Tematike
“Ndalesa e burkës nuk është ndonjë pengesë reale për besimtarët shqiptarë”
Mehas Alija, kryetar i “Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër: "Rezultatin e referendumit e pranojmë, ndonëse mendojmë se me një ligj dhe ndërhyrje të re në kushtetutën e vendit kufizohet një e drejtë themelore nga korpusi i të drejtave të njeriut"
Më 7 mars, zviceranët, në një referendum votuan ndalimin e mbulesës myslimane të grave, të njohur si burka. Iniciativa që u votua, zyrtarisht kërkon ndalimin e çdo mbulese të fytyrës por ajo është identifikuar përgjithësisht si iniciativë për ndalimin e burkës, mbulesës së plotë myslimane. Opinionet për këtë iniciativë, para dhe pas votimit, kanë polarizuar në masë të madhe shoqërinë zvicerane.
Kështu, kundër “Komitetit të Egerkingenit”, emri me të cili njihet subjekti që ka bërë iniciativën, i kryesuar nga deputeti i SVP-së, Walter Wobmann, ishin shumica e partive të përfaqësuara në parlament.
Ndërsa vetë Qeveria Federale, pati dalë me një kundërpropozim që lejonte bartjen e mbulesës por kërkonte zbulimin e fytyrës për nevoja identifikimi para autoriteteve të vendit.
Edhe në komunitetin e këtushëm shqiptar, mendimet rreth këtij ndalimi janë të ndara ndërsa nuk ka rënë në sy, të paktën jo në mediat zvicerane, ndonjë prononcim rreth kësaj teme, i organizatave që përfaqësojnë besimtarë myslimanë shqiptarë. Për të kuptuar më shumë rreth qëndrimit të tyre, albinfo.ch ka intervistuar kryetarin e “Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër” (KMSHZ), Mehas Alija.
Albinfo.ch: I nderuar z. Alija. Duke qenë se shqiptarët në Zvicër përbëjnë një numër të madh të të huajve të deklaruar si myslimanë në këtë vend, vota e 7 marsit mund të thuhet se prek edhe besimtarët myslimanë shqiptarë këtu. Na thoni, cili është qëndrim i organizatës që ju drejtoni, lidhur me këtë çështje?
Mehas Alija: Ne si Komunitet Musliman Shqiptar në Zvicër nga fillimi jemi rreshtuar mbrapa institucioneve qeveritare, gjegjësisht kemi përkrahur draftin e propozuar nga Qeveria, që kundërshtonte iniciativën dhe ofronte alternativë tjetër, si dhe kemi qenë në krah me një aleancë të madhe institucionesh e subjektesh të tjera të shoqërisë civile dhe të spektrit multikulturor dhe multifetar në Zvicër, të cilët, po ashtu, ishin kundër opsionit të iniciativës për ndalimin e mbulimit të fytyrës. Rezultatin e referendumit e pranojmë, ndonëse nuk jemi të kënaqur me të, pasi mendojmë se me një ligj dhe ndërhyrje të re në kushtetutën e vendit kufizohet një e drejtë themelore nga korpusi i të drejtave të njeriut, e promovuar në shumë konventa ndërkombëtare relevante. Fitoren e dalë nga referendumi i 7 Marsit e cilësojmë më shumë si një fitore ku ka fituar emocioni se sa arsyeja. Bindja jonë është se inkorporomi në kushtetutë i një kodi dhe kufizimi të veshjes, nuk është në pajtim me filozofinë e shtetit të së drejtës dhe se, gjithashtu, pengimi dhe luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit, nuk do të ketë sukses të dukshëm me një ndalesë të këtillë, sepse një ideologji apo kauzë e caktuar nuk mund të luftohet apo të mënjanohet krejtësisht me rregulla të veshjes.
Albinfo.ch: Vota në favor të ndalimit të burkës ka qenë e ngushtë. Në Zvicër ka pasur dhe vazhdon të ketë një debat të gjallë nëse është dashur të hidhej në votim një iniciativë e tillë për faktin se, sipas një opinioni mjaft të përhapur, ndalimi i burkës kishte më shumë rol simbolik se ndonjë peshë reale praktike. Si e gjykoni ju këtë?
Mehas Alija: Nëse e marrim parasysh faktin se nga kush u iniciua iniciativa popullore, do të kuptojmë edhe motivin dhe politikën simbolike të iniciativës. Përderisa kjo frymë nuk zgjerohet më tutje dhe nuk do të ketë mutacione të tjera, për të motivuar iniciativa dhe për të hapur tema edhe më të ndjeshme që përkojnë me myslimanët dhe me të drejtat e tyre elementare njerëzore, mendojmë se ndalesa e mbulimit të fytyrës nuk paraqet ndonjë peshë shumë të madhe praktike apo pengesë serioze në rrugëtimin tonë drejt integrimit dhe përfshirjes sonë brenda shoqërisë zvicerane, si myslimanë që jemi dhe si pjesë përbërëse e këtij shteti. Ne jemi përcaktuar dhe shikojmë kah e ardhmja e këtij vendi.
Albinfo.ch: A mendoni se ka ndonjë ndikim ky votim edhe për komunitetin shqiptar? A ka gra shqiptare në Zvicër që bartin burka ose nikab dhe që do të prekeshin nga ndalesa?
Mehas Alija: Në bazë të njohurive që posedojmë ne, nuk dimë që ka ndonjë vajzë apo grua shqiptare që e bartë nikabin apo burkën në këtë shtet. Sipas një studimi dhe hulumtimi nga profesorë të universitetit të Luzernit, gratë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, e që bartin perçen, janë një numër shumë i vogël dhe ato kryesisht janë zvicerane që kanë pranuar Islamin. Ndërsa, për komunitetin shqiptar mysliman, nuk besojmë se do të ketë ndonjë ndikim real kjo ndalesë, përveç që ndjejmë keqardhje për izolimin edhe të mëtutjeshëm të atyre grave që e konsiderojnë si pjesë të së drejtës së tyre veshjen në fjalë. Shqiptarët myslimanë duhet të shikojnë në të ardhmen dhe të jenë në gjendje të paraqesin shembullin e një bashkësie të moderuar, evropiane.
Albinfo.ch: A ekzistojnë në Kur’an, hadithe apo në ndonjë dokument tjetër fetar islam rregulla për mbulesën e grave?
Mehas Alija: Sipas mendimit të shumicës dërmuese të dijetarëve myslimanë, që ne, s’do mend se e preferojmë, nikabi nuk është nga obligimet fetare. Te burimet tona fetare nuk mund të gjejmë ndonjë tekst të qartë që do të konsiderohej si argument për obligueshmërinë e perçes. Për rrethanat tona, aktuale dhe kontekstuale, gratë që dëshirojnë të mbulohen, duhet të bartin hixhabin, e jo nikabin apo burkën. Po ç’ është hixhabi? Hixhabi në kuptimin e plotë të fjalës nënkupton mbulimin e trupit të femrës, pa e mbuluar fytyrën dhe duart. Stili dhe ngjyra e veshjes është diç që bie në pjesën e detajeve jorelevante. Mbulimi i kokës dhe trupit të femrës së moshës së rritur, veshja e përshtatshme dhe komode, janë nga pjesët që i kërkon Kur’ani dhe tradita profetike. Me fjalë të tjera, nëse arrihet të plotësohet intenca e hixhabit, pavarësisht formës, ngjyrës dhe emërtimit, ajo konsiderohet mbulesë islame (hixhab). Në librin tonë të shenjtë, Kur’anin fisnik, ndër të tjerë, kemi edhe këtë verset: “O Pejgamber, thuaju grave tuaja, bijave tuaja dhe grave të besimtarëve, le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre sepse kjo është më afër që ato të njihen e të mos ofendohen.” (El-Ahzab 59). Sa i përket traditës profetike, ne do të ishim mjaftuar me një hadith të Profetit Muhammed: “Profeti, paqja qoftë mbi të, i ka thënë motrës së bashkëshortes së tij, Esmasë r.a., e cila kishte veshur një rrobë të hollë: “Oj Esma! Gratë që kanë hyrë në moshën madhore përveç kësaj dhe kësaj – duke i bërë me shenjë fytyrës dhe duarve – nuk duhet t’i shihet vend tjetër nga trupi i saj.”(Ebu Davudi). Nuk duhet ta harrojmë edhe një rregull tjetër të fesë sonë, e që thotë: “Kur rëndohet apo vështirësohet situata, zgjerohet rrethi i alternativave.” Këtë sidomos do t’ua kisha preferuar grave që janë të prekura nga ligji i ndalesës së mbulimit të fytyrës.
Albinfo.ch: Pas suksesit të iniciativës për ndalimin e burkës, në mediat zvicerane po flitet edhe për mundësinë e ndonjë iniciative që do të ndalonte shaminë myslimane për nxënëset që ndjekin shkollimin në Zvicër. Si do ta vlerësonit një hap të tillë?
Mehas Alija: Së pari nuk besoj se do të mund të arrijë çështja deri te kjo, por, edhe nëse do të ndodhte, do të duhej ta shikonim se cili është synimi dhe për cilin nivel të shkollimit bëhet fjalë. E rëndësishme është që të mos ketë ndikime dhe detyrime në zbatimin e mbulimit, ndërkohë që për vajzat që ende nuk e kanë arritur moshën e “bylykut” nuk është detyrim shamia. Për mua, personalisht, e rëndësishme është që vajza e cila vendos të mbulohet islamikisht, duhet të dijë për peshën, përgjegjësinë dhe rëndësinë që ka paraqitja e tillë në një shoqëri multifetare, multietnike dhe multikulturore dhe t’i kontribuojë mirëqenies për dialog ndërnjerëzor dhe bashkëjetesë të mirëfilltë. Për nxënësit dhe nxënëset në shkollë, prioritet mbi prioritete, është mësimi dhe përvetësimi i diturisë.
Nuk dimë raste të shqiptareve të Zvicrës që bartin burka
“Sipas një studimi dhe hulumtimi nga profesorë të universitetit të Luzernit, gratë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, e që bartin perçen, janë një numër shumë i vogël dhe ato kryesisht janë zvicerane që kanë pranuar Islamin. Ndërsa, për komunitetin shqiptar mysliman, nuk besojmë se do të ketë ndonjë ndikim real kjo ndalesë”.
Kush është “Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër” (KMSHZ)
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër është organizata kupolë që përfaqëson mbi pesëdhjetë xhami dhe qendra islame në tërë territorin e Zvicrës dhe, njëherësh është edhe institucioni fetar që përfaqëson shqiptarët muslimanë në tërë shtetin e Zvicrës.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve