Koronavirusi: çast pas çasti

MPJD: 2.400 kërkesa për t’u kthyer në Kosovë, dy aeroplanë vijnë brenda tri ditësh

Më 20 prill do të organizohet fluturimi i parë nga Zvicra, ndërsa me 21 prill do të organizohet fluturimi nga Turqia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit (MIA), kanë përfunduar organizimin e dy fluturimeve të radhës për kthimin e një numri të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë vendit për shkak të masave kufizuese të ndërmarra në gjithë botën për parandalimin e pandemisë së COVID-19.

Më 20 prill do të organizohet fluturimi i parë nga Zvicra, ndërsa me 21 prill do të organizohet fluturimi nga Turqia.

Sipas MPJD, nëpërmjet misioneve diplomatike aktualisht janë rreth 2,400 kërkesa për t’u kthyer në Republikën e Kosovës, 600 nga të cilat janë raste emergjente. Ne në vazhdimësi jemi duke mbledhur informacion edhe për kërkesat e reja dhe këto informacione po i përcjellim tek MSh.

Në momentin e parë kur të lirohen kapacitete të karantinimit, pas njoftimit nga MSh ne nëpërmjet Ambasadave tona dhe në koordinim me MIA do të organizojmë fluturime të reja edhe nga vendet e tjera.

Ne e kuptojmë që kjo periudhë është veçanërisht e vështirë për personat që kanë mbetur jashtë Republikës së Kosovës dhe duan të kthehen dhe po punojmë që ky kthim të ndodhë sa më parë. Por, duhet ta kemi parasysh që kthimi duhet të ndodhë në përputhje me kapacitetet shëndetësore që i ka vendi ynë, përndryshe ne do të rrezikonim personat të cilët i kthejmë, më të dashurit e tyre dhe do ta përkeqësonim situatën e përgjithshme shëndetësore në vend duke ia zgjatur jetën pandemisë, thuhet ne komunikatën e MPJD-së.

Së bashku, le të bëjmë kujdes dhe durim deri në kalimin e kësaj gjendjeje.