Zhvillim

“National Geographic”: Vizitojeni Kosovën

“National Geographic” me anë të një videoje prej tre minutash ka bërë thirrje që të vizitohet Kosova, pasi ka shumë vende të bukura. Xhirimet janë bërë në Prizren, Brod, Ujëvarën e Mirushës, Pejën e Grykën e Rugovës

Një nga mediumet më të mëdha në botë mbi udhëtimet dhe natyrën, “National Geographic”, në kuadër të rubrikës së saj të përjavshme “E vogël bota e madhe”, këtë herë ia ka kushtuar Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Për këtë javë ajo u sugjeron lexuesve të saj që ta vizitojnë Kosovën. Në videon tre minutash janë të përfshira xhirimet e kthyera në një formë miniature (kaleidoscop) të disa vendeve në Kosovë.

Xhirimet janë bërë në Prizren, Brod, Ujëvarën e Mirushës, Pejën e Grykën e Rugovës. Krahas videos është dhënë edhe një përshkrim i shkurtër.

“Kosova mund të mos jetë në listën e udhëtimit për shumë njerëz. Lufta në Kosovë duket disi ende jo e largët dhe mungesa e plazheve e shndërron këtë vend në një zonë të bardhë në hartën e udhëtimit. Megjithatë, nëse ju shkoni atje, do të jeni të habitur nga bukuria e jashtëzakonshme e vendit, gjallëria e jetës së qytetit dhe njerëzit miqësorë”, thuhet në këtë përshkrim.