Literaturë
Ndahet nga jeta përkthyesi i lirikës shqipe, Hans-Joachim Lanksch
Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta përkthyesi gjerman i lirikës shqipe, Hans-Joachim Lanksch, përcjell albinfo.ch. Lajmi është bërë i ditur edhe në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Miqësia me Martin Camajn e shtyu Lanksch-in drejt punës me letërsinë e gjuhën shqipe. Ai mundësoi që shumë krijues shqiptarë të lexohen edhe në gjuhën gjermane.
Për kontributin e tij, ai u nderua me çmime të ndryshme. Me rastin e vdekjes së tij në moshën 76-vjeçare, ASHSH ka shprehur ngushëllime, duke e quajtur një humbje të pazëvendësueshme.
Njoftimi i plotë në faqen e ASHSH-së:
Nga Bardhyl Demiraj
Sot, më dt. 20 maj 2019, në orët e para të mëngjesit u shua, pas një lëngimi të gjatë e të pashërueshëm Hans-Joachim Lanksch, i mirënjohur në diskursin kulturor-intelektual shqiptar si Përkthyesi i Lirikës Shqipe.
Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atëbotë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.
Penda e tij bëri të kumtojnë dhe „rikrijojnë“ gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti etj. Vëmendje të veçantë u përkushtoi Përkthyesi Ynë për thuajse gjysmë shekulli prurjes së brezave të rinj të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, duke i bërë ata të njohur në letërsinë botërore bashëkohore, si: Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.
Puna e tij është laureuar me çmimet „Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); „Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe „Azem Shkreli“ (2018).
„Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare.
(Marrë nga “Peizazhe të fjalës”)
Akademia e Shkencave u bashkohet ngushëllimeve për këtë humbje të pazëvendësueshme.
E-Diaspora
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji Në një ceremoni homazhi në Gjenevë, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij,...
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
Jeta në Zvicër
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit Shoqata rajonale e hoteleve po u kërkon anëtarëve të saj që të rrisin çmimet vetëm në...
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju