Lajme

Nderohet sakrifica e Koshares, në 17 vjetorin e saj

"Atë ditë si kurrë më parë u pa sakrifica e djemve dhe vajzave tona për t’u sakrifikuar për liri. Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë sot homazhe te varreza e dëshmorëve në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes. Ai ka marrë pjesë edhe në Tubimin Përkujtimor për nder të betejës së Koshares

Me këtë rast ai ka thënë se Beteja e Koshares është një ngjarje  e cila ka ndryshuar  historinë e Kosovës por edhe të Ballkanit Perëndimor.

“’Beteja e Koshares’ 138 e Brigadës “Agim Ramadani”, ishte njëra  betejat  më të rëndësishme, ku padrejtësia historike po ndalej. Atë ditë si kurrë më parë u pa sakrifica e djemve dhe vajzave tona për t’u sakrifikuar për liri. Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të  Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës”, tha Mustafa.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli dhe komandanti, gjenerallejtënant Rrahman Rama së bashku me zëvendësministrin Fadil Gashi, gjeneralët e brigadës, Nazmi Brahimaj dhe Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë dhe FSK-së, sot morën pjesë në shënimin e përvjetorit të 17-të të Betejës së UÇK-së në Koshare, gjegjësisht në manifestimin “Ditët e Shqipes”, shkruan kosovapress, përcjell albinfo.ch.

Ministri Demolli dhe komandanti Rama, në varrezat e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” bënë homazhe – dhe në nderim të dëshmorëve të kësaj Brigade vendosen kurora me lule të freskëta, si dhe takuan familjarët e dëshmorëve të cilëve u shprehën ngushëllimet dhe krenarinë e tyre për heroizmin e bijve dhe bijave të tyre, në luftën e shenjtë që bënë për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Gjithashtu, ministri dhe komandanti së bashku me delegacionin e MFSK-së, përcollën edhe manifestimin “Ditët e shqipes” organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës Isa Mustafës.