Integrimi
Ndërmjet botës së njohur dhe të panjohur: Një dialog artistik me Blerta Hashanin dhe Lumturie Krasniqin
“Kemi punuar me idenë se bota e njohur është ajo që e përjetojmë çdo ditë, ajo që është e afërt dhe e prekshme, ndërsa e panjohura është ajo që rri në sfond, misteri dhe ajo që nuk është gjithmonë e dukshme apo e kapshme në mënyrë të menjëhershme. Një sfidë e veçantë ka qenë harmonizimi i dy perspektivave artistike të ndryshme që vjen nga një qasje më minimaliste dhe reflektive, dhe me një energji të lirë dhe eksperimentale”
Të mërkurën, më 11.09.2024, me fillim në orën 19:00, në hapësirat e Galerisë kulturpunkt në Bernë do të hapet ekspozita e dy artisteve të reja nga Kosova: Lumturie Krasniqi dhe Blerta Hashani, me titullin”Known/Unknown Worlds”. Aty do të paraqiten veprat e dy artisteve të krijuara gjatë rezidencës së tyre artistike në Bernë, në suaza të Festivalit të Filmit Kino Kosova.
Albinfo.ch: “Known/Unknown Worlds”, titullohet ekspozita me të cilën do të paraqiteni para publikut zviceran si pjesë e rezidencës suaj në suaza të festivalit të filmit Kino Kosova në Bernë. A ishte ky koncept paraprakisht i definuar, ose doli si rezultat i rezidencës, të cilën jeni duke e bërë në Bernë? Cilat aspekte të këtij koncepti rezonojnë më shumë me praktikën tuaj artistike aktuale?
Blerta Hashani: “Known/Unknown Worlds” si koncept nuk ishte i paracaktuar kur vendosëm të marrim pjesë në rezidencën e Kino Kosova, kjo ka rrjedhur natyrshëm gjatë procesit krijues që zhvilluam unë dhe Lumturia në Bernë. Nga ana tjetër, ky koncept rezonon shumë me praktikën time artistike aktuale. Praktika ime artistike përfshin mediumin e pikturës dhe vizatimit, për të eksploruar më tej konceptet e misticizmit dhe simbolizmit, konsolidon dhe pasqyron rutinën, mjedisin që më rrethon dhe ndjesitë e zakonshme. Çdo impuls i marrë nga bota e jashtme vjen në një formë primordiale dhe transmetohet në punën time artistike, në mënyrë minimaliste. Estetikisht, veprat paraqesin harmoni, ekuilibër dhe një kërkim të thellë për të brendësuar të përditshmen në linja konceptuale. Në këtë proces, përdor kërkime rudimentare për të shënuar atë që është instinktive dhe e kontrollueshme, ndërsa zbuloj më tej natyrën shumështresore të simbolikes dhe sublimesë.
Lumturie Krasniqi: Praktikat e mia artistike aktuale lidhen ngushtë me konceptin e ekspozitës “Known/Unknown Worlds,” veçanërisht me temën e mikro dhe makro botëve. Kjo lidhje shfaqet në mënyrën se si unë eksploroj marrëdhëniet komplekse midis realiteteve mikroskopike dhe galaktike, botes së brendshme dhe të jashtme, si dhe përjetimeve kontradiktore emocionale dhe ekzistenciale.
Albinfo.ch: A mund të ndani disa ide specifike apo koncepte që kanë dalë në artin tuaj si rezultat i angazhimit me këtë rezidencë artistike?
Lumturie Krasniqi: Gjatë rezidencës kemi pasur lirinë e plotë për të hulumtuar dhe krijuar pa një koncept të caktuar dhe kjo na ka mundësuar të zhvillojmë idenë e bashkëpunimit që me Blertën e kemi pasur prej kohësh, duke pritur momentin e duhur. Kjo mundësi na erdhi pikërisht nga ftesa e Kino Kosova, duke krijuar kushtet ideale për bashkëpunim në këtë fazë të rëndësishme të praktikave tona artistike. “Known/Unknown Worlds” ka dalë si rezultat i bashkimit të praktikave tona artistike dhe përvojave tona njerëzore. Për herë të parë vendosëm të krijojmë dy vepra së bashku, të cilat do të ekspozohen gjatë festivalit të filmit Kino Kosova.
Blerta Hashani: Ky koncept u shfaq si rezultat i thellimit në eksplorimin e ndjesive të përditshme dhe të pazbuluara. Ideja e botës së njohur pasqyron mënyrën se si përjetojmë realitetin dhe e ndërthurim atë në praktikën artistike. Ky proces krijues përforcon kërkimin për të brendësuar rutinën dhe për t’i dhënë një zë të thellë ndjesive të zakonshme. Në këtë rezidencë përdora kërkime rudimentare për të ndjekur atë që është e kontrollueshme dhe e instinktive njëkohësisht, duke i dhënë artit një dimension të ri, ku bota e njohur dhe e panjohur bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë me simboliken dhe me sublimen.
Albinfo.ch: Si e keni interpretuar ju të dyja idenë e këtij koncepti në punën tuaj bashkëpunuese? A ka pasur ndonjë sfidë apo surprizë të veçantë që është shfaqur gjatë eksplorimit që vlen të përmendet?
Blerta Hashani: Kemi punuar me idenë se bota e njohur është ajo që e përjetojmë çdo ditë, ajo që është e afërt dhe e prekshme, ndërsa e panjohura është ajo që rri në sfond, misteri dhe ajo që nuk është gjithmonë e dukshme apo e kapshme në mënyrë të menjëhershme. Një sfidë e veçantë ka qenë harmonizimi i dy perspektivave artistike të ndryshme që vjen nga një qasje më minimaliste dhe reflektive, dhe me një energji të lirë dhe eksperimentale. Në këtë proces të punës tonë bashkëpunuese me Lumturien, si dy shoqe dhe artiste që rreth dhjetë vjetëve njihemi nga rrugëtimi jonë studimor. Ne kemi filluar punën në projektet, të cilat ishin në proceset tona dhe me kalimin e kohës, këto vepra kanë filluar të krijojnë një gjuhë të përbashkët që shprehin me një fuqi më shumë se thjesht veprat tona individuale. Ky proces ka çuar në idenë për të krijuar një vepër të përbashkët, ku Lumturia filloi natyrshëm e para me teknikën e saj dhe më pas unë, e kështu filloi një lojë artistike e veçantë mes nesh. Një aspekt interesant i këtij bashkëpunimi ka qenë metoda jonë e ndarë e krijimit, ku unë kam punuar gjatë mëngjeseve dhe Lumturia gjatë netëve, për të lejuar që ndjesitë dhe idetë tona të bashkohen natyrshëm. Së pari, ky lloj bashkëpunimi na ka dhënë një rezultat pozitiv, duke e njohur njëra-tjetrën si shoqe dhe artiste në menyrë më të thellë dhe duke bërë këtë eksperiencë më të vlefshme dhe të pasur për të dyja. Dhe, ka sjellë surpriza dhe mrekulli në procesin krijues, duke na mundësuar të zhvillojmë një gjuhë të përbashkët që e tejkalon ndikimin individual dhe reflekton një bashkëpunim të thellë dhe të natyrshëm. Kështu, ekspozita “Known/Unknown Worlds” shpreh atë lloj ndjesie, ku ndarja midis asaj që e kuptojmë dhe asaj që mbetet e paqartë shkrin dhe krijon një dialog të pasur midis dimensioneve të ndryshme të ekzistencës.
Lumturie Krasniqi: Në këtë proces krijues, “Known/Unknown Worlds” është trajtuar përmes krijimit të veprave që shfaqin kontrastin midis botëve që ne i perceptojmë si të njohura dhe atyre që mbeten të fshehta ose të paprekshme. Në këtë kontekst, kemi trajtuar konceptin duke eksploruar se si kufijtë midis mikro dhe makro botëve shpërbëhen, duke krijuar një hapësirë ku përvoja intime njerëzore dhe e përditshme takohet me pafundësinë e kozmosit. Veprat tona përpiqen të zbulojnë kompleksitetin e ekzistencës përmes ndërlidhjes së botëve të përditshme dhe botëve të shumta, duke vënë në pah forcat e dukshme dhe të padukshme që formojnë realitetin tonë. Një surprizë e këndshme ka qenë fakti që ndoshta kemi menduar që e njohim njëra-tjetrën shumë mirë, pasiqë jemi shoqe rreth 10 vjet, por kemi zbuluar gjatë kësaj rezidence që edhe për njëra-tjetrën jemi ende botë të pazbuluara totalisht.
Albinfo.ch: Si ka ndikuar qëndrimi në Bernë, me atmosferën e saj të veçantë kulturore dhe artistike, në eksplorimin tuaj të konceptit të ekspozitës “Known/Unknown Worlds “? A kanë shtuar elementët apo përvojat lokale në Bernë dimensione të reja në punën tuaj?
Lumturie Krasniqi: Qetësia dhe ritmi i ngadalshëm i qytetit më kanë ndihmuar të thellohem më shumë në interesat e mia artistike, duke krijuar një hapësirë reflektimi pak më ndryshe. Ndjesia e të qenët në një qytet, megjithatë pranë natyrës, veçanërisht afërsia me lumin Aare dhe gjelbërimi që e rrethon qytetin, më kanë bërë të ndjehem më e lidhur me qenien time dhe më pranë asaj që përpiqem të punoj rreth saj. Përveç kësaj, qyteti dhe rezidenca kanë ofruar shumë mundësi për eksplorim, nga galeritë dhe hapësirat artistike, te mundësitë për ndërveprimet me komunitetin lokal. Takimi me njerëz të ngrohtë dhe mikpritës ka shtuar një dimension njerëzor dhe emocional në këtë përvojë, duke na bërë të ndjehemi të mirëpritura dhe të inspiruara për të krijuar.
Blerta Hashani: Qëndrimi në Bernë ka pasur një ndikim të thellë në eksplorimin tim si vizitore për herë të parë në tokën zvicerane, kam pasur mundësinë të njoh nga afër vendin dhe kulturën e tij dhe kjo ka ndikuar ndjeshëm në punën time. Atmosfera kulturore dhe artistike e Bernës, duke përfshirë vizitat në muze dhe galeri, më ka ofruar një perspektivë të re mbi artin dhe zhvillimin kulturor të tij. Berna më ka ofruar një ambient të qetë dhe pa stresë, që është shumë frytdhënës për procesin tim krijues. Bukuria natyrore e qytetit, arkitektura, e veçanërisht gjelbërimi, e mes qendrës të qytetit lumi Aare, i pastër me një ngjyrë të jashtëzakonshme, ka ndikuar në ndërtimin e një lidhjeje më të thellë me përvojat dhe emocionet e mia, duke shtuar dimensione të reja në punën artistike.
(Foto, portret dhe intervista u realizuan nga Rromir Imami)
E-Diaspora
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm Shkrimtari shqiptar Pajtim Statovci merr çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm për romanin “Lopa pjell natën” ...
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në Aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre