CH-Ballkani

“Mos bë muhabet koti!”*

  • Foto: Virtyt Gacaferi

  • Foto: Virtyt Gacferi

  • Foto:Virtyt Gacaferi

  • Foto:Virtyt Gacaferi

  • Foto:Virtyt Gacaferi

  • Në foto Kol GJoni nga Valbona e Shqipërisë

Me tetë vjet shkollë, Kolë Gjoni udhëheq një biznes dhe jep këshilla se si duhet të menaxhohet koha, më nënyrë që të mos fiket shtëpia. Ai theksin e vendos në një gjë të vetme, në agjendën e diskutimit në shtëpi.

Në mënyrë popullore Kolë Gjoni citon një porosi që e ka dëgjuar nga babai i tij, i cili e kishte dëgjuar nga gjyshi i fqinjit të tij, i cili e kishte dëgjuar nga një dijetar i moçëm i anës së Thethit e Valbonës.

“Kurgjo ma shumë nuk e fikë shpinë e robit se muhabeti i kotë rreth zjarrmit!” “Çka boni Kola, ku shkoi Kola, si ja ban Kola, ku shkoi djali i Koles”, ironizon Kola, djali i Gjonit, duke përshkruar metodën më efektive për fikjen e shtëpisë.

Për mua fjalët e Kolë Gjonit kanë shumë relevancë, pasi ai në qendër të vëmendjes vë agjendën e diskursit, si çështje shumë të rëndësishme për zhvillimin. Fjalët e tij gjithashtu kanë relevancë për mua, pasi ai është biznesmen i suksesshëm.

I martuar, me katër fëmijë, Kolë Gjoni ka pritur e përcjellë mysafirë në shtëpinë e tij në luginën e Valbonës. Ai këtë e ka bërë se shtëpia e tij ka qenë gjithmonë e hapur, siç ka qenë trashëgimi nga të parët e vet.

Arkaik në tradita dhe mendime, Kolë Gjoni ka gjetur vendin e vet në shoqërinë moderne. Ka gjetur një vend që i bën nder emrit të tij, fshatit të tij dhe kombit të tij. Kolë Gjoni sot udhëheq një nga bizneset më të mira në këtë luginë, që menaxhon mbi 2500 mysafirë në vit, e me këto të ardhura financon shkollimin e fëmijëve të vet. Njëri prej tyre studion hotelieri dhe nuk është larg mendësh që ai të krojojë një kompani të madhe që punëson shumë njerëz.

Shtëpia e tij gjendet buzë rrugës, nën disa pisha të larta në një nga ambientet me të bukura në trojet shqiptare. Vend që konkurron me pikat më të bukura në botë.

Ai ka punësuar tërë familjen e vet, si prodhues ushqimesh me dhitë e veta, me zierjen e këture produkteve, si udhëzues dhe njohës të kalimeve të fshehta të bjeshkëve të thata të këtyre anëve dhe, mbi të gjitha, si mikpritës dhe “consolieri” më i mirë në botë i një objekti hotelier.

Kolë Goni ka vendosur të gjejë vetën në botën moderne, siç shpjegon ai, në një moment kur një turist polak përveç pagesës që i kishte bërë për ushqime, kishte paguar edhe fjetjen. Kjo gjë e kishte ngacmuar atë paksa. Tutje në një ditë tjetër të verës kishte ardhur një grup studentësh e profesorësh, të cilët kishin fjetur te Kola dhe fshehtas kishin lënë një shumë të parave në shtëpinë e tij.

Këto dy gjëra Kola i kishte marrë si shenja se ai duhet të bënte diçka në shtëpinë e tij që t’u ofrojë më shumë njerëzve derën e tij dhe të sigurojë një vend të meritueshëm dhe të respektueshëm për familjen e tij.

Kola fillon ta renovojë shtëpinë, përkundër këshillave të shumta të fqinjëve se investimi në Valbonë është sikur hedhja e parave nga dritarja.

Më 25 korrik, për festën e Shne Prekes, Kola mbledh një grup festuesish dhe duke e dhënë edhe këtë vizitë gratis, bën integrimin e tij në botën moderne të mikpritjes, duke e ofruar një kulturë dhe traditë unike të shqiptarëve, të cilën është vështirë ta gjeshë dikund tjetër.

Tradita e bazuar në shtëpinë, e zotit dhe mikut i dhurohet botës, e cila e përqafon. Kola vitin e pare, më 1992, ka pasur 127 mysafirë, ndërsa në vitin 2014 ka pasur mbi 2500 të tillë nga e tërë bota. Dominojnë gjermanët, francezët dhe holandezët, por nuk mungojnë as të tjerët.

Nga viti ‘92 deri sot Kola ka dhënë shumë djersë, përkushtim, punë, hamendje, e më së shumti vendosshmëri. Kola thotë se ai ka pesë minuta kënaqësi gjatë ditës, kur i përcjellë mysafirët e kënaqur, pjesa tjetër është stres.

Ai e di punën e vet shumë mirë, atë e ka trashëguar nga të parët e vet që kanë mbajtur dyert hapur për miqtë udhëtarët dhe të tjerët. Ai beson se çare i gjendet gjithkujt që dëshiron të jetojë dikund.

“Në Paris me të dërgu, me thonë ktu s’jetohet, s’mundesh me jetu. Në Jezerc (maja më e lartë e Bjeshkëve të Nemuna) me shku, më thonë ktu jetohet, mundesh me jetu”.
Kolë Gjoni e ka dashur Valbonën e vet dhe e ka krijuar jetën e vet në këtë vend të mrekullueshëm.

Kolë Gjoni nuk bën muhabet të kotë rreth zjarrmit! Kolë Gjoni bën biznes, u trashëgoftë.

Autori është pronar i inbound operatorit “Balkan Natural Adventure” dhe konsulent ndërkombëtar i komunikimit