Shkurt.ch

Ndalohet kurorëzimi për personat me qëndrim ilegal në Zvicër

Vendimi kërkon nga nëpunësit e gjendjes civile që të jenë më syçelë, t`i sqarojnë rrethanat në secilin rast konkret

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2011, kurorë me një zviceran-e ose me një të huaj me leje qëndrimi në Zvicër do të mundet të lidhë vetëm ai/ajo që dëshmon se në Zvicër nuk është duke qëndruar ilegalisht, shkruan 20 Minuten.

Ky ndryshim i prek edhe personat të cilët aktualisht ndodhen në procedurën e lidhjes së martesës.

Vendimi kërkon nga nëpunësit e gjendjes civile që të jenë më syçelë, t`i sqarojnë rrethanat në secilin rast konkret ndërsa për rastet e dyshimta të njoftojnë autoritetet për të huaj. Të huajt-at që duan të martohen, duhet të dëshmojnë me një dokument të vlefshëm se posedojnë një leje qëndrimi (vizë) të rregullt në Zvicër.

Ky vendim që rrjedh nga ndryshimi përkatës në ligjin e të drejtës civile, vjen si rezultat i iniciativës parlamentare të kryetarit të SVP-së Toni Brunner për luftimin e martesave fiktive. Sipas një statistike të vitit 2008 nga 3500 rastet e martesave të dyshimta të lidhura në kantonin e Cyrihut në mes të të huajve dhe zviceranëve, 500 sosh janë dëshmuar si martesa fiktive.

Me ashpërsimin më të ri, Zvicra nuk është e vetme në Evropë. Ligje të ngjashme për martesën kanë edhe Norvegjia, Holanda, Danimarka dhe Britania e Madhe.