Tematike

Natyralizim i lehtësuar për të huajt në partneritet të gjinisë së njëjtë

Pasi që partneriteti brenda gjinisë së njëjtë në shumë segmente të tjera është barazuar me partneritetin mbi bazën e kurorës, është shfaqur nevoja që ky barazim të shtrihet edhe te natyralizimi

Shtetasit e huaj të cilët me një shtetas zviceran jetojnë në partneritet të gjinisë së njëjtë nuk do të dëmtohen më në procedurën e natyralizimit në krahasim me ata/ato që jetojnë në partneritet të kurorës (çifte të martuara).

Këshilli Federal, në një qëndrim të publikuar sot ka mbështetur propozimin e Komisionit për Politika Shtetërore të Dhomës Nacionale të Parlamentit (SPK-N) për zbatimin e pesë iniciativave parlamentare të ngjashme për «barazimin e partneritetit të regjistruar me atë të kurorëzuar, në procedurën e natyralizimit».

SPK-N, më 5 nëntor 2015 kishte përgatitur draftin për jetësimin e iniciativave të përmendura parlamentare dhe i kishte apeluar Këshillit Federal për të marrë një qëndrim, thuhet në një komunikatë të Sekretariatit Shtetüeror për Migracion (SEM).

Drafti përmban një propozim për rishikimin e Kushtetutës Federale. Me këtë rishikim, autoritetet federale do të fitonin edhe kompetencën për të rregulluar në mënyrë të unifikuar si fitimin ashtu dhe humbjen e të drejtës së shtetësisë për martesat brenda një gjinie. Mbi bazën e këtij ndryshimi kushtetues do të duhet të bëhet edhe përshtatja e Ligjit mbi Natyralizimin. Në këtë mënyrë në të ardhmen, rregullat për natyralizimin e bashkëshortit ose bashkëshortes së një zvicerani/je do të vlejnë njësoj edhe për partnerët e gjinisë së njëjtë.

Mbështetje nga Këshilli Federal

Këshilli Federal mbështet kërkesën bazë të iniciativave parlamanetare dhe kërkesën e bërë nga SPK-N për rishikimin e kushtetutës dhe ligjit. Trajtimi jo i barabartë që në bazë të së drejtës në fuqi u bëhet personave shtetas të huaj në partneritet (me shtetas zviceranë) të gjinisë së njëjtë në krahasim me partnerët martesorë  në procedurën e natyralizimit, është i pajustifukueshëm.

Pasi që partneriteti brenda gjinisë së njëjtë në shumë segmente të tjera është barazuar me partneritetin mbi bazën e kurorës, është shfaqur nevoja që ky barazim të shtrihet edhe te natyralizimi, thuhet në fund të komunikatës së SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion).