Integrimi
Musa Kamenica: “Komuniteti shqiptar në Lozanë është aktor dhe jo spektator”
"Unë përpos që duhet të jem në nivel dhe të mos e zhgënjej komunitetin tim, po ashtu duhet të jem në nivel të duhur që të mos zhgënjej qytetarët e Lozanës që ma dhanë besimin e tyre në vitin 2016. Dhe, besoj që asnjërën palë nuk e kam zhgënjyer"
Musa Kamenica është emër i njohur i komunitetit shqiptar të Zvicrës dhe në veçanti i atij të Lozanës. Është i pari shqiptar që ka siguruar një vend në Parlamentin e Qytetit të Lozanës, në vitin 2016. Tani, në zgjedhjet e reja për këtë parlament, që mbahen më 7 mars 2021, ai kandidon sërish për këtë post. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me z. Kamenica, ku ai shpalos ofertën e tij politike dhe u drejtohet bashkëqytetarëve të tij me të drejtë vote që t`ia besojnë edhe një mandat si deputet.
“Në vitin 1995, ashtu si dhe shumë bashkatdhetarë tjerë, edhe unë me familjen time kam migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Kam diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Kam magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës dhe aktualisht punoj në administratë, në shërbimin për refugjatë”, thotë Musa Kamenica për albinfo.ch.
“Në politikë jam aktiv prej vitit 2008 në kuadër të Partisë Socialiste të Zvicrës dhe prej vitit 2016 jam këshilltar komunal në qytetin e Lozanës. Në kuadër të mandatit si këshilltar komunal, jam edhe anëtar i Komisionit për menaxhimin e qytetit, Komisionin për politika regjionale, Komisionin e natyralizimit, Komisionin për çështje të integrimit dhe nënkryetar i Komisionit për çështje shkollore. Gjatë vititit 2017-2020 kam qenë po ashtu anëtar i Komitetit të Partisë Socialiste të Lozanës dhe sekretar i grupit pralamentar. Përpos eksperiencës profesionale dhe në politikë, kam edhe një eksperiencë shumë të gjerë në shoqata të ndryshme, duke mbajtur edhe poste drejtuese, sikurse tash që jam themelues dhe kryetar i shoqatës së lagjes së ashtuquajtur Clochatte në Lozanë”.
Albinfo.ch: Zotëri Kamenica, cila është ndjenja e të qenit kandidat në një shtet, në të cilin nuk keni lindur e nuk jeni rritur ?
Unë kam ardhur si 18-vjeçar në Zvicër dhe që nga ardhja ime jam interesuar të integrohem sa më mirë që është e mundur, me arsyen që të ndihem plotësisht pjesë e kësaj shoqërie apo këtij shteti. Prandaj, angazhimi im në shumë fusha të ndryshme të shoqërisë bëri që të njoh shumë njerëz dhe të fitoj respektin ndaj popullatës dhe të ndihem plotësisht qytetar i këtij qyteti apo shtetas i këtij vendi.
Albinfo.ch: Prej vitit 2016 jeni shqiptari i parë që jeni zgjedhur në Parlamentin e qytetit të Lozanës. Si e konsideroni punën tuaj gjatë këtyre 5 vjetëve në këtë parlament?
Musa Kamenica: Është e vërtetë që jam shqiptari i parë që jam zgjedhur në Parlamentin e qytetit të Lozanës dhe jam krenar që me gjithë ato sakrificat e ndryshme me të cilat komuniteti im është përballur në Zvicër, prej fundit të viteve 60-ta, më në fund të tregoj se shqiptarët në përgjithësi kanë bërë hapa të jashtëzakonshëm të integrimit si në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe social. Mirëpo ana tjetër e medaljes është që unë përpos që duhet të jem në nivel dhe të mos e zhgënjej komunitetin tim, po ashtu duhet të jem në nivel të duhur që të mos zhgënjej qytetarët e Lozanës që ma dhanë besimin e tyre në vitin 2016. Dhe, besoj që asnjërën palë nuk e kam zhgënjyer, sepse kam qenë mjaft aktiv në iniciativa të ndryshme si brenda parlamentit ashtu dhe jashtë tij.
Albinfo.ch: … për cilat iniciativa bëhet fjalë?
Sikur gjithë qytetet e mëdha në tërë botën, edhe qyteti i Lozanës përballet me densifikim të popullatës nëpër lagje të ndryshme, prandaj ka qenë e rëndësishme për mua të jem afër popullatës së këtyre lagjeve që të mundem t’i dëgjoj hallet dhe peripecitë e tyre që pastaj të mbroj kërkesat e tyre në Parlamentin e qytetit. Qëllimi është që ta kultivojmë një kulturë dhe një ambient harmonizues mes shumë banorëve me kultura të ndryshme. Pastaj, është iniciativa, jashtëzakonisht e ndjeshme në aspektin politik, ajo lidhur me marrjen e nënshtetësisë zvicerane. Në vitin 2018 ligji për natyralizim ka pësuar një ndryshim shumë të madh që i pamundëson një kategorie të madhe të njerëzve me origjinë të huaj të jenë kandidatë të marrjes së nënshtetësisë. Për shkak të kësaj, në vitin 2017 me kërkesë timen, qyteti i Lozanës ka informuar të gjithë banorët me origjinë të huaj rreth këtyre ndryshimeve. Kjo iniciativë që është ndër të parat në Zvicër, ka pasur një sukses jashtëzakonisht të madh në popullatë. Prandaj, mund të cek iniciativën lidhur me uljen e papunësisë te të rinjtë e të rejat me origjinë të huaj, posaçërisht të komunitetit shqiptar. Këtu kam kërkuar që kandidatët që postulojnë në funksione publike dhe në institucione të financuara nga komuna e Lozanës të bëjnë kandidaturat e tyre përmes një CV anonime. Kandidati mund të vendosë në CV kualitetet dhe eksperiencën pa e vendosur origjinën, emrin dhe mbiemrin. Eshtë iniciativa e parë që është bërë në Zvicër në nivel qytetesh. Më pastaj kjo iniciativë e këtij lloji është marrë dhe paraqitur edhe në qytetin e Cyrihut. Përpos shumë iniciativave të ndryshme që kanë të bëjnë me politika të ndryshme të qytetit, së fundmi kam iniciuar edhe dy iniciativa parlamentare të rëndësishme: ajo për krijimin e një fondi të posaçëm të qytetit për mbështetjen e kurseve të gjuhës dhe kulturës së origjinës, sikur është, për shembull, shkolla e gjuhës shqipe dhe krijimi i plazheve të posaçme për banorët me aftësi të kufizuara dhe personat e moshuar. Nuk mundem pa e përmendur po ashtu organizimin e javës shqiptare Lausanne-Méditérannée. Pra unë kam qenë i përfshirë në organizimin e kësaj jave madhështore që e tëra ka qenë në përkujdesjen e kryetarit të Lozanës, Grégoire Junod.
Albinfo.ch: Cila është arma juaj më e fortë, e cila ju ndihmon shumë në këto zgjedhje?
Musa Kamenica: Besoj, përshkrimi i punës time më sipër tregon që unë jam person i veprave dhe aktiviteteve, e jo i premtimeve boshe ose i mbrojtjes së interesave të ngushta. Kjo është konstatuar shumë herët dhe besoj që qytetarët dhe komuniteti im do të vazhdojnë ta vlerësojnë. Kjo, pra, është arma ime më e fuqishme.
Albinfo.ch: A e shihni politikën si pasion, profesion apo përgjegjësi morale dhe intelektuale?
Besoj që të tri dimensionet janë të lidhura mes vete. Studimet dhe eksperienca profesionale imja më kanë mundësuar të krijoj të menduarit teorik dhe intelektual të funksionimit dhe të rëndësisë së politikës në shoqëri. Ndërsa, pasioni më ka shtyrë të angazhohem konkretisht në politikë dhe të jem në shërbim të qytetarëve me përgjegjësinë morale më të madhe.
Albinfo.ch: Sipas jush, çka i nevojitet më së shumti komunitetit shqiptar këtu?
Musa Kamenica: Tash komuniteti shqiptar në Zvicër, por edhe në qytetin e Lozanës është aktor dhe assesi spektator i vendimeve të ndryshme në shoqëri, prandaj edhe pesha e tij është duke u marrë në konsideratë. A i duhet një angazhim më i madh? Unë do të them që po. Është e kuptueshme që situata politike, sociale dhe ekonomike në vendet tona të origjinës e rëndon secilin nga ne dhe ndonjëherë na bën që t’i drejtojmë sytë nga atje. Mirëpo, kjo nuk duhet të na lërë pasiv rreth asaj që ndodh këtu, në vendin ku jetojmë. Prandaj, duhet një angazhim pak më i duhur rreth asaj se çka ndodh në politikën e Lozanës, kantonit apo edhe të Zvicrës në përgjithësi.
albinfo.ch: Ju jeni angazhuar në Partinë Socialiste. Përse keni zgjedhur pikërisht këtë parti?
Musa Kamenica: Unë jam anëtar në Partinë Socialiste të Zvicrës prej vitit 2008 dhe arsyeja kryesore që më bëri të aderoj janë programi dhe objektivat e saj për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, gjinive të ndryshme, shtresave sociale, religjioni apo ngjyre. Kjo parti ka po ashtu një program shumë të qartë për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë, në të cilën jetojmë sa u përket çështjeve ekonomike, sociale dhe politike. Vetë fakti që Zvicra ka sot një sistem ekonomik dhe social solid, është pikërisht një pjesë e madhe falë politikës socialiste njëshekullore. Këtu po e përmend sistemin e pensioneve AVS (AHV), pushimin e lehonisë për gratë, e drejta e votave për të huajt dhe shumë politika të tjera në favor të qytetarëve. Prandaj, unë konsideroj që komuniteti ynë në asnjë mënyrë nuk duhet të barazojë Partinë Socialiste në Zvicër me ato parti socialiste që kanë dominuar gjatë në Ballkanin perëndimor.
Sa i përket komunitetit tonë, Partia Socialiste në Zvicër ka qenë gjithmonë përkrah aspiratave tona kombëtare dhe nevojave të bashkatdhetarëve tanë.
albinfo.ch: Si e shihni të ardhmen tuaj politike? Duke vazhduar angazhimin politik këtu apo në vendin e lindjes?
Musa Kamenica: E ardhmja ime politike është këtu dhe besoj thellësisht që edhe duke qenë këtu, mund të ndihmojmë vendin tonë atje. Unë gjithmonë jam munduar të lidh ura mes Zvicrës dhe Lozanës me Kosovën. Në vitet 2014 dhe 2015 me udhëheqësit e Lozanës kemi bërë dy vizita në Kosovë, ku kemi takuar ministri, komuna të ndryshme dhe kemi lidhur ura bashkëpunimi. Ato vizita po ashtu janë kurorëzuar me projekte konkrete.
Musa Kamenica
Kandidat për Këshillin Komunal në qytetin e Lozanës.
Lista e Partisë Socialiste në Lozanë, numër 5.
Intervistën e realizoi Zamira Bytyqi
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?