Lajme

Mundësitë për investime në Kosovë u prezantuan gjatë Forumit “Global Connect” në Gjermani

Bëhet e ditur se në Shtutgart të Gjermanisë më 15 nëntor është mbajtur Forumi “Global Connect”, me ç’rast Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes KIESA-s, ka hapur një shtand me qëllim të informimit të vizitorëve me potencialet për investime dhe të bërit biznes në Kosovë. Këtë shtand e vizitoi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, përcjell albinfo.ch.

Njëherësh, zyrtarët e KIESA-s morën pjesë në sesionin kushtuar investimeve të huaja dhe eksporteve në Evropën Juglindore.

Me këtë rast, U.d. Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, z. Zef Dedaj prezantoi potencialet për investime para investitorëve të ndryshëm nga Gjermania.

Në ketë forum, KIESA ka prezantuar edhe broshurat e rifreskuara me informata mbi potencialet për investime mbi sektorin e Teknologjisë së Informacionit, minierave dhe energjisë, turizmit, industrisë ushqimore, industrisë së drurit dhe automobilave.

Synimi i KIESA-s është rritja e investimeve të huaja nga shteti gjerman, respektivisht rritja e eksporteve drejt Gjermanisë. Krahas kësaj synohet edhe rrjetëzimi dhe bashkëpunimi sa më i mirë mes kompanive gjermane dhe atyre kosovare.