Integrimi

Muharrem Ahmeti-Remo pret votën tuaj në Komunën Vernier të Gjenevës

Muharrem Ahmeti – Remo, kandidat për Këshilltar komunal nga PDC e komunës Vernier, të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, beson që do ta ketë mbështetjen e elektoratit në këtë zonë zgjedhore

Më 15 mars të këtij muaji, në 45 komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, do të mbahen zgjedhjet për Këshill Administrativ, dhe për Këshillin e Përgjithshëm .

Në listat zgjedhore të dhjetë partive politike të kësaj Republike dhe Kantoni të Zvicrës, për pozitën e Këshilltarit Administrativ, s’është i nominuar asnjë shqiptar.

Roli i përfaqësuesve të këtij Këshilli është ekzekutiv dhe vendimmarrës. Kurse ai i këshilltarëve të përgjithshëm komunalë (asamblistë), ka të bëjë vetëm me legjislativin e komunës.

Në mesin e 24 kandidatëve me origjinë shqiptare që synojnë pozitën e asamblistit në pesë komuna të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, do të jetë edhe i riu nga Shala e Bajgorës së Kosovës, Muharrem  Ahmeti – Remo.

Ai, tash sa vjet në lagjen më të populluar “Les Paquis” të Bashkisë së Gjenevës, me mjaft sukses e menaxhon një restorant të njohur, me specialitete të shumëllojshme të kuzhinës evropiane, sidomos të asaj italiane .

Falë mirësjelljes dhe shërbimit me gjentilesë e pedanteri, ky restorant ka bërë emër dhe klientelë të rregullt jo vetëm nga Gjeneva por edhe nga komunat fqinje të Francës.

Z. Ahmeti i pyetur se çfarë e ka shtyrë që t’i qaset politikës, pa u hamendur thotë: “Në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës, ligji mbi zgjedhjet është aq i përkryer, dhe aq i përsosur saqë çdokënd e nxit për t’u inkuadruar në politikë, e aq më shumë një të ri si unë”.

Gjithnjë ambicioz dhe i gatshëm për t’u sprovuar edhe jashtë fushës së gastronomisë, Muharremi nuk fsheh edhe faktin që përveç vullnetit dhe dëshirës së tij personale, deri tek ky vendim e ka çuar edhe një grup moshatarësh, nga komuniteti italian, spanjoll, portugez dhe latinoamerikan.

Ata, të përfshirë në parti të ndryshme politike, kanë bërë që vendorët të dijnë praktikisht shumëçka nga historia dhe kultura e vendeve prej nga ata e kanë prejardhjen.

Ahmeti, duke parë që komuniteti shqiptar ka shënuar arritje të jashtëzakonshme brenda një periudhe të shkurtër në sport, shkencë e kulturë, analizon me vëmendje pothuajse të gjitha rregulloret dhe programet e partive politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Pas krahasimeve të shumta, konstaton si program ardhmërie dhe perspektive për të gjitha shtresat, programin e PDC- së. Fillimisht në cilësinë e anëtarit, tek organet udhëheqëse të kësaj partie lë përshtypjen e një aktivisti të devotshëm dhe të palodhshëm.

Trajtimi i duhur në vazhdimësi i temave me interes për qytetarinë dhe debati konstruktiv brenda strukturave të Partisë, bëjnë që ai të nominohet si kandidat i mundshëm nga radhët e PDC- së, për postin e këshilltarit  komunal në zgjedhjet e 15 marsit 2020, në Bashkinë Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Krahas konkurrencës së fortë brendapërbrenda partisë, rivalitetin e ashpërsojnë edhe qindra kandidatë të partive të tjera.

Vetëm nga kjo komunë që është e dyta për na numri i banorëve në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës, do të kandidojnë hiç më pak se 12 shqiptarë të natyralizuar, me një apo dy përjashtime, të gjithë me prejardhje nga Kosova.

Në qoftë se këto zgjedhje zhvillohen sikur ato të para pesë viteve me korrektësi dhe pa ndonjë ekses mund të jemi optimist që një ulëse në Legjislativin e Komunës Vernier do ta sigurojë edhe z.Muharrem Ahmeti.

Të gjithë ata votues që do t’ia besojnë votën Z. Ahmeti, qofshin nga komuniteti ynë apo komunitetet tjera asnjëherë nuk do të jenë të zhgënjyer. Ai, pa kërkuar kurfarë favoresh kërkesat e elektoratit do t’i shtrojë drejt dhe në kohë të duhur.

Arif Ejupi