Literaturë
“Mozaiku i mbuzur”, një manifest letrar kundër harresës
Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës ka bërë përurimin e librit të Shaip Beqirit në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës, në Bernë
“Mozaiku i mbuzur”: Që në titull mund t`i lexohet prirja e autorit për përdorimin e fjalëve të rralla dhe specifike nga fjalësi i shqipes. Shaip Beqiri, përveç si poet me identitet të dalluar shkrimi, ka bërë emër edhe si publicist shumë i veçantë, i kulturës, i pranishëm prej një gjysmë shekulli në gazetat dhe periodikun tonë.
Me “Mozaikun e mbuzur” ai sjell brenda kopertinave të një libri voluminoz (mbi 1300 faqe) një shumësi tekstesh, më së shumti intervistash, që ka realizuar me dhe për personalitete të ndryshme, kryesisht të letrave, në arealin e kulturës shqiptare, pa kufij, shkruan Albinfo.ch.
Shoqata e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës ka bërë përurimin e librit të Beqirit në një aktivitet të zhvilluar të shtunën që shkoi, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë.
Në emrin e shoqatës, aktivitetin e ka hapur krijuesi, Bujar Salihu, i cili, në një fjalë të shkurtër ka përvijuar aspekte nga personaliteti letrar dhe publicistik i autorit, Shaip Beqiri dhe peshën specifike që ky personalitet ka në letërsinë tonë dhe jo vetëm.
Këtë takim, në cilësinë e nikoqirit, pjesëmarrësit i ka përshëndetur edhe Gjenis Haxhimehmeti, sekretar në Ambasadën e Kosovës, në Bernë. Ai ka shprehur kënaqësinë për mundësinë që ambasada ka për t’u vënë në dispozicion të aktiviteteve kulturore dhe të tjera, në shërbim të komunitetit shqiptar të Zvicrës, shkruan Albinfo.ch.
Në vazhdim, fjalën e kanë marrë dy referuesit e këtij përurimi, Valdet Berisha dhe Blerim Shabani, të cilët kanë prezantuar qasjen e tyre mbi librin “Mozaiku i mbuzur”, secili nga këndi i tyre i vështrimit.
Berisha, si laitmotiv të veprës ka identifikuar “dënimin kundër harrimit”. Duke shikuar librin si një shpërfaqje besnike të vetë profilit prej krijuesi të Shaip Beqirit, veç tjerash thotë se “libri krahason modelet personale të protagonistëve, antagonizmat midis tyre dhe emëruesit e përbashkët. Ai nuk i përplas ata me njëri-tjetrin, por përpiqet t’ua ngreh flamujt sa më lart në qiellin tonë, për të dalluar atë që duhet. Shumë prej tyre i thërret dhe i kthen nga harrimi, që na kanoset të gjithëve. Ky libër është dënim i harrimit. Lexuesi i vëmendshëm ka mundësi të krijojë vetë, pa hezitim, tipografinë për secilin veç e veç. Kjo mundësi, nuk ofrohet shpesh paanshëm dhe në formë të përmbledhur sintetike, si aty. Shaip Beqiri është pritës i kujdesshëm me hendekun e tij të fortifikuar publicistik. Si pyetës me afinitet joshës, por me mprehtësi të theksuar, arrin të përrrubullakësojë atë që e kërkon, duke lënë jehonë emocionale, që vazhdon. (…). Nëse në njësitin e kësaj ekspedite akribike do të ishte dikush, më i sakti, më i palodhshmi, më këmbëngulësi, atëherë ky është Shaip Beqiri. Unë nuk njoh asnjë tjetër si ai”, shprehet Valdet Berisha në vështrimin e tij.
Ndërsa referuesi tjetër, Blerim Shabani, duke folur për figurën e autorit të veprës së promovuar, ka veçuar tiparet tashmë të njohura të Beqirit si ithtar i saktësisë dhe vërtetësisë së asaj që merr për të shkruar. “Shaip Beqiri është një miks i përkryer në mes të krijuesit elitar të poezisë dhe gazetarit, kronistit dhe studiuesit letrar, i cili zotëron të gjitha këto sfera në mënyrë sovrane dhe është mbase i vetmi që ka “stofin” e duhur për t`i lidhur ato me kompetencë të plotë. (…). Si rezultat i kësaj ka lindur edhe libri “Mozaiku i mbuzur”, që është fryt i një pune të kryer me akribi dhe përkushtim të madh.
Një cilësi tjetër të tekstit të Beqirit që e ka vënë në dukje Shabani është vështrimi në sintoni që ai i bën letërsisë shqiptare, duke shpërfillur kufijtë që kanë penguar këtë zhvillim. “Në këtë libër shohim që ai ndjek në mënyrë konsekuente këtë vijë përbashkuese dhe gjithëpërfshirëse. Këtë e bën si në përcaktimin e kaheve, tendencave, brezave të krijueseve, ashtu edhe thjesht në mbarështimin e tyre pa atë ndarjen “këndej dhe andej kufirit”. Një qasje të tillë, përveç kredos së tij krijuese e intelektuale, sigurisht ia mundëson njohja e thellë e lëndës, të cilën e ka shtruar për përpunim”, ka vlerësuar ai.
Autori i librit të përuruar, Shaip Beqiri, ka bërë një prezantim të motivit që e ka shtyrë për të realizuar këtë vepër. Dëshira për të shpëtuar nga harresa njohuritë mbi zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare ka qenë në krye të herës ajo që e ka shtyrë Beqirin t`i hyjë kësaj pune kaq sfiduese, shkruan Albinfo.ch. Më tutje, ai ka shpalosur për publikun pjesë nga bagazhi shumë i pasur i tij me njohjet dhe takimet me autorët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare në dhjetëvjetëshat e fundit.
Ai në vazhdim u është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve që janë interesuar për kontekstin e shkrimit të këtij libri dhe për aspekte të veçanta që lidhen me përvojat e autorit nga koha kur janë realizuar shkrimet e përmbledhura në librin “Mozaiku i mbuzur”.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve