Futboll

Muriqi, Rashica e Zhegrova të lumtur me fitoren, premtojnë më shumë përkushtim

Shënuesi i golit të fitores për Kosovën në Jerevan ndaj Armenisë në miqësore, Milot Rashica, është shprehur i lumtur me fitoren.

“Një fillim i mirë, një fillim i mbarë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. Trajneri i ri ka sjellë një energji të re me stafin e tij. Kemi pasur tre-katër stërvitje shumë të mira dhe shpresojmë që gjërat e mira në stërvitje t’i aplikojmë edhe në ndeshje”, ka thënë fillimisht Rashica për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Rashica, megjithatë, ka thënë se është dashur të shënohen më shumë gola në këtë ballafaqim.

“Gjithmonë është një ndjenjë krejtësisht tjetër kur arrin të shënosh për Kosovën. Sot patëm edhe disa raste të tjera sidomos unë. Është dashur të shënojë edhe një herë por e rëndësishme është që po arrijmë të krijojmë raste dhe po arrijmë të dalim në zonën e fundit. Normal, duhet të provojmë dhe t’i përfundojmë aksionet në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Është gjithmonë gjë e mirë të nisim me fitore dhe shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen tjetër”, ka deklaruar Rashica.

I lumtur për fitoren është shprehur edhe Vedat Muriqi.

“Me rëndësi ka qenë të nisim me fitore ciklin e sivjetmë të miqësoreve dhe ato zyrtare. Siç kemi folur në zhveshtore me rëndësi është të fitojmë, pa marrë parasysh se sot nuk ia arritëm qëllimit taktikisht ose me rezultat, sepse është dashur ta mbyllim ndeshjen më herët. Patëm rastet unë dhe Miloti. Kështu që, do të mësojmë nga gabimet që të mos i përsërisim gabimet nga të cilat kemi vuajtur edhe më parë dhe i kemi përsëritur. Do të mësojmë sa më shpejtë dhe të vazhdojmë edhe në ndeshjen tjetër me Hungarinë që të jemi akoma më komod dhe më të mirë. Ndaj Hungarisë synojmë fitore edhe pse është ndeshje miqësore. Fitorja është fitore. Është më mirë të fitosh edhe në miqësore, pa marrë parasysh sepse e rrit motivimin te lojtarët. Në prag të ndeshjesh me Hungarinë ka qenë shumë e rëndësishme ta nisim me fitore”, ka deklaruar Muriqi pas fitores ndaj Armenisë.

Ndërkohë, sulmuesi Edon Zhegrova tha se Kosova kundër Hungarisë duhet të paraqitet edhe më mirë se në miqësoren e së premtes mbrëma.

“Së pari, rezultati ka qenë shumë pozitiv për ne. Mendoj që loja është dashur të jetë shumë më e mirë. Besoj që për ndeshjen e radhës kundër Hungarisë duhet të jemi shumë më të mirë se në këtë ndeshje. Por, me rëndësi është se jemi duke u njoftuar me trajnerin dhe jemi duke u adaptuar me taktikat e tij dhe shpresoj që të arrijmë fitore edhe në ndeshjet e radhës”, ka thënë fillimisht Zhegrova për faqen zyrtare të FFK-së.

Zhegrova më pas theksoi se mundohet ta jap më të mirën gjithmonë.

“Gjithmonë mundohem që me kualitetin tim ta ndihmoj ekipin, si në klub ashtu edhe në Kombëtare. Unë gjithmonë do të bëj më të mirën dhe do ta jap maksimumin që të shkojmë sa më përpara me Kosovën”, është shprehur futbollisti.