Shqiperia
Nafta në Shqipëri, më e shtrenjta në Europë sipas fuqisë blerëse
Bëhet e ditur se një shqiptar duhet të shpenzojë mesatarisht gati 20% të të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë, me çmimet e sotme, më shumë sesa çdo qytetar tjetër në Europë dhe e 17-a në botë.
Thuhet se çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord së fundmi, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej 250-260 lekë për litër, ose rreth 2.3-2.4 dollarë. Me të ardhurat për frymë që janë rreth 4400 dollarë në vit, sipas Bankës Botërore, ndër më të ulëtat në Europë, shtrenjtimi i karburanteve do të peshojë më shumë jo vetëm në xhepat e atyre që kanë makina, por edhe indirekt përmes shtrenjtimit të transportit dhe produkteve të tjera zinxhir.
“Monitor” ka përllogatur shpenzimet ditore që duhen për blerjen e një litri naftë për 135 shtete në botë, në raport me të ardhurat totale, bazuar në çmimet e naftës në dollarë sipas Global Petrol Price dhe të ardhurave për frymë në dollarë të publikuara nga Banka Botërore.
Pas Shqipërisë renditet Kosova, shteti më i varfër i Europës, me 18% të të ardhurave ditore, për shkak se çmimet e naftës janë pak më të lira se tek ne (aktualisht rreth 2 dollarë për litër).
Edhe në vlerë absolute, Shqipëria, me nivelet aktuale, renditet ndër 10 vendet më të shtrenjta në botë, së bashku me Finlandën, Belgjikën, Danimarkën, Hong-Kongun, Norvegjinë, Suedinë, që ka karburantin më të shtrenjtë në botë, me 2.6 dollarë për litër. Por, të ardhurat për frymë të suedezëve janë 51.4 mijë dollarë në vit, ose rreth 12 herë më shumë se të Shqipërisë. Si rrjedhojë, një suedezi i duhet vetëm 1.9% e të ardhurave mesatare ditore për të blerë një litër karburant. Edhe një gjermani i mjaftojnë po rreth 2% e të ardhurave ditore.
Pas Shqipërisë dhe Kosovës, nafta më e shtrenjtë në Europë, sipas fuqisë blerëse, është në Ukrainë, me rreth 18% të ardhurave ditore. Ndonëse çmimi i naftës në shtetin që tashmë po vuan pasojat e pushtimit të Rusisë është 1.1 dollarë për litër, të ardhurat e tyre janë sa gjysma e atyre në Shqipëri (shiko tabelën në fund).
Në rajon, serbëve u duhen 9.2% të të ardhurave ditore (kanë të ardhura më të larta dhe çmime nafte më të ulëta), malazezëve 8.8%, boshnjakëve 11%.
Një rumuni i duhen 5.5% e të ardhurave ditore, një italiani vetëm 2.5%, një greku 3.9%.
Fuqia blerëse e naftës në Shqipëri, njësoj si në Afrikë
Shtetet që kanë karburant më të shtrenjtë në botë, në raport me të ardhurat përgjithësisht janë në Afrikë.
Në Mozambik, ndonëse nafta kushton më pak se një dollar, të ardhurat shumë të ulëta për frymë bëjnë që të duhen 60% e të hyrave ditore për të blerë një litër naftë. Shqipëria “konkurron” me shtete të tilla, si Zimbabve, Afganistan, Ruanda, Etiopi, apo dhe Pakistan në Azi, që janë ndër vendet më të varfra të botës, duke u renditur e 17-ta në botë (shih grafikun në fund).
Nafta më e lirë në botë është në shtete kryesore prodhuese si Katar (0.4% e të ardhurave ditore), Arabia Saudite, Libia, Irani (0.1%).
Rritja e shpejtë e çmimeve
Çmimi i naftës u rrit me shpejtësi në vend ditët e fundit. Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është shtrenjtuar për 4 herë.
Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 50%, për të arritur në 250-260 lekë për litër.
Operatorët e tregut e lidhin shtrenjtimin me rritjen e karburanteve në bursa, ku nafta arriti të mërkurën në mëngjes në 130 dollarë për fuçi, por më pas u ul në 120 dollarë, nga rreth 90 dollarë që ishte në dhjetor dhe me zhvlerësimin e dollarit, që arriti në 116 lekë, por që ra të mërkurën, pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt.
Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi, minimalisht 300 milionë euro më shumë.
Të tjera nga Shqiperia
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër? Furnizimi i Zvicrës me ushqime është ndër më të sigurtit në botë, por kjo nuk do...
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër?