Kosova

Mungesa e rrymës largon investitorët e huaj nga Kosova

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishit “Meka”, përballet në vazhdimësi me reduktim të energjisë elektrike. Mungesa stabile me energji elektrike, thotë ai, po i shkakton humbje të mëdha materiale në biznesin e tij.

“Ka ndërprerje kohë pas kohe me energji elektrike të planifikuara, por edhe pa planifikim. Ndërprerja e energjisë elektrike shkakton probleme të mëdha pasi që e ndërpret procesin e prodhimit, pastaj makineritë derisa të futen në prodhim humbet kohë dhe shkakton humbje materiale. Nga viti 1999 deri më tani kemi investuar aq shumë për të pasur energji, sa do të mund të punësonim edhe 50 punëtorë të rinj. Mungesa e këtij produkti është një prej shkaqeve që e ka pamundësuar edhe punësimin”, thotë Piraj për Radion Evropa e Lirë.

Problemi me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë është theksuar edhe në raportin të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar më 9 shtator.

Sipas këtij, raporti Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por një nga problemet që pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë është edhe furnizimi jo i besueshëm i energjisë.

Investimet e huaja në Kosovë ndër vite kanë shënuar rënie edhe sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës. Në vitin e kaluar vlera e investimeve të huaja në Kosovë ka qenë 265 milionë euro.

Përgjegjës në Kosovë për furnizimin me energji elektrike është operatori për furnizim me energji (KESCO) dhe ai për shpërndarje të energjisë (KEDS).

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, duke mos dashur të komentojë raportin e DASH-it, thotë se ka furnizim stabil me energji elektrike në vend dhe ndërprerjet mund të jenë vetëm në raste të caktuar kur ka ndonjë prishje në rrjet dhe kur duhet të bëhen renovime.

“Gjendja e furnizimit me energji elektrike është mjaft stabile. Tani e sa vite KEDS nuk ka aplikuar reduktime për asnjë konsumatorë, furnizimi vazhdon pa ndërprerje. Ne kemi trashëguar një rrejt në gjendje mjaft të vjetruar, por ky rrjet është përmirësuar. Ka përparime të theksuar kjo është cekur edhe në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore. Vetëm në dy raste mund të ketë ndërprerje të energjisë për shkak të faktorëve atmosferik dhe kur ne intervenojmë për të përmirësuar atë rrjet, pra kur bëhen investime”, thotë Buzhala, duke shtuar se kanë në prioritet bizneset sa i përket furnizimit stabil me energji elektrike.

Buzhala shton se KEDS-i gjatë viteve të fundit ka investuar në rrjetin energjetik deri në 150 milionë euro.

Investime vetanake për energji elektrike
Për t’iu ikur problemeve të mungesës së energjisë elektrike kompania Pestova, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, në vitin 2008 kishte investuar rreth 250 mijë euro për të ndërtuar një lartëpërçues.

Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, thotë për Radion Evropë e Lirë se ky investim është bërë për t’iu ikur humbjeve që kishte kompania nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

“Aty ku nuk ka energji elektrike nuk ka kurrfarë ekonomie, fatkeqësisht Kosova është ballafaquar me këtë problem dhe po vazhdon të përballet. Deri në vitin 2008 kemi pasur aq shumë probleme, pastaj me investimet tona kemi ndërtuar një lartëpërçues, i cili ka një gjatësi 8 kilometra dhe kemi bërë një zgjidhje të mirë me furnizim të energjisë. Në vitin 2008 kemi investuar rreth 240 mijë euro, ndërsa në vitin e kaluar (2019) janë investuar në këtë lartëpërçues edhe 100 mijë euro”, tregon Kosumi.

Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike të Kosovës të bërë në vitin 2018, thuhet se për një vit sektori privat në Kosovë shpenzoi afër 580 milionë euro në blerjen e gjeneratorëve për energji elektrike.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë thonë se pasiguria me furnizim me energji elektrike është një nga problemet që po i përcjell bizneset në Kosovë.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungon një strategji nga autoritetet. Kjo strategji, sipas tij, do të duhej të krijohen zonat ku biznesi të ketë tërë infrastrukturën e nevojshme, përfshirë edhe energjinë elektrike.

“Mungesa e kësaj strategjie bënë që bizneset të investojnë në ato vende ku infrastruktura e energjisë nuk është në nivelin e duhur. Komunat në Kosovë ju japin leje bizneseve në zona të caktuara të ndërtojnë fabrikat, ndërkohë që nuk ju sigurojnë infrastrukturën e nevojshme. Furnizimi me energji elektrike ndër vite është përmirësuar, por që vazhdon të ketë ndërprerje në disa raste edhe pa paralajmërime, duke dëmtuar biznesin”, thotë Krasniqi.

Si arsye kryesore e mungesës se këtij produkti në Kosovë vazhdimisht theksohet vjetërsia e termocentraleve në Kosovës. Termocentrali “Kosova A” daton që nga vitet e 60-ta, ndërsa termocentrali “Kosova B” nga vitet 80-ta.

Kosova tani e sa vite ka një projekt për ndërtimin e termocentrali të ri “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, projekt ky i cili ishte konsideruar se do ta shkarkonte Kosovën nga problemet me energji elektrike.

Por, si i tillë ky projekt mund të mos realizohet fare, pasi që kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, është tërhequr tanimë nga plani për ndërtimin e termocentralit.

Kompania Contour Global në mars të këtij viti është tërhequr nga planet për ndërtimin e termocentralit, për arsye se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu janë përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë, duke shtuar se ish-kryeministri Albin Kurti e kishte kundërshtuar publikisht projektin.