Lajme

Ndërron jetë gazetarja Ardita Sylejmani

Është ndarë nga jeta në moshën 32 vjeçare gazetarja e RTK-së Ardita Sylejmani, e cila dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.

Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore, ndërsa përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur.

Për vdekjen e Arditës, ka reaguar edhe komuniteti i gazetarëve të Kosovës, të cilët janë shprehur të tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të koleges së tyre.

Po pa dyshim se lajmin më së rëndi e kanë pranuar ata që për vite kanë punuar drejtpërdrejt me Arditën.

Moderatorja e RTK-së, Edona Musa, nuk ka mundur të mbajë lotët kur ka dhënë lajmin për ndarjen nga jeta të koleges së saj.

Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetares së RTK-së, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjeve Sylejmani e Bllaca.

Haziri ka thënë se me pikëllim të thellë e ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Sylejmanit.

Telegrami i plotë:

“Të nderuara familje Sylejmani e Bllaca,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares së njohur të RTK-së, gjilanases sonë, Ardita Sylejmani.

Ardita do të mbahet në mend përgjithmonë për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e gazetarisë, mbi të gjitha, për trajtimin e temave në mënyrë objektive

Ngushëllimet më të sinqerta familjeve Sylejmani e Bllaca, kolegëve gazetarë dhe të gjithë farefisit. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në telegramin e kryetarit Haziri.

Po ashtu, ka reaguar  edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me një telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetares së Radio Televisionit të Kosovës, Ardita Sylejmanit.

AGK shpreh dhimbjen për humbjen e gazetares, duke e quajtur tronditës lajmin për vdekjen e saj.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me trishtim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares Ardita Sylejmani Bllaca. Kjo vdekje e papritur ka tronditur shumë njerëz, jo vetëm ata që e njihnin personalisht, por edhe ata që e njohën vetëm nga ekrani”, shkruhet në telegramin e AGK-së, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch