Lajme

Myftiu i Bosnjës, apel IS-it për lirimin e humanistit britanik

Kryetari i Bashkësisë Islame të Bosnjës, Husein Kavazovic i apelon “shtetit islamik” që të lirojë punëtorin humanitar britanik, David Haines

Kryetari i Bashkësisë Islame të Bosnjës i apelon “shtetit islamik” që të lirojë punëtorin humanitar David Haines

Husein Kavazoviç, reisu-l-ulema i Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës ka apeluar për lirimin e punëetorit humanitar David Haines i cili po mbahet peng në Siri që nga marsi i vitit 2013. Në një komunikatë shtypi  të shpërndarë nga shërbimi i shtypit i kësaj bashkësie MINA, autoriteti më i lartë i myslimanëve në Bosnjë e Hercegovinë shkruan:

Pasi që mësova se jeta e humanistit David Haines, një qytetar i Britanisë së Madhe, është në rrezik, unë apeloj te ata që e kanë zënë peng që ta lirojnë pa kushte që ai t`i bashkohet familjes së tij. islami na mëson ne se jeta e njeriut është e shenjtë. David Haines është një njeri i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar duke ndihmuar njerëzit në nevojë në gjithë botën.

Ai ka punuar shumë për të ndihmuar refugjatët mysliomanë dhe të kthyerit në Bosnjë e Hercegovinë gjatë dhe pas luftës së viteve 1992-1995. Myslimanët në Bosnjë u janë mirënjohës të gjithë njerëzve që i kanë ndihmuar në atë kohë të vështirë dhe David Haines ka qenë njëri ndër miqtë e tyre të sinqertë.

Lirimi i punëtorit humanitar të arrestuar është akti i vetëm racional, moral dhe fetarisht i arsyeshëm, pasi që jeta dhe pozita aktuale e tij nuk do t`i ndihmojë rrëmbyesit e tij  për të zgjidhur problemet e tyre ose të fitojnë luftën kundër armiqve të tyre. Do të ndodhë e kundërta, duke liruar atë, ata do të tregojnë natyrën e tyre humane dhe virtytet e tyre.

Duke qenë viktima të padrejtësive dhe vrasjeve, myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës  e ndjejnë se është detyrim i tyre moral dhe fetar  të shprehin shqetësimin e tyre serioz kur njerëz të pafajshëm vriten ose torturohen. Për këtë arsye  dhe në frymën paqësore të islamit, unë apeloj  për lirimin e punëtorit humanitar britanik të arrestuar sepse vrasja e një personi të pafajshëm është e barabartë me vrasjen e gjithë njerëzimit, thuhet në fund të komunikatës.