Portrete të firmave
Munir Hoxha, ndër agjentët më të mirë të sigurimeve në Zvicër
Ka ardhur nga Kosova në Zvicër si 14-vjeçar. Ka punuar në rregullimin e veturave, ndërsa sot Munir Hoxha është njëri ndër agjentët më të mirë të sigurimeve në Zvicër, në Kompaninë ZURICH.
Në një intervistë për albinfo.ch Munir Hoxha ka rrëfyer për rrugëtimin e tij nga një autolimar i thjeshtë në një ndër agjentet më të suksesshëm sigurimesh, i cili për dhjetë vjet qëndron në top dhjetëshen e këtij profesioni. Gjithashtu Hoxha ka shpalosur njohuritë e tij rreth sigurimeve, duke ofruar kështu një pasqyrë për atë çfarë do të thotë të jesh i mbrojtur në fusha të ndryshme.
Albinfo.ch: Kush është Munir Hoxha?
Munir Hoxha: Jam një 34-vjeçar, i martuar, me dy fëmijë. Jam nga Bllaca, komuna e Suharekës, ndërsa tash 20 vjet jetoj në Zvicër. Jam i rritur në regjionin e Badenit, Aargau. Dy vjet e gjysmë kam qenë në shkollë dhe pastaj kam vazhduar me zanatin për rregullim të veturave. Për tre vjet e kam përfunduar këtë zanat, dhe pasi e kam ushtruar këtë profesion për një vit, kam vendosur ta ndërroj drejtimin.
Çfarë ju shtyri ta ndërroni profesionin?
Arsyeja ka qenë në faktin se aty kam kryer vetëm punën e mjeshtrit dhe nuk kam pasur shumë kontakte me njerëz, gjë që më ka bërë të kuptoj se nuk ishte ajo punë për mua. Kam dashur të merrem me diçka që të mund të ndihmoj njerëzit me shum e jo vetëm të bëj rregullimin e veturave të tyre.
Në cilin vit keni filluar të merreni me sigurime?
Në mars të vitit 2007 kam hyrë si ndërmjetësues e pastaj e kam marrë lejen që të jem agjent te kompani “ZURICH”. Pastaj, ata e kanë vërejtur interesimin tim për punë dhe më kanë ofruar punë të cilën e kam nisur në fillim të vitit 2010. Familja, por me se shumti bashkëshortja edhe Kompania “ZURICH” më ka përkrahur shumë si në shkollim por edhe më shumë kanë parë potencialin që fshihet tek unë.
Çka do të thotë të jesh agjent i sigurimeve?
Duket si profesion i lehtë, por në realitet është i vështirë, sepse duhet investim shumë i madh në kohe, në dije dhe aftësim i vazhdueshëm. Gjithashtu duhet të jesh komunikativ dhe t`i njohësh njerëzit, ke përgjegjësi te madhe. Çdo gjë që dëshiron klienti, je ti ai që duhet t`ia plotësosh, sepse ai nuk bie në kontakt me “ZURICH”-un por me ty.
Na tregoni pak se në cilat sigurime jeni të fokusuar?
“Zurich” mbulon të gjitha sigurimet, përveç atij shëndetësor. Fokusimi im është në sigurimin e bizneseve Private dhe në ato jetësore. Normal qe merren edhe me sigurimin e veturave, banesave etj.
Përse bizneset?
Pasi që aty shihet ndryshimi. Kur hapet një biznes, je ti që e këshillon klientin ne hapjen e tij dhe falë këshillave te mira mund të shohësh se ai biznes po ka suksese dhe po rritet.
A ndjeni se keni sukses në këtë drejtim?
Po, pasi që ka firma që kanë filluar me vetëm një punëtor dhe tash kanë nga 10-15 punëtorë. Ndihem shumë krenar kur shoh bizneset të cilat rriten, kanë suksese dhe janë klientë të mirë të kompanisë sonë.
Po me fusha të tjera të sigurimeve, ku qëndroni?
Me sigurimin e veturave merrem si me një çështje të përditshme sepse aty nuk duhet një përkushtim shumë i madh. Ndërkaq kur është puna për biznese të shkallës së tretë, duhet një analizë më e thellë dhe duhet të krijohet një pasqyrë prezantimi.
Çfarë sigurimesh duhet të ketë një firmë e porsahapur me dhjetë punëtorë?
Ajo duhet të ketë patjetër sigurimin ligjor dhe atë aksidental. Varet edhe nga lëmi, a është kompani ndërtimesh apo diçka tjetër. Është pastaj edhe SUVA që duhet patjetër ta ketë. Ai është sigurim shtetëror i pavarur nga ne dhe janë profesionet që duhet të sigurohen, ku ne si kompani private nuk mund të ndërhyjmë. Pastaj, i detyrueshëm është dhe sigurimi pensional. Është edhe sigurimi juridik kur p.sh. një kompani ka borxhe dhe nuk paguan, kështu që me të merret avokati, duke e dërguar rastin në gjykatë. Tendenca e këtyre rasteve është në rritje pasi që pagesat shpesh nuk kryhen si duhet.
Firmat shqiptare në Zvicër, sa janë të siguruara?
Janë të siguruara mirë ato që janë tek unë. Por unë ju bëj thirrje të gjithë atyre që në fund i publikojnë të dhënat e pagave, të ulen dhe t`i shikojnë edhe pagesat e sigurimeve, pasi që kur ndodhë diçka, sigurimi ankohet dhe lindin probleme. Si popull kemi dëshirë të paguajmë lirë e të sigurohemi maksimalisht, gjë që sjell telashe. Duhet të dish për çfarë po sigurohesh dhe jo të ankohesh kur ndodhë problemi…
Cilat janë sigurimet që nuk guxojnë të anashkalohen?
Punëtori është kryesori për një biznes dhe nuk guxon të anashkalohet, pasi që mbrohet me ligj. P.sh. kompania ku punoj unë, bën miliarda fitim kurse unë e marrë një rrogë dhe ligji më shumë më mbron mua, pasi që kompania është me e fortë. Kjo është këshilla ime: të jepet më shumë për punëtorin, pasi që pa të nuk mund të funksionojë biznesi. Edhe sigurimi shëndetësor nuk bën të anashkalohet ashtu si dhe sigurimi jetësor. Këtij të fundit shumë pak i kushtojnë rëndësi, por është shumë i rëndësishëm, sepse shumica e shqiptarëve tashmë kanë filluar blerjen e shtëpive apo banesave dhe një sigurim i tillë mund t`i ndihmojë. Po të ju ndodhë një aksident apo ndonjë sëmundje dhe nuk i keni të hyrat si më parë, banka e kërkon kalkulimin e ri të hipotekës. Ajo e llogarit se ke më pak të hyra dhe nuk mund të t`i ofrojë më kondicionet sikur kur ke qenë në punë. Ose, në rast vdekjeje të një anëtari të familjes me të cilin është mbajtur shtëpia, ke po ashtu problem me bankën. E këto sociali shtetëror nuk t`i siguron.
Si duket renditja e sigurimeve për nga rëndësia?
Sigurimi shëndetësor, jetësor, biznesor, i pensioneve, i aksidenteve. Së pari duhet të bëhet sigurimi jetësor para se të bëhet sigurimi i veturës. Nëse je shofer shumë i mirë dhe s’ke bërë aksidente asnjëherë, përse e siguron veturën full casco, kur mund ta sigurosh jetën full casco? Për sëmundjen nuk e di nëse do të ballafaqohesh ose jo, por, për aksident mund ta dish, se mund t`i ikësh.
A ju ndodh që punëtorët të ankohen për shefat e tyre që nuk e lajmërojnë fondin pensional ose e marrin vesh me vonesë?
Janë shumat e caktuara për të cilat duhet njoftuar arkën pensionale (Pensionskasse). Në qoftë se një punëtor paguhet mbi 21330 mijë franga në vit, firma është e detyruar t`ia bëjë sigurimin në fondin pensional. Por, nëse ia ka bërë shumën e duhur, sa e ka rrogën, a e ka edhe shumën efektive të siguruar, çdo punëtori i vijnë me letrat e të hyrave vjetore edhe sigurimi pensional. Këtu ka tridhjetë ditë kohë për ankesa.
