Bota

Mogherini: Demokracia nuk mund të jetojë pa një media të lire

“Demokracia nuk mund të jetojë pa një media të lirë, të larmishme e të pavarur”, ka deklaruar sot zv.presidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini në një deklaratë në emër të BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka shpërndarë deklaratën e zyrtares së lartë të BE-së në ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë kundër Gazetarëve, shkruan ATSH, përcjell Albinfo.ch.

“Gazetarët dhe aktorët e medias në mbarë globin u kërkojnë llogari shteteve, zyrtarëve qeveritarë, korporatave dhe shoqërisë për veprimet e tyre. Por shumë prej tyre përballen me kërcënime dhe sulme thjesht ngase kryejnë detyrën e tyre, ndërsa autorët e këtyre sulmeve veprojnë me pandëshkueshmëri të plotë”, është shprehur Mogherini.

Po ashtu zyrtarja e lartë e BE-së Mogherini ka theksuar se “Në këtë ditë, që është shpallur si Dita Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë kundër Gazetarëve, ne nderojmë gjithë ata gazetarë në mbarë botën që kanë humbur jetën dhe kanë pësuar sulme gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

“Ne nderojmë gjithashtu, të gjithë ata gazetarë të guximshëm që po vazhdojnë punën e kolegëve të tyre, që nuk mund t’i ndjekin më hetimet e nisura”, nënvizoi Mogherini.