Lajme

Muzetë e Vjenës rihapen, hyrja falas në disa prej tyre

Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas

Pas mbylljes për disa javë, muzetë e parë në Vjenë hapën dyert e tyre përsëri më 15 maj. Muzetë e tjerë do të hapen gjatë ditëve në vijim.

Ashtu sikur biznese të shumta në Austri, edhe shumë muze në Vjenë po provojnë mënyra të ndryshme për të joshur vizitorët dhe adhuruesit e kulturës dhe artit. Katër muze në Vjenë do t‘ua mundësojnë vizitorëve që për dy ditët e para hyrja të jetë falas.

Muzetë “Mozarthaus”, “Jüdisches Museum“, „Kunst Haus“ dhe „Haus der Musik“ më 31 maj do t’ i rihapin përsëri dyert e tyre për vizitorë. Në këtë ditë, të dielën dhe të hënën, pra më 1 qershor, të interesuarit mund të vizitojnë falas muzetë dhe ekspozitat e tyre të preferuara, shkruan oe24.at, përcjell Albinfo Austria.

Ndërkohë Muzeu “Leopold”, i cili do të hapet më 27 maj, ua ka mundësuar hyrjen falas 100 vizitorëve të parë, kurse më 28 maj blerësit e parë të biletave në internet do të marrin zbritje prej 50 për qind të çmimit të biletës së plotë.

Po ashtu, nga data 1 maj tashmë është hapur edhe kështjella e bukur në Laxenburg.