Keni fituar çmimin si agjenti më i mirë i shitjes në kompaninë ku punoni. Cili është sekreti i punës tuaj?
Falë përkushtimit të madh dhe përkrahjes nga familja dhe klientët shumë të mirë, unë mund të them se jam në Top 10-shen e Zvicrës si agjenti më i mirë i shitjes në kompaninë “ZURICH”. Janë diku 1200 agjentë dhe unë qëndroj konstant në top dhjetëshen. Kompanie shpërblen agjentët për kontributin e tyre dhe mund të them se në mesin e shqiptarëve jam njëri prej agjentëve më konstant. Ata që më njohin e dinë që unë punoj me plane afatgjata dhe klientët janë te unë në plan të parë dhe të vetëdijshëm se me kënd po punojnë.
Cili është dallimi në mes jush dhe një agjenti që punon si broker?
Unë merrem me provimet e tyre dhe jam njëri prej ekspertëve. Jam i angazhuar edhe nga VBV në Bernë dhe kur kanë provime ata mi dërgojnë ftesat pastaj ne si ekspertë, i testojmë kandidatët. Pa dashur ta ofendoj dikë dhe duke mos përfshirë të gjithë, njohuritë e tyre për produktet nuk janë në nivel të duhur sepse ata shesin dhe përfaqësojnë të gjitha kompanitë e sigurimeve ne Zvicër. Kur përfaqëson të gjitha kompanitë është e pamundur të njihen produktet ne detaje. Mbrojtja e konsumatorit është e siguruar me ligj, transparenca është kyçe për arritjen e suksesit, sepse në qoftë se dëmtohet klienti ai do ta kuptojë dhe kështu do të largohet.
Përmirësimi i rregullatorit të mbrojtjes së konsumatorit, është duke u paralajmëruar prej vitesh. A po përfitojnë kompanitë e sigurimeve nga kjo?
Në vitet `90, në të gjitha kompanitë çmimet kanë qenë të njëjta “Regulierung”. Bizneset kanë dashur që ta hapin tregun pasi kur hapet tregu “Deregulierung”, hapen edhe çmimet. Secila kompani ka strategji tjetër, prandaj është normale që si kudo, edhe kompanitë e sigurimeve punojnë për të fituar më shumë klientë dhe për t`u rritur më shumë.
Kush i bën më të shtrenjta premitë e veturave dhe ku duhet pasur më shumë kujdes?
Nuk mund të themi që një kompani është më e shtrenjtë, varet nga kriteri çfarë lypet. Kjo matet me çmimet e veturës. Sa është e shtrenjtë ajo, sa është e vjetër, çfarë vozitësi është, i ri apo është në moshë që ka përvojë, d.m.th. përvoja redukton edhe çmimin e sigurimit. Pastaj sa ka pasur aksidente ai në të kaluarën. Janë shumë faktorë përveç shtetësisë, që mundësojnë krijimin e një oferte të sigurimit.
Cilat sigurime mbrojnë veturat në Kosovë, teil casco dhe full casco?
“Zurich” asnjëherë nuk e ka larguar Kosovën nga kartoni i gjelbër, të gjithat tjerat e kanë larguar dhe kanë thënë se kur hyn në Kosovë ose në një shtet tjetër dhe paguan sigurimin atje, automatikisht sigurimi i Zvicrës anulohet. Kurse kompania “ZURICH” e ka që të anulohet vetëm për at pjesë që ti e paguan atje ndërsa sigurimi që e paguan tek ne, vlen edhe në Kosovë.
Me këtë raste dua të përshëndes dhe te falënderoj nga zemra të gjithë klientët e Kompanisë ZURICH dhe ata që më përkrahën dhe do të më përkrahin në udhëtim tim.
Me respekt, i juaji, Munir Hoxha
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve Resorti Valais i Crans-Montana planifikon të rrisë taksat turistike nga 3 në 5 franga për natë...
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino
-
A janë zviceranët dorështrënguar?