Lajme

Ndalohen dy koncerte të neonazistëve në Zvicër

Të premten, Policia e Kantonit të Valisit ka ndaluar në kufi dhe nuk ka lejuar të hyjë në Zvicër një bend francez i cili do të paraqitej në skenë të shtunën

Policia gjatë fundjavës që kaloi ka parandaluar një koncert dhe ka ndërprerë një tjetër, të dy të organizuar nga skena neonaziste, njëri në Kantonin e Valisit dhe tjetri në atë të Lucernit, shkruan srf.ch.

Të premten, Policia e Kantonit të Valisit ka ndaluar në kufi dhe nuk ka lejuar të hyjë në Zvicër një bend francez i cili do të paraqitej në skenë të shtunën. Kështu, koncerti nuk u mbajt, transmeton albinfo.ch. Po ashtu, disa anëtarëve të bendit  u janë shqiptuar ndalesa për të hyrë në Zvicër në një periudhë të caktuar.

Ndërkaq në Kantonin e Lucernit, po në këtë fundjavë, policia ka ndërhyrë në një koncert neonazistësh që kishte filluar të mbahej. Fjala është për koncertin që po mbahej në Wolhusen të këtij kantoni, përcjell albinfo.ch. Dy pjesëtarëve të bendit që po shfaqte koncertin u është kërkuar të lëshojnë Zvicrën.

Në mediat zvicerane gjatë gjithë javës së kaluar është folur për një ose më shumë koncerte të neonazistëve që do të mbaheshin gjatë fundjavës në Zvicër. Por, përkundër spekulimeve të ndryshme, nuk ishte arritur të dihej se ku do të mbaheshin konkretisht koncertet në fjalë.