Kosova

Muriq, Zhegrova e Muslija largohen nga grumbullimi në kombëtaren e Kosovës

Humbja e Kosovës nga Rumania shkaktoi debate të ashpra në rrjete sociale dhe mesin e tifozëve. Reagimet kryesisht u fokusuan në performancën e futbollistëve por edhe formacionit.

Pas kësaj ‘zhurme’ Federata e Futbollit të Kosovës së bashku me trajnerin Franco Foda në një vendim të përbashkët kanë vendosur të përjashtojnë nga grumbullimi 3 lojtarë, për thyerje të rregullave.

Të përjashtuarit janë Arjanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija, teksa është e paqartë se çfarë rregullash kanë thyer ata.

Në një reagim të Federatës Kosovare të Futbollit mësohet se Komiteti Ekzekutiv do të mblidhet së shpejti për të vendosur për masat e mëtejshme për 3 futbollistët.

“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listen e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”, shkruhet në reagimin e FFK.