet më prestigjioze në Evropë, vuri në lëvizje “mullinjtë” e Tiranës
“Mullixhiu” nuk është vetëm një restorant që ka vetëm emrin mullixhiu, por edhe brenda hapësirës së këtij restoranti në Tiranë, janë mullinjtë që shërbejnë për gatimet e kryekuzhinierit Bledar Kola, i cili tash e pak vite ka hapur portën e tij për t’i mahnitur edhe të huajt.
Para shumë vjetëve ua kishte mësyrë rrugëve të Evropës që të gjente ndonjë punë, dhe si pjatalarës arrinte të siguronte kafshatën e gojës.
Nga një pjatalarës, ai më pas arriti të realizohej në një kuzhinier profesional dhe asnjë nga kontratat me restorantet e famshme në Evropë nuk e bindi që të qëndronte atje, madje as ajo e Rene Rexhepit, kuzhinierit super të famshëm në botë. Kola i kishte vënë vetës një qëllim, dëshironte t’i vënte në lëvizje mullinjtë e kuzhinës së tij, për ta bërë kështu një ndër restorantet më të renditura në gazetat e famshme të kuzhinës nëpër botë. Në një intervistë për KultPlus, ai ka treguar se gjatë këtij viti mediat e huaja do ta realizojnë edhe një dokumentar për të. Bledari, i cili kënaqet duke shikuar fytyrat e mysafirëve derisa shijojnë ushqimin e tij, ka treguar edhe faktin se për një pjatë të shijshme duhet të kesh prapa: fermerë, blegtorë, artizane, menaxherë, lavapjatës, e kuzhinierë.
KultPlus: Ngadalë, po sigurt jeni duke u renditur në mesin e majeve të restoranteve të Tiranës, duke u listuar shumë shpesh edhe nëpër revistat më prestigjioze të kuzhinës nëpër botë. Të tjerët po e shijojnë ushqimin e “Mullixhiut”, kurse ju po e shijoni suksesin, të jep kënaqësi ky vlerësim apo po të shton edhe më shumë përgjegjësinë për punën tuaj?
Bledar Kola: Faleminderit për vlerësimin. Po, është e vërtetë që gjatë këtyre dy vjetëve punë “Restaurant Mullixhiu” është renditur në mbi 30 medie prestigjoze nderkombetare si: Süddeutsche Zeitung, Der Spiegel, Frankfurter AllgemeineZeitung, B-Eat, Monopol, Abenteuer und Reisen, DW, Euromaxx, BBC 4, Standard, The Independent, Metro, Vogue, South China Morning Post, China Radio International, China Global Television Network, Get Lost, Star Tribune, Courrier International, Le Monde, La Republica, Vanity Fair, Fine Dining Lovers, IdentitaGolose, GamberoRosso, Travie, Globes, Food and Wine, Munchies VICE, Travel Weekly.
Ky është edhe viti i dytë me radhë që Mullixhiu e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të gastronomisë në Guiden IdentitaGolosewww.identitagolose.it/sito/it/203/guida-online.html
Këto vlerësime ndërkombëtare pa dyshim na japin kënaqësi, po gjithashtu na vendosin para përgjegjësisë që t’u përgjigjemi pritshmërive të klientelës së huaj dhe gjithashtu edhe spekticizmit të klienteles lokale.
KultPlus: Ju ishit një pjatalarës në vitet e 90-ta, kurse tashti jeni një shef kuzhine që me recetat tuaja po mahnitni, kryesisht të huajt. Rrëfimi juaj na bën të kuptojmë që suksesi nuk është vetëm në përralla?
Bledar Kola: Unë mendoj që shkallët e karrierës duhet të kalohen hap pas hapi. Nuk e di nëse do isha ky që jam, nëse do i kisha kaluar disa shkallë njëherësh. Kështu që besoj që të qenit pjatalarës, është mbase një kusht i nevojshëm për cdo shef kuzhine të suksesshëm.
KultPlus: Përgjatë kohës kur e konsideronit vetën të varfër dhe kërkonit punë në Londër, ju patët fatin të punoni me shefa të njohur të kuzhinës, duke përfshirë edhe kuzhinierin e famshëm Rene Rexhepi, në restorantin e tij të famshëm “Noma”. Dhe pikërisht kur hapej një portë e madhe në Evropë, ju vendosët ta mbyllni atë portë dhe ta rihapni portën e shtëpisë suaj. E ndjeje me të vërtetë këtë sukses, që për shumë të tjerë mund të vlerësohej si një hap shumë i rrezikshëm?
Bledar Kola: Emigrimi dhe të jetuarit në një vend të huaj është një sfidë në vetvete. Pas një ekperience pothuajse 10 vjecare me kuzhina të ndryshme si ajo:franceze, italiane, japoneze dhe se fundmi me ate nordike, vendosa të kthehem në Shqipëri. Në fakt nuk e kam konsideruar kurrë mbylljen e një porte, faktin që jam kthyer në Shqipëri, aq më tepër e mendoj që ky kthim ka qenë një inspirim në vetevete, kot nuk thonë “Guri i randë peshon n’vend t’vet”
KultPlus: Ju lëshuat Shqipërinë për të larë enë, në mënyrë që të siguroni ushqim për familjen tuaj, kurse tashti jeni një shef kuzhine që ushqeni jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt, si e shijojnë menunë, prindërit e tuaj? Merrni kritika nga ta?
Bledar Kola: Mendoj që nuk ka rëndësi se kush je dhe ku ke arritur, kritika e sinqertë e prindërve është ajo që të mban me këmbë në tokë. Kështu që edhe nëse nuk marr kritika nga prindërit, jam unë ai që i kërkoj me ngulm këto kritika, dhe jo vetëm rreth gatimit.
KultPlus: Të ka marë malli që dikush tjetër të gatuajë për ju, apo më nuk ja jepni këtë kënaqësi dikujt tjetër?
Bledar Kola: Herë pas here bëjmë vizita të ndërsjella me miqtë kuzhinierë në Tiranë, dhe qytetet e tjera, dhe shijojmë gatimet e njëri tjetrit. Gjithsesi, dreka dhe darka e stafit tek Mullixhiu është gjithmonë e ndryshme nga menuja, kështu që pothuajse ha cdo ditë nga duart e stafit të restorantit.
KultPlus: Keni shumë klientë edhe nga Kosova, ka gjasë që Bledar Kola të zbresë deri në Prishtinë, të bëjë menunë në ndonjë restorant?
Bledar Kola: Në fakt, kemi disa kërkesa të tilla por personalisht sipas filozofisë time mendoj që suksesi nuk është tek menuja. Ajo cfarë serviret në pjatë është vetëm akti final i një ekosistemi njerëzish, produktesh, vlerash dhe sinergjie. Pra, para një pjate qëndron një orkestër me fermerë, blegtorë, artizane, menaxherë, lavapjatës, kuzhinierë, ku menuja është vetëm “partitura muzikore” dhe kryekuzhinieri është një dirigjent që duhet të krijojë një sinergji dhe të sintonizojë me gjithë orkestrën, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?