Kuriozitete

Modeli i ri i Teslas, më i shituri në Evropë

Në mars tregu europian regjistroi një rënie të fortë të shitjeve të automjeteve të reja.
Tregu automobilistik, edhe më parë në vështirësi, është goditur sërish për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sipas JATO Dynamics, në mars u regjistruan rreth 1,116,419 automjete të reja në 27 tregjet europiane që monitorohen nga shoqëria. Kjo shifër është 19% më pak krahasuar me një vit më parë dhe 37% më pak krahasuar me vitin 2019 (niveli para pandemisë).

Rezultati në T I 2022 është 2.73 milionë njësi, 11% më pak se një vit më parë dhe niveli më i ulët që nga viti 1985. Gjërat vështirë se do të përmirësohen në një periudhë të shkurtër.
Në rrethana të tilla, regjistrimet e automjeteve elektrike plug-in në mars, në 244.801 njësi, nuk duken keq. Sipas raportit, vëllimi është rritur me 10%, duke arritur në një pjesë rekord tregu prej 21,9%. Kjo është më shumë se në rastin e automjeteve me motor diesel (202.113 njësi, në rënie me 39% në bazë vjetore).

Ngjashëm me të dhënat e raportuara nga EV Volumes, duket se shitjet e automjeteve BEV po rriten me shpejtësi, ndërsa shitjet e makinave hibride plug-in regjistruan një rënie të ndjeshme prej 22%.
Rezultatet e shitjeve për muajin mars:
– BEV: 151.701 njësi (në rritje me 47%),13,6% pjesë tregu
– PHEV: 93.100 njësi (në rënie me 22%), 8,3% pjesë tregu
– Totali: 244.801 njësi (+10%), 21,9% pjesë tregu

Modelet e automjeteve më të shitura

Një gjë interesante në muajin mars është se vëllimi i dërgesave të automjeteve Tesla në muajin e fundit të tremujorit i dha mundësinë markës të arrijë një tjetër rezultat spektakular.

Tesla Model 3 ishte automjeti më i shitur në mars (23.013 njësi, por në rënie me 3% krahasuar me një vit më parë), ndërkohë që Tesla Model Y renditej e treta (18,968). Marka Tesla regjistroi 41.983 njësi (në rritje me 76% krahasuar me një vit më parë), më shumë se Dacia, Citroen, Fiat apo Nissan.

Tesla Model 3 ishte gjithashtu automjeti më i shitur në shtator dhe dhjetor të vitit 2021.
Nëse shohim klasifikimin e 10 automjeteve më të shitura në Europë në 27 shtete, në mars 2022, Tesla Model 3 është makina më e shitur me 23.013 njësi, pavarësisht natyrës së saj 100% elektrike. Peugeot 208 renditet e dyta, me 21.026 njësi.

Podiumi mbyllet me Tesla Model Y, në 18.968 makina. Siç shihet, Tesla është fituese në këtë renditje, e cila dominon gjithashtu edhe klasifikimin e automjeteve BEV (automjete me bateri elektrike).

Renditja e 10 automjeteve më të shitura në Europë, vijon me Volkswagen Golf (e 4-ta), ndjekur nga Dacia Sandero (e 5-ta), Citroen C3, Fiat/Abarth 500, Ford Puma, Toyota Yaris dhe Opel Corsa. Krahasuar me vitin 2021, thuajse të gjitha automjetet regjistruan rënie, përveç Dacia Sandero (+12% ) dhe Tesla Model Y, hyrje e re në klasifikim.

Nëse shohim renditjen e automjeteve Plug-in Hybrid, Ford Kuga është makina më e shitur në mars 2022, me 5.544 njësi, ndjekur nga Volvo CX40 (4.005 njësi) dhe Peugeot 3008 (3.748 njësi).

Top 10 vijon me CUPRA Formentor, BMW X5, Volvo CX60, BMW X1, BMW Serie 3, Mercedes-Benz Classe A dhe Hyundai Tucson.

Nëse flasim për automjetet BEV, Tesla Model 3 dhe Tesla Model Y dominojnë me përkatësisht 23.013 e 18.968 modele të shitura. Në vend të tretë, me mjaft distancë renditet Fiat 500 elektrike, me 6.579 njësi. Klasifikimi vijon me Kia eNiro, Volkswagen ID.4, Peugeot e-208, Renault ZOE, Hyundai KONA, Dacia Spring dhe BMW i3. /monitor