E-Diaspora
Motoristët shqiptarë të Zvicrës, humanë dhe të lidhur ngushtë me atdheun
“Plisat”, “Albat”, dhe “Shqiponjat” janë tri klube motoristike të shqiptarëve në Zvicër. Albinfo.ch kësaj radhe ju njofton me aktivitetet humanitare të këtyre klubeve
Tri klubet më të mëdha të motoristëve shqiptarë të Zvicrës janë: “Plisat”, “Albat” dhe “Shqiponjat”. Ato shtrijnë aktivitetin e tyre në mbarë Zvicrën, duke treguar kështu prezencën e tyre, jo vetëm rrugëve të Zvicrës, por edhe në Kosovë dhe vende të tjera. Të tri klubet kanë emblemat e tyre identifikuese të cilat i shfaqin në bluza dhe jelekë.
Për nga pamja dhe defilimi në rrugë, ato nuk dallojnë shumë, por në brendësi secili nga këto tri klube shqiptare kanë krijuar identitetin e vet në bazë të mënyrës së organizimit të aktiviteteve të tyre.
“Motoristat Shqiponjat” njihen si klubi i parë shqiptar motoristik i themeluar në Zvicër. Në takimet e tyre ata mbledhin shumë adhurues të këtij sporti. Shqiponjat organizojnë për çdo verë takime edhe në Kosovë e Maqedoni. Ata mbajnë për emblemë shqiponjën dykrenare me një motor ngjitur në bluzat e tyre, me ngjyrat kuq, zi dhe bardh. Ky klub sivjet shënon 15 vjetorin e themelimit dhe për këtë vit jubilar do të organizojë në muajin prill një mbrëmje humanitare në ndihmë të fëmijëve me autizëm.
“Plisat” është klubi me emrin më të lakuar në media për aktivitete humanitare. Ata janë donatorë të ndërtimit të disa shtëpive për skamnorët shqiptarë dhe mbështetës të dhjetëra aksioneve humanitare për familje e persona me sëmundje të rënda që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Klubi motoristik “Plisat” konsiderohet nga adhuruesit e botës së motoçiklizmit si klubi më i organizuar, me një aktivitet të ngjeshur motoristik dhe humanitar.
“Plisat” janë themeluar para 13 vjetësh dhe deri më sot ata kanë kontribouar me mbi 100 mijë euro ndihma për shqiptarët skamnorë, në Kosovë dhe vende të tjera ku ata jetojnë.
Emblema identifikuese e Plisave është simboli i modifikuar i 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
Kur jemi te humanizmi, klubi i tretë shqiptar, “Albat”, ka shkuar një hap më tej, duke e vënë pasionin e tyre në shërbim të aktiviteteve humane. Madje “Albat” kanë regjistruar klubin e tyre tek organet zvicerane, si klub humanitar.
Aktiviteti i AMC “Albat” ka një shtrirje të gjerë në mbarë Ballkanin, me ura të lidhura miqësie me shumë klube e në shtete të ndryshme të Evropës Juglindore. Ata janë prej disa vitesh pjesë e organizimit të madh human “EU-Biker” dhe për çdo vit dërgojnë ndihma humanitare në shumë vende të Ballkanit bashkë me qindra motoristë të tjerë nga Zvicra, Gjermania, Austria e vende të tjera. Në këtë pjesë të xhirove nëpër Ballkan, ky grup i madh motoristësh ka vizituar edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Albinfo.ch i ka kontaktuar drejtuesit e tri klubeve për të ofruar më për së afërmi për lexuesit mënyrën e organizimit të tyre
“Shqiponjat”, shkruan presidenti Safet Baftija
Të jeni pjesë e klubit motoristik “Shqiponjat” dhe t`u përshtateni rregullave organizative është shumë interesante. Në klubin “Shqiponjat” ka disiplinë dhe kulturë të vozitjes dhe ja vlen të ceket një informacion shumë i rëndësishëm se klubit të motoristëve „Shqiponjat“ gjatë këtyre 15 viteve që nga formimi i tij nuk i ka ndodhur as edhe një ekces më i vogël i mundshëm në trafik.
Klubi i Motoristëve „Shqiponjat“ është formuar para 15 viteve dhe numri i anëtarëve është shtuar ndër vite. Klubi sot në sezonin 2018 numëron 94 anëtarë aktivë. Të jeni pjesë e klubit “Shqiponjat” ka shumë më shumë domethënie se sa të jeni vetëm pilot i motorit dhe të keni pasion për motoçiklizmin.
Klubi „Shqiponjat“ ka arritur ta dëshmojë një realitet që shumë politikanë e „ëndërrojnë“ e që nuk e kanë realizuar akoma. Në klubin „Shqiponja“ ka motoristë nga të gjitha trevat shqiptare dhe ata funksionojnë si një trup kështu që lirisht mund të thuhet se bashkimi kombëtar tek „Shqiponjat“ është një proces i përfunduar.
Sot, pas 15 viteve ekzistencë, lirisht mund të potencohet se motoristët e klubit “Shqiponjat” me emblemën e klubit që i përfaqëson Shqiponja dykrenare, janë njëkohësisht edhe ambasadorë të rrugëve në Zvicër. Ata gjithmonë i kushtojnë rëndësi të veçantë kulturës gjatë vozitjes dhe gjithmonë u përmbahen në mënyrë strikte rregullave dhe janë të disiplinuar në komunikacion.
Është me rëndësi të ceket se klubi motoristik „Shqiponjat“ përveç se organizon takime mes motoristëve, shquhet edhe për humanitet. Kjo shihet saherë që shfaqet nevoja në raste të ndryshme. Po ashtu motoristët tanë marrin pjesë edhe në aktivitete tjera që ndërlidhen me humanizëm, sikur ky i fundit që kishte të bënte me kategorinë e shoqërisë së prekur nga autizmi.
“Shqiponjat” gjatë vitit organizojnë rreth 6-7 takime. Njëri prej tyre, i cili tashmë është bërë tradicional, mbahet edhe në vendlindje dhe ai zgjat 2 deri 3 ditë gjatë muajve të verës kur bashkatdhetarët tanë i kalojnë pushimet verore në vendlindje.
Ato takime përshkohen nga toure të larmishme në tri shtetet tona ku nuk mungon edhe mikpritja e qytetarëve të atyre vendeve ku parakalojnë motoristët tanë. Gjithashtu ata priten nga kryetarë të komunave të ndryshme dhe ju sigurohet edhe përcjellje madhështore me polici si dhe u jepen në dispozicion hapësira publike për manifestim.
Klubi i motoristëve „Shqiponjat“, tash pas 15 viteve organizative ka faqen e vet në internet (www.motoristat.ch), ka “funpage” në Facebook, Instagram si dhe radio „Shqiponjat“ e lansuar këtë vit në përvjetorin e 15-të të saj.
“Plisat”, shkruan presidenti Agron Azemi
Aktiviteti shumëvjeçar i “Plisave” në këtë 13 vjeçar, është i përmbushur me aktivitete humane. Ndër to mund të veçojmë tri shtepi të ndërtuara dhe mbështetjen me aksione të rregullta humanitare të skamnorëve dhe rasteve të rënda shëndetësore.
Klubi “Plisat” është themeluar në vitin 2005 dhe në vitin e dhjetë jubilar, ne kemi organizuar për herë të parë në Kosovë një paradë të madhe humanitare në korrik të 2015 në Gjilan, e cila është finalizuar tre muaj me vonë me ndërtimin e një shtëpie të re për një familje në Verbicë të Zhegovcit. Pastaj një shtëpi e kemi ndërtuar në Slivovë të Ferizajt dhe një tjetër, vitin e kaluar, në Preshevë. Ndërsa sivjet projekti është për një shtëpi në Maqedoni.
Shtëpia e dytë ka qenë iniciativë e anëtarit tonë tashmë të ndjerë, Ramiz Hysenit, i cili ka humbur jetën në autostradën Kukës-Morinë. Pas ndarjes së tij nga jeta, ne si klub jemi organizuar dhe shtëpinë e mbetur në gjysmë, që ai e kishte nisur për një familje skamnore në Slivovë, e kemi përfunduar me diku dy të tretat e shpenzimeve. Ky klub i madh në zemër e human në shpirt, ka investuar deri më tani mbi 100 mijë euro ndihma humanitare për familje e njerëz në nevojë në Kosovë dhe më gjerë.
“Plisat” kanë ndarë nga fondi i tyre për çdo vit mjete, që nga themelimi, fillimisht duke mbështetur raste me sëmundje të rënda që kërkonim trajtim jashtë vendit dhe familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe pastaj duke ndërtuar shtëpi për familje të pastrehë, me mbështetjen e miqve tanë.
Pas nje periudhe 13 vjeçare presidenti Bekim Dalipi eshte tërhequr nga posti i presidentit kurse anëtarësia ka zgjedhur president të ri të klubit, ish-zevëndëspresidentin, Agron Azemin.
“Plisat” organizojnë rreth 7 takime të rregullta brenda vitit. Katër takime janë të obligueshme për anëtarët, të tjerat organizohen në mënyrë vullnetare. Për çdo vit organizojmë edhe ekskurzione jashtë Zvicrës. Po ashtu anëtarë të “Plisave” që ngasin motorë sportivë, vënë në sprovë veten rregullisht në pista garimi. Ne kemi bashkëpunim të mirë me klubet tjera shqiptare motoristike në Zvicër, në Kosovë dhe Shqipëri.
“Alba-Motorsport”, shkruan presidenti Bujar Dullaj
“Alba-Motorsport” është një shoqatë motosportive me shokë të cilët i kanë pasion motoçikletat, kartingun si dhe garat me makina. Shumica e anëtarëve tanë, sidomos veteranët e klubit, janë motoristë të flaktë.
Në vitin 2002 pasi që disa shokë ishin anëtarë të klubeve vendore motoristike, vendosëm që ta formojmë një klub motoristësh shqiptarë në Zvicër, si shoqatë motoristësh humanitarë, tek organet kompetente në Zvicër.
Meqë 05.05.2005 ishte datë e veçantë, ne dorëzuam dokumentacionin e kompletuar në komunën Reinach AG. Nga ajo ditë jemi „Alba Biker Charity Verein“.
Përpos udhëtimeve aventuristike, sikurse në shtetet skandinave, në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik, në Ballkan, në Evropën Perëndimore, SHBA dhe në një pjesë të Afrikës, klubi ynë punon dhe është shumë aktiv në aksione humanitare, të organizuara nga vetë klubi ynë dhe në bashkëpunim me klubet tjera të shteteve të ndryshme evropiane.
Ne, në bashkëpunim me disa klube gjermane dërgojmë ndihma humanitare në vende si: Bullgaria, Rumania, Ukraina e tjera, por si klub i ndërkombëtarizuar, ne përpos ndihmave për vende të tjera, rreth 80 për qind të ndihmave i organizojmë për atdheun tonë.
Ndihmat që organizohen vetëm nga klubi ynë, janë ndihma pak më individuale, kurse të tjerat në bashëpunim me klubet gjermane, austriake, kroate, shqiptare dhe kosovare janë, ndihma të përmasave masive. Një bashkëpunim të mirë e kemi me klubet „Biker Brummi Hilfe“ dhe „Eurobikers“. Me ta kemi organizuar konvoje humanitare nga më të mëdhatë në tërë Evropën.
Aksionet humanitare që i organizojmë ne, janë: pajisja e personave të hendikepuar me karroca, shtretër invalidësh si dhe pajisje të tjera invalidore.
Vitin e kaluar kemi dërguar 63 karroca invalidore, prej tyre 22 elektrike, 4 shtretër për raste të rënda. Ne po ashtu i mbushim furgonët me rroba për fëmijë, këpucë, lodra, biçikleta për fëmijë dhe ia dorëzojmë një klubi motoristik, i cili ua shpërndan këto ndihma fëmijëve personalisht.
Financiarisht përkrahim raste me nevojë tek njërëzit e moshuar dhe i ndihmojmë shoqatat tjera në aksionet e tyre kur ne e vlerësojmë si të nevojshme. Njëkohësisht dua të falënderoj klubin “MC Eagles” në Prizren, i cili na ndihmon t`i finalizojmë projektet individuale në Kosovë.
Sivjet marrim pjesë me shumë motoristë të vendeve tjera në takimin e madh të klubit “MC Eagles” në Prizren. Konvojit të motoristëve i bashkëngjiten edhe 19 kamionë. Ndihmat shkojnë në Tuzëll dhe Gorazhdec të Bosnës, pastaj në Prizren, Ohër si dhe Demir Hisar, Maqedoni. Këto ndihma janë pajisje medicinale si aparaturë, shtretër dhe kuzhina për spitale. Krahas mjeteve medicinale, dërgojmë edhe inventar dedikuar shkollës „Bajram Shabani“ në Kumanovë.
Ndihma me konvoje gjigante, si ky që organizohet sivjet, kemi dërguar vite më parë edhe në Tiranë, Shkodër, Rrëshen, QKUK Prishtinë, Kumanovë dhe disa vende rurale.
Bashkëpunimi ynë në këtë drejtim nuk ka munguar këtu në Zvicër me klubin e Motoristëve “Plisat” por edhe me “Shqiponjat” kemi biseduar që në të ardhmen të ndërmarrim aksione për projekte të përbashkëta, si dhe klubet tjera në Kosovë që janë të shkëlqyeshëm e shokë të mirë.
E-Diaspora
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës Në këtë atmosferë festive, ku luksi takon traditën dhe humanizmin, Krishtlindjet në familjen e Anton Nikollës...
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
Jeta në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës Në këtë atmosferë festive, ku luksi takon traditën dhe humanizmin, Krishtlindjet në familjen e Anton Nikollës...
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra
-
228 milionë franga: Dhurim rekord nga Zvicra për një katastrofë natyrore
-
Ndryshimet e mëdha të udhëtimit në Zvicër në 2025