Kosova

Mustafa: Vuçiq nuk mund të flas për resurset e Kosovës sikur të ishin të tija

Kryetari i LDK-së i ka cilësuar të papranueshme deklaratat e Vuçiqit për resurset natyrore të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar se janë të papranueshme deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në lidhje me resurset natyrore të Kosovësi.

“Edhe përkundër deklaratave rrahagjokse të bartësve  të institucioneve të Kosovës, Presidenti  i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e viziton veriun e Kosovës sipas agjendës së tij.  Problemi nuk qëndron në faktin se një President i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo të  ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që Presidenti ynë të vizitojë Serbinë”, shkroi Mustafa.

Ai nuk e kundërshtoi vizitën e Vuçiqit pasi sipas tij është e natyrshme, ndërsa kritikoi deklaratat e tij.

“Por është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që Presidenti ynë në mënyrë jokushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të  shpreh pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit. Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negocueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës”, ka shkruar Mustafa.