Kosova

MPB, gjatë 24 orëve, ka lëshuar rreth 1 500 targa provuese

Raportohet se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë 24 orëve të fundit ka lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitar me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë, Policia e Kosovës është duke u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative e logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në nivel vendi. Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve, të cilët planifikojnë që të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që sipas mundësive të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme.“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën e qetë dhe pa incidente, ndërsa angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdojë në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në fund të njoftimit të MPB-së.