Lajme

Ndërmjetësi i bisedimeve Prishtinë-Beograd, vizitoi veriun e Mitrovicës

Cooper me këtë rast ka vizituar objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës si dhe policinë në atë pjesë të Kosovës

Diplomati britanik Robert Cooper, i caktuar nga BE-ja për bisedimet Prishtinë-Beograd, e ka vizituar sot veriun e Mitrovicës me qëllim të njoftimit për së afërmi me problemet me të cilat është duke u përballuar kjo pjesë e Kosovës.

Burime të RTK-së nga veriu kanë bërë të ditur se Cooper me këtë rast ka vizituar objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës si dhe policinë në atë pjesë të Kosovës.

Vizita e tij është mbajtur larg vëmendjes së mediave, ndërsa që ka qenë i shoqëruar nga zyrtarë të ICO-së dhe EULEX-it.

Ndryshe Cooper pritet të jetë ndërmjetësi kryesor në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit dhe do të përfaqësojë shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Lidhur me pjesën veriore të Mitrovicës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë sot se gjendja në veri paraqet prioritet për të si ministër, meqë situata kërkon një vëmendje të shtuar. “Jemi duke punuar që Policia e Kosovës së bashku me EULEX-in të arrijnë një nivel të lartë bashkëpunimi me qytetarët, në mënyrë që efikasiteti i luftimit të krimit të jetë më i lartë”, ka thënë ministri Rexhepi.

Po ashtu Rexhepi premtoi se Qeveria e re e do të mbështesë Mitrovicën dhe gjithë veriun në të gjitha fushat, në mënyrë që të krijohen kushte për jetë të qetë dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike.