Lajme
Ndalimi i eksportit të vajit të palmës, rrit çmimet e vajit nëpër botë
Konsumatorët globalë të vajit ushqimor nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të paguajnë më shumë për furnizimet, pasi ndalimi i papritur i eksportit të vajit të palmës nga Indonezia i detyroi blerësit që të kërkojnë për alternativa të tjera, në një situatë të motit të pafavorshëm dhe të luftës që po zhvillohet për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Kjo lëvizje nga prodhuesi më i madh në botë i vajit të palmës për të ndaluar eksportet duke nisur nga dita e enjte, do të rrisë çmimet e të gjithë vajrave ushqimorë kryesorë, duke përfshirë vajin e palmës, të sojës dhe vajin të lulediellit, sipas parashikimeve të ekspertëve të industrisë. Kjo do të sjellë akoma më shumë vështirësi për konsumatorët në Azi dhe në Afrikë, të cilët janë goditur tashmë nga çmimet më të larta të karburanteve dhe të ushqimeve.
“Vendimi i Indonezisë ndikon jo vetëm në furnizimet me vajin e palmës, por edhe në ato të vajrave të tjerë bimorë në mbarë botën”, tha James Fry, kryetar i kompanisë së konsulencës për mallrat, LMC International.
Vaji i palmës – i cili ka shumë përdorime, nga ëmbëlsirat dhe yndyrat e deri te produktet kozmetike dhe të pastrimit – përbën gati 60% të dërgesave globale të vajit vegjetal. Prodhuesi kryesor i këtij vaji, Indonezia, përbën rreth një të tretën e të gjitha eksporteve të vajit vegjetal. Vendi njoftoi ndalimin e eksporteve më 22 prill, deri në një njoftim të radhës, në një përpjekje për të reduktuar rritjen e çmimeve brenda vendit.
“Kjo po ndodh në një situatë kur eksportet e të gjithë vajrave të tjerë kryesorë janë në rënie: vaji i sojës për shkak të thatësirës në Amerikën e Jugut; vaji i rapes për shkak të rënies së të korrave të kulturës canola në Kanada; ndërsa vaji i lulediellit për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, tha Fry.
Çmimet e vajrave vegjetal janë rritur me më shumë se 50% në gjashtë muajt e fundit, pasi faktorë të shumtë duke filluar nga mungesa e fuqisë punëtore në Malajzi e deri te thatësirat në Argjentinë dhe Kanada – përkatësisht eksportuesit më të mëdhenj të vajit të sojës dhe vajit të canola – sollën kufizime të furnizimeve.
Blerësit shpresonin se vaji i lulediellit nga eksportuesi kryesor, Ukraina, do të lehtësonte këtë situatë të ndërlikuar globale, por furnizimet nga Kievi janë ndalur për shkak të asaj që Rusia e quan “operacioni i saj special” në këtë vend.
Vendet importuese si India, Bangladeshi dhe Pakistani do të përpiqen të rrisin blerjet e vajit të palmës nga Malajzia, por prodhuesi i dytë më i madh në botë i vajit të palmës nuk mund të mbushë boshllëkun e krijuar nga Indonezia, tha Atul Chaturvedi, presidenti i një shoqate tregtare në Indi.
Zakonisht, Indonezia furnizon pothuajse gjysmën e importeve totale të vajit të palmës të Indisë, ndërsa Pakistani dhe Bangladeshi importojnë gati 80% të vajit të tyre të palmës nga Indonezia.
“Askush nuk mund të kompensojë humbjen e vajit të palmës nga Indonezia. Çdo vend do të duhet të vuajë pasojat”, tha Rasheed JanMohd, kryetar i Shoqatës së Rafinerëve të Vajit Ushqimor të Pakistanit.
Në shkurt, çmimet e vajrave bimore kapën një nivel rekord pas ndërprerjes së furnizimeve me vaj luledielli nga rajoni i Detit të Zi.
Rritja e çmimit solli rritjen e kërkesave për kapital qarkullues për rafinerët e vajit, të cilët po mbanin sasi më të vogla se normalisht në magazina, në pritje të uljes së çmimeve, tha një tregtar me qendër në Mumbai, i cili zotëron një firmë tregtare globale.
Por, në vend të kësaj, të gjitha çmimet e vajit janë rritur akoma më shumë.
“Rafinerët i bënë llogaritë gabim. Tani, ata nuk mund ta përballojnë që të vazhdojnë të presin edhe për disa javë. Do t’u duhet që të bëjnë blerje të menjëhershme, në mënyrë që të vazhdojnë të mbajnë fabrikat e tyre në punë”, tha tregtari.
Ndërsa Indonezia ka lejuar eksportet deri më 28 prill, vendet që konsumojnë vajin e palmës do të kenë furnizime të mjaftueshme për gjysmën e parë të muajit maj, por mund të përballen me mungesa duke filluar nga gjysma e dytë e muajit, tha një rafiner me qendër në Dhaka.
Rafinerët e Azisë Jugore do të furnizojnë tregun me vaj në mënyrë të ngadaltë, pasi ata e dinë se furnizimet janë të kufizuara, tha ai.
Në Indi, vendi importues më i madh në botë i vajit vegjetal, çmimet e vajit të palmës u rritën me gati 5% gjatë fundjavës. Çmimet u rritën gjithashtu edhe në Pakistan dhe në Bangladesh./ Reuters
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës