Lajme

Moti i keq detyron mbylljen e shumë shtigjeve të ecjes nëpër Zvicër

Rreth 620 shtigje ecjeje në Zvicër janë ende të mbyllura për shkak të motit të keq këtë verë, me kantonin e Valais veçanërisht të goditur.

Sipas organizatës ombrellë Suisse Rando, shtigjet e bllokuara përfaqësojnë rreth 1300 kilometra.

Valais, i cili krenohet me rreth 8,800 kilometra shtigje ecjeje, u godit veçanërisht rëndë. “Një pjesë e mirë e shtigjeve në rajone të caktuara janë të paarritshme apo edhe të dëmtuara rëndë”, tha Sébastien Rappaz, kreu i shoqatës së shtigjeve të ecjes Valrando në pjesën frëngjishtfolëse të Valais.

“Është e vështirë të japësh një shifër për numrin e kilometrave të prekura, sepse ende të gjitha shtigjet nuk janë të aksesueshme për shkak të borës”, tha Rappaz për radion publike zvicerane, RTS. “Për momentin, ajo që mund të bëjmë është të njoftojmë dhe të informojmë njerëzit që të mos përfundojnë në situata ku nuk ka rrugë ku i kishin pritur”, shtoi ai, transmeton albinfo.ch.

Rappaz tha se ai po llogariste në bashkitë, të cilat janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e shtigjeve, për të përcjellë informacionin. “Më pas synohet që ky informacion të publikohet në aplikacionet e ndryshme celulare dhe platformat e internetit të Suisse Rando dhe SuisseMobile, të cilat përdoren shumë nga alpinistët”, tha ai.

Sipas tij, puna e pastrimit në shtigjet që janë vetëm pak të dëmtuara do të bëhet gradualisht, teksa vuri në dukje se burimet “janë relativisht të kufizuara”. Ai paralajmëron se disa shtigje madje mund të duhet të anulohen fare. “Mund të na duhet të mendojmë për të ardhmen e disa shtigjeve, nëse do të rihapen apo jo, nëse do të duhet të ndërtojmë një infrastrukturë të veçantë apo jo. Janë dy ose tre pyetje që do të lindin në të ardhmen e afërt”